E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e fundit e Hotel Dajtit

Lëngata arkitektonike e Hotel Dajtit /

Kur dhe si u konceptua hoteli më prestigjioz i Ballkanit oriental, i projektuar nga një mendje e ndritur e arkitekturës evropiane. Degradimi i qëllimshëm që pati këtë dhjetëvjeçar. Tani duan t'ia zhbëjnë identitetin, duke e kthyer në zyra ministrie. Por më përpara duhet një festë: Bienalja e Tiranës


Hotel Dajti, si një nga objektet e para që u realizuan e konkretizuan përgjatë aksit kryesor tiranas, ishte edhe i pari që filloi të mbushte në sens vertikal e volumor atë rrugë të gjerë e fillimisht absurde, e cila qysh herët preu në mes si me thikë Tiranën e vjetër, e hoqi vijën e parë drejt Tiranës së re. Kjo gjurmë apo shëtitore që gjente burimin në sheshin "Skënderbej" të saporiformuluar, më pas do të shtronte rrugën drejt "Oksidentit" në një trajektore vijëdrejtë kundrejt kodrave.


Pas planeve të para konceptuale e vizionare, ai që pa vërtet dritën e realizimit ishte i pari Plan Pjesor apo i njohur ndryshe si Plani i Qendrës (1939-'40), pararendës ky i fundit i atij më të gjerë Plan Rregullator i '42-shit.


Nuk kishte pothuajse asgjë tjetër ajo rrugë. Si objekte të brishta filluan të popullojnë horizontin vetëm disa vila tek-tuk nëpunësish administrate zogiste, e më pas, mes pluhurit të punimeve për realizimin e nënshtrimin e shtratit të ri të lumit-rrëke të Tiranës dhe urës së re që do të lidhte dy epoka, (sot-ura e mesit e bulevardit), mbiu në më pak se dy vjet ose më saktë, u vendos si të pluskonte në një oqean të trazuar optimizmi pro-italian, hoteli më luksoz që kishin parë deri atëherë sytë e Ballkanit oriental.


Dora arkitektonike ishte po e njëjta që kish konceptuar gjithë risitë. Ishte firma e njeriut që aktualisht ngelet arkitekti i ADN-së kurrizore të trupit të Tiranës.


Edhe sot e kësaj dite, nëse do të na duhet të flasim për arkitekturë, e të zgjedhim midis asaj të realizuar tashmë, madje edhe midis asaj që aktualisht qëndron ende për t'u realizuar në vizione konkursesh, kjo e para mbetet e vetmuar dhe e paarritshme. Gherardo Bosio 1903-1941. Apo më saktë, sipas siglës që mbart vetë projekti: Gherardo Bosio, Albertoni, Francesconi, 26 prill 1942, Tiranë.


Kur u firmosën të 10 fletët kryesore të projektit për Hotelin e Madh të Tiranës (të pagëzuar shumë shpejt si Hotel Dajti), arkitekti kryesor i tij tashmë kish vdekur.* (A. Giusti, Albania Architettura e Citta', Maschietto Editore 2006, Firenze)
Pavarësisht nga historia e tij e mëvonshme, edhe atëherë kur i përdorur si një oaz "i jashtëm", ku me bujarinë e sofrës shqiptare në dhomat e ambientet luksoze fshiheshin edhe çimkat e spiunazhit të sertë komunist, edhe atëherë, ky objekt, që realisht duket sikur s'i ka përkitur ndonjëherë tokës shqiptare, nuk e humbi shkëlqimin dhe sharmin e vet.


Madje, ai u dyzua katërcipërisht, njëherazi nga fluksi i jashtëm i të huajve, që përballej fillimisht me të në Tiranë përpara se të nuhaste apo thithte erën tradicional-komunisto-ballkanike, e deri tek fluksi "i brendshëm" i popullit tiranas, që e shndërroi atë me përfytyrimin e vet në një ikonë të paarritshme të një jete që mund të eksperimentohej vetëm nëpër filma, si të ishte një transoqeanik i vetmuar, në një lundrim imagjinar që do të mundësonte daljen e shumëpritur e të parealizueshme "jashtë vendit"... ose edhe njësoj sikur të ishte një udhëtim në kohë, nga ato që vetëm një gatxhet astronomik i fabrikuar nga NASA do të mund ta realizonte.


