10 artistë shqiptarë e italianë, në një ekspozitë
Në kuadër të aktiviteteve "Shqipëria e Italia, një det, dy popuj një miqësi", është prezantuar në qytetin e Beratit projekti më i ri i një ekspozite arti që do të hapet në këtë qytet më 29 maj. Konsullata italiane në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Beratit, Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, kanë prezantuar të mërkurën projektin e bashkëpunimit të një aktiviteti arti që do të zhvillohet në këtë qytet në fund të muajit. Në emër të Konsullatës italiane në Vlorë zv.e konsullatës, Stefania Casiso u shpreh se qyteti i Beratit është zgjedhur për organizimin e këtij evenimenti për vetë vlerat që ky qytet mbart. Janë pesë artistë italianë, skulptorë dhe pesë artistë nga Shqipëria, të cilët do të punojnë në qytetin e Beratit bashkërisht për realizimin e një ekspozite në fushën e skulpturës. Laboratori ku do të punojnë artistët italianë dhe ata shqiptarë do të vendoset në lagjen "Kala" të këtij qyteti, ndërkohë që veprat që do të krijohen, do të jenë në përshtatje të plotë me vlerat e këtij qyteti, ku do të përdoren kryesisht materiale guri. Artistët italianë kanë mbërritur dje në këtë qytet, ndërkohë që sot mësohet se do të fillojë dhe puna për realizimin e punimeve, të cilat do të prezantohen më datë 29 maj në këtë qytetin muze.
21 Maj 2010