Dhoma e Avokatisë, kundër Kuvendit për rrëzimin e Vangjel Kostës
Pas rrëzimit që i bëri Kuvendi në seancën e së enjtes në mbrëmje të kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ka ardhur dje reagimi i Dhomës së Avokatisë. Në një deklaratë për shtyp avokatët shprehin shqetësimin për këtë vendim të Kuvendit, pasi sipas tyre, “ka munguar transparenca në vlerësime”. Sipas Dhomës së Avokatisë, Kosta kandidonte për në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksohet se Kuvendi shpërfilli transparencën e Komisionit të Ligjeve. Në deklaratë shtohet se Kosta është një nga juristët më të mirë, ndërsa “mbështesim punën e realizuar nga presidenti Topi”. Përmes kësaj deklarate, Dhoma e Avokatëve i bën apel Parlamentit të përfshijë në procesin e verifikimit të kandidaturave Dhomën Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë, sikurse dhe aktorë të tjerë të interesuar për funksionimin sa më të mirë të sistemit të drejtësisë shqiptare. Gjatë seancës së të enjtes, deputetët e maxhorancës miratuan dy nga tre dekretet e presidentit Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedjen, ndërsa u rrëzua propozimi për Vangjel Kostën.
Më 13 maj, Presidenti i Republikës i propozoi Kuvendit tre anëtarët e rinj të Kushtetueses, pas një procesi përzgjedhjeje të nisur më 25 janar 2010, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues.
22 Maj 2010