Edhe po të analizohet nga pikëpamja arkitektonike, ky hotel nuk ka për të pasur po të njëjtin efekt, të cilin ia dhuron vetë jeta apo përdorimi i një objekti të caktuar. Është ajo ç'ka në arkitekturë përkufizohet si "vlera e shtuar apo mbivlera e historisë", "gjurma apo pluhuri i kohës" që çuditërisht ia shton bukurinë arkitektonike një objekti.


Në analet e mbrojtjes dhe restaurimit, shpeshherë, një objekt i tillë përbën argumentin dhe kriterin më të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin e vlerave (pa cenime edhe nga ato më minimalet), brezave të mëvonshëm. Imagjinoni rrënojat e Romës së lashtë, (sa për të sjellë një shembull) apo objekte realizuar në aspekte kohore të ndryshme anembanë botës, që kanë akumuluar dhe ngërthyer një ngjarje në vetvete, madje ato vetë janë bërë ngjarje e pa të cilat edhe rrjedha e historisë nuk mund të kuptohet, se sa të vyera bëhen e mesa pasion tentohet të përjetësohet çdo fragment i tyre sado i vogël.
Një hulumtim i qartë argumentit që po shtjellojmë, mbase nuk i është bërë ndonjëherë, e mbase të gjithë flasin për rëndësinë e tij pa e njohur realisht.


Jo se unë synoj ta mbuloj me një shkrim të vetëm aty ky realisht do të duhej minimumi një tezë apo studim diplomimi, masteri, studime këto të pashkruara për gjithë arkitekturën shqiptare post 1912-ës e kontemporano-aktuale.


Por vetëm për një informim masiv për ata që realisht nuk dinë se çfarë ruan në ekzistencën e vet kjo godinë, në përshkrimin apo "listë-kontrollin" e saj, të shqitur totalisht nga simbolika e hedhur mbi të apo e lindur me të.


Sipas Rregullores Urbanistike, 9 janar 1940, miratuar e bashkëngjitur Planit të Qendrës, hoteli i ri përkufizohej me të gjitha kriteret arkitektonike e volumore të shpalosura qartë në këtë rregullore, duke patur parasysh lartësinë e gjerësinë e tij, në përpjesëtim e raport vizual me atë të rrugës (bulevardit), normat e kriteret e trajtimit të fasadës, të cilat do të reflektoheshin më pas edhe në objektet e tjera përgjatë rrugës.


Hoteli me 100 dhoma do të ndërtohet në Tiranë. Kështu deklaronte Bosio në 1939-ën, e po në të njëjtin vit pretendohej të nisnin edhe punimet e veprës që një vit më pas, saktësisht më 12 prill 1940, synohej të inaugurohej.


Hoteli realisht ka po aq ambiente sa deklarohen (më saktë 89 dhoma), ishte dhe është gjithashtu i pajisur me ashensor, dhe korpuse shkallësh adekuate për objekte të rangjeve të ngjashëm, i pajisur me salla pritjesh e darkimesh nga më luksozet e llojit dhe me një tavernë që funksionon çuditërisht edhe sot e kësaj dite.


E gjitha kjo e strukturuar sipas një volumetrie në formë L-je, ku notë e rëndësishme për kohën ishte orientimi i kënaqshëm lindje-perëndim, si dhe pajisja e interiereve me të gjitha kërkesat e luksit të kohës, dhomave me tualet të inkorporuar, sistem ngrohjeje të përgjithshëm, llozha të bollshme të pajisura me skerm mbrojtës të drunjtë, detaj dekori ky që ndihmonte edhe në konceptimin e fasadës.


Jo gjithkush mund të ketë bërë dy llogari për të mbërritur në përfundimin që, paçka kësisoj risish, hoteli në fjalë ishte edhe ndër veprat e para të realizuara nga Bosio, e si pasojë, edhe vepra e parë e racionalizmit italian të viteve '40-'50, të realizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Primati i tij kësisoj është i dukshëm.


Gjurma e re drejt europianizimit të Tiranës merrte që në lindje të saj fytyrën e Hotel Dajtit, një fytyrë të pastër vijëzimesh minimal puriste e metafizike, konceptuar si një mbivendosje e dy volumeve, njëri i zgjatur e i lartë dy kate, njëfarë bazamenti pra arkitekturor, mbi të cilin vendosej volumi i dytë, i tejshpuar dhe smaterializuar nga një përdorim kuadratik e rigoroz llozhash të shumta, në total 42 copë.


