E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e Ashures, Presidenti Topi viziton Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e festës së Ashures. Pasi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe krerët e tjerë bektashinj, të cilët mikpritën kreun e shtetit gjatë kësaj vizite, presidenti Topi përcolli përmes mediave të pranishme urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ata ndodhen: “Pa dyshim që këtë urim e jap për të gjithë besimtarët bektashinj. Është një ditë e shënuar, dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilët festojnë festat e njëri-tjetrit. Është edhe në prag të festës së Vitit të Ri, kështu që jemi në një atmosferë festash. U urojmë të gjithëve të kenë paqe, harmoni, shëndet sigurisht, dhe besoj që të gjitha në funksion të një Shqipërie më të bukur!” - u shpreh Topi.

Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e festës së ashures

Kryeministri Berisha vizitoi dje në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Kryeministri Berisha i përcolli kryetarit të Kryegjyshatës Baba Dede Reshat Bardhi dhe të gjithë besimtarëve bektashinj urimet e përzemërta për këtë ditë të shenjtë, si dhe i uroi atyre festat e fundvitit. “Të gjithë bektashinjve shqiptarë i uroj nga zemra gëzuar këtë ditë të madhnueshme, ditë të bekuar, Ditën e Ashures. Kjo është një ditë për të shprehur nderimin më të madh për veprën e ndritur të bektashinjve në historinë tonë kombëtare, për ndihmesën e tyre të madhe në tolerancën fetare, por edhe atdhetarinë që ka karakterizuar në të gjitha kohërat bektashizmin shqiptar”, - u shpreh kryeministri Berisha.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›