E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Sukseset ekonomike të Berishës, vetëm imagjinare”

Viti 2010 mbart me vete krizën e rëndë ekonomike të qeverisë aktuale
Pozita dhe opozita i shikojnë bardhezi 100 ditët e para të qeverisjes “Berisha 2”. Ajo që sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha, vlerësohet si “100 ditët e suksesit”, sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama, vlerësohet si “100 ditët e kiametit”. Në kundërshtim me deklaratat e bëra dy ditë më parë nga kryeministri Berisha “për një qeverisje të suksesshme”, kryesocialisti Rama është shprehur dje se deklaratat e kreut të qeverisë bëjnë fjalë vetëm për suksese imagjinare, “pasi familjet shqiptare po përballen me krizën ekonomike në këtë fundviti, krizë e cila do të ndihet edhe në vitin e ardhshëm”.
Vlerësimi
Për të ilustruar argumentet e partisë më të madhe të opozitës në vend, që bien në kundërshtim me deklaratat e kryeministrit, kryesocialisti ka bërë një analizë të situatës ekonomike që po kalon Shqipëria, e cila, sipas tij, paraqitet mjaft e rëndë për shkak të keqqeverisjes dhe shkatërrimit të financave të shtetit për qëllime elektorale nga ana e maxhorancës. “Ndërkohë që Krishtlindja dhe Viti i Ri e kanë gjetur Shqipërinë nën renë e rëndë të një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e njerëzve, Sali Berisha u flet shqiptarëve për 100 ditët e një suksesi imagjinar. Këtë fundvit, si asnjëherë tjetër, dyqanet janë mbytur në listat e borxheve dhe fuqia blerëse është ulur”, - deklaroi Rama. Duke iu referuar më konkretisht shifrave të Eurostatit, kreu i PS-së deklaroi se fuqia blerëse e shqiptarëve është sot më e ulëta në Europë me 26%, jo e krahasuar me Gjermaninë e me Francën, po më e ulëta krahasuar edhe me vetë Bosnjën, që e ka 30%. Ndërkaq, Rama tha se biznesmenët e vegjël përballen me uljen e fuqisë blerëse dhe si të mos mjaftojë kjo, ata duhet të përballojnë edhe faturën e re të TVSH-së e të energjisë së rritur 22% në kulmin e krizës ekonomike. “Në kohën që 110 mijë rrogëtarë të këtij vendi nuk u blenë dot dhurata fëmijëve për Krishtlindje e Vit të Ri, sepse nuk e morën dot as rrogën e përmuajshme e as rrogën e shpërblimit të fundvitit dhe kur çmimet janë rritur me shpejtësi marramendëse, Sali Berisha flet për rritjen imagjinare të rrogave”, - u shpreh Rama. Sipas tij, rritja e pensioneve në raport me rritjen e çmimeve, është imagjinare dhe fryt i fantazisë së kryeministrit. Por jo vetëm kaq, Rama ka vijuar duke pasqyruar në fjalën e tij një tablo të zymtë të ekonomisë shqiptare ku sipas tij, rreth 800 mijë shqiptarë janë të pasiguruar për shkak se nuk gjejnë dot një punë dhe se kryeministri Berisha u ka prerë arbitrarisht këtyre qindra mijëra njerëzve një faturë të papërballueshme për një vizitë te mjeku. “Ndërsa Berisha flet për një luftë imagjinare të suksesshme me korrupsionin në shëndetësi”, - tha Rama. Sipas tij, gjendja e rënduar ekonomike do të mbizotërojë edhe në 2010-n, ku do të kemi një vazhdimësi të zhvlerësimit të lekut dhe në rënie të hyrjes së valutës. “Shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve”, - u shpreh kryesocialisti Rama.
Dialogu
Kreu i PS-së, Rama, me këtë rast i ka dhënë një përgjigje edhe thirrjes së kryeministrit Berisha për dialog. Kryesocialisti është shprehur pro dialogut, por me kusht që ai të jetë i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë, dhe jo një dialog vetëm me synimin për të kthyer opozitën në Parlament. “Duhet ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në Parlament e për të rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj Republike”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ta harrojnë se e realizojnë dialogun duke bërë shfaqjen e përditshme banale të urtësisë për të larë gojën dhe për të thënë ja, ne duam dialog, po s’do opozita dhe duke vazhduar nga ana tjetër luftën vulgare me baltë kundër opozitës”. Ndërkaq, Rama u shpreh se Partia Socialiste nuk do të ndalet për hapjen e kutive, duke e cilësuar si gënjeshtër deklaratën e Berishës se këtë vendim e pengon Gjykata.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›