Në hyrje të tij, një portal i saposkicuar, një strehës më tepër se portal, që la gjurmë të shumta e mbase të pandërgjegjshme në arkitekturën e mëvonë shqiptare. (Për kuriozitet, edhe Hotel Tirana ka një portal hyrës të tillë të ngjashëm.)


Gjatë viteve të jetës së tij e më pas, rezymeja e degradimit që atëherë është e dukshme, por duhet theksuar që edhe në zhvlerësimin material të tij, ideja e integritetit dhe e identitetit të tij nuk ka pësuar dhe patur frikë ndonjëherë nga asnjë cenim. Po ashtu, edhe objektet e interierit që transportonte, si dhe ndonjë tentativë meremetimi më tepër se restaurimi, nuk kanë patur ndonjë teprim që do të shënonte një rrugë pa kthim.
Por historia më e zymtë e tij është ekzekutuar çuditshëm në këtë epokën e fundit, ose post traumatike-komuniste.


Atëherë kur dyert e ambasadave shpërthyen, tragetet apo skafet u nisën drejt perëndimit, në kërkim të ëndrrës, atëherë kur nuk ngeli godinë në këmbë pa u përmbytur nga vala revanshiste e informalizmit total, atëherë pra, kur së paku në ndërgjegjen kombëtare nuk kishte më nevojë për të pasur një Hotel Dajti.
Gjithsesi, mbajtja në jetë si i tillë (si hotel) mbase ishte edhe vetë thelbi i gjësë, i ruajtjes ose i mbijetesës në këtë rast.


Dhe zgjati edhe për disa vjet, deri kur në një moment të caktuar, viti 2006, ose katër vjet përpara, hidhet iniciativa për shndërrimin e tij jo më pak se në një objekt-godine administrative, e as më shumë e as më pak se në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.


Atëherë kur më tepër se kurrë ishte i mundur një restaurim, ripristimin, vënie në punë, e ripërdorim, atëherë propozohet edhe e pamundura, ku bashkë me transformimin e paevitueshëm të zgjidhjes së brendshme arkitektonike, asgjësohet njëherë e mirë edhe vetë identiteti i godinës.


Nuk është e rastit që iniciativa të tilla të pashpresa, absurde dhe qesharake, mblidhen e përpunohen, e më pas shfaqen pa ndonjë ritëm kohor në kohë e pa patur mundësinë e nënkuptimit të ndonjë filozofie paraprake apo mendje përpunuese, që hedh mendime të tilla, duke patur një dizenjo apo ndonjë plan të mirëfilltë.


Sado të rastit që mund të duken në vështrim të parë, të bën të mendosh fakti që të gjitha këto tentativa përmblidhen në një zonë specifike të Tiranës, përqendrohen në qendër të saj e godasin herë pas here objekte administrative, publike e përfaqësuese jo vetëm tiranase, por mbarëkombëtare. Duke bërë një bilanc të skajshëm e disi edhe të përciptë, jo fare pak objekte që përfaqësohen në bulevard kanë patur pak a shumë një shans të tillë.


Le të përmendim këtu konkursin megaloman për rikostruksionin dhe zgjerimin e ish-Komitetit Qendror, sot Parlamenti Shqiptar, përçudnimi i vazhduar e i pacak i ish-Piramidës, që sot mezi sapo presim ta shikojmë kryekëput të transformuar, Hotel Tirana apo 15-katëshi me makiazhin e tij allaitalian, që iu aplikua ndërsa privatizohej, tentativa anadollake e heqjes së mozaikut në fasadën (fytyrën) kryesore të Muzeut Kombëtar, dorëheqjes pa kushte dhe shndërrimit në një fierë pa fund e krye e ish-Pallatit të Kulturës që sot fare bukur mund të quhet "pallati i kulturës italiane", konkursit të shumëpritur të bankës tregtare kombëtare, apo çikonizimit të pashoq që vazhdon të aplikohet në kompleksin arkitektonik monumental të sheshit "Nënë Tereza" me gjithfarë shtesash universitare e jouniversitare, të shëmtuara e pa sens, fierizimit të skajshëm prej "pazari maroken" të ish-Pallatit të Kongreseve ose pallati i tezgave, e të tjerë në vazhdim.


