Jeta e zjarrfikësve, në dorë të Zotit
Reparti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Prefekturën e Fierit nuk ka asnjë fond për të siguruar ndryshimin e bazës materiale, e cila nevojitet për operacionet që kryejnë forcat e këtij reparti. Mungesa e fondeve pranohet nga kreu i zjarrfikësve të Fierit, Xhevat Mërnica, i cili ka pranuar se situata teknike në stacionin zjarrfikës është më e rënda në të gjithë vendin. “është me të vërtetë për të ardhur keq që reparti zjarrfikës i Fierit ka mbetur në këtë gjendje që paraqitet sot. Po të krahasohet baza materiale dhe teknike mes repartit tonë dhe atyre të rretheve dhe qarqeve të tjera, është i dukshëm ndryshimi”, ka thënë Mërnica. Ai sjell si shembull repartin zjarrfikës të Elbasanit, ndërsa deklaron se prej kohësh është në negociata për dy mjete të reja zjarrfikëse, por ende nuk ka shpresa për to. Me ato fonde që aktualisht ka reparti zjarrfikës i Fierit, si dhe me atë pjesë fondesh që premton Ministria e Brendshme për këtë repart, nuk mjaftojnë as për blerjen e një zorre uji e jo më të shpresosh për sigurimin e mjeteve të tjera. Drejtues të Repartit Zjarrfikës në Prefekturën e Fierit thonë se nuk është parashikuar as blerja e shkallëve të lartësisë dhe as e rripit të sigurimit. “Nuk kemi dhe nuk ka gjasa që t’i sigurojmë as këtë vit. Nuk është faji ynë, por i buxheteve të cunguara dhe i funksionimit të atillë të këtij sektori kaq shumë me rëndësi”, të shprehen në Repartin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Prefekturën e Fierit. Pikërisht mungesa e shkallëve dhe e rripit të sigurisë i ka kushtuar jetën ditë më parë një zjarrfikësi të këtij reparti. Ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me faktin se edhe pas humbjes së jetës së zjarrfikësit më të vjetër, nuk premtohet sigurimi i bazës materiale. Mbetet që punonjësit zjarrfikës të Fierit të lihen në mëshirë të fatit, duke përballuar situatat e rënda, madje duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre.
“Nuk do të ndërhyjmë në rastet emergjente të lartësive. Ky është vendimi i marrë nga ne zjarrfikësit, edhe pse drejtuesit tanë nuk na mbështesin. Nuk vëmë kokën në rrezik nëse shteti nuk siguron materialet bazë. Shteti të shohë repartet zjarrfikëse të vendeve të tjera dhe të kthejë sytë nga ne”, thotë Agroni, një nga punonjësit më të vjetër të repartit zjarrfikës në Fier. Afro dy javë pas humbjes së jetës së zjarrfikësit Edmond Meçka, si pasojë e rënies nga lartësia gjatë kohës që ishte në punë, ende nuk ka hetime për këtë ngjarje, ndërkohë që kolegët dhe drejtuesit e repartit ku ai punonte akuzojnë bluzat e bardha për mosndërhyrje në kohë.
#