Të vetmet që ruajnë njëfarë autonomie e shëndeti janë edhe ato ndërtesa të rrethuara e bastionuara dukshëm si Presidenca e Kryeministria, të vaksinuara përkohësisht nga muri rrethues prej vile ekskluzive mu në mes të Tiranës.


Por, godina më e keqpërdorur e kësaj liste të gjatë, dhe padyshim ajo që rrezikon të bëhet edhe shembulli i parë konkret i keqtrajtimit arkitektonik e figurativ deri në humbje totale të pasurisë arkitektoniko-historike kombëtare, është padyshim Hotel Dajti.


I lënë në harresë, ai pëson dita-ditës një lëngatë të gjatë, sa groteske aq edhe parazitare. Shumëkush kalon aty e ndjen frikshëm sensin e orës që ka ngecur e njëlloj atmosfere prej vrime të zezë kozmike që ka kredhur çdo gjë rreth saj në zymti e natë.


Dhe kështu jemi mësuar ta shikojmë e ta pranojmë, ndonëse "zërat" që dëgjohen herë pas here janë se, studiozë me famë botërore, po e analizojnë. I kanë hyrë në bark, aty ku prej kohësh nuk ka hyrë askush dhe po e vizitojnë. E herë pas here del ndonjë "studim vizibiliteti e analize", fjalë të mëdha për një gjest që është aq i thjeshtë e i ndershëm e që ka veç një emër: humbje apo vdekje.


E kështu e njohim përditë, gjithnjë e më shumë në harresë, deri kur papritur e pakujtuar, së bashku me mbërritjen e tij në skenë, vjen edhe një pjesëtar i munguar i jetës kulturore-metropolitane shqiptare, si evenimenti i shumëpritur dhe i tejpërfolur, Bienalja e Tiranës.


Ndonëse shtrati fillestar dhe përfaqësues i saj është një godinë e mirënjohur dhe e dashur si Galeria Kombëtare e Arteve, kësaj here, mbështetur edhe në një perceptim filozofik, që me të drejtë kërkon të ngrejë dilema e të debatojë në gjuhë figurative për artin dhe arkitekturën në përgjithësi e në Shqipëri, është menduar që kësaj here ekspozita të bëhet pikërisht në ambientet e Hotel Dajtit.


E reklamuar si kornizë për diskutimin figurativ, pavarësisht mendimeve pro ose kundër të një iniciative të tillë, së paku, mund të jetë një moment i duhur, kur një herë e mirë të thyhet heshtja dhe të flitet.


Pavarësisht se panaire të tilla zhvillohen ose parapëlqejnë arkitektura të braktisura, mundësisht kapanone industriale apo fabrika, salla të mëdha të mbyllura, është ironike deri në sarkazëm dhe njëherësh për të ardhur keq, që në këtë rast, nuk qenka fare e nevojshme të shkosh larg, pasi një kapanon të tillë gërmadhe e paskemi këtu, mu në zemër të Tiranës, një dinozaur të kohëve të shkuara, që megjithëse ka humbur shkëlqimin, ka ende forcë të shërbejë së fundmi edhe si karkasë ekspozimi.


Në qoftë se do t'i gjeja një perifrazim kësaj lloj feste, asgjë nuk do të më bindte dhe të më dukej më e përshtatshme sesa ideja e darkës së fundit...


Dhe tani të presim për gjetjen e fundit, ku hoteli (më pëlqen në këtë rast asocimi me termin han) do të përdoret për ekspozimin e një bienaleje në tentativën e dyzuar të "rivlerësimit" të një ikone arkitektonike, me gjithë përtëritjen psikologjike që ajo shpreson të mbartë, por që nuk i shpëton dot shëmbëllimit me një lloj parade kitch-antiklasike-klasi, një snobizmi të tejkaluar dhe stampës prej një apologji-bamirësie.


Ne e dimë fare qartë që vetëm pak vite më parë, në një mënyrë aspak ortodokse e mes një buje e zullumi të parfumuar me erë "kauri" apo prej Ministrie të Jashtme të Shqipërisë, këtij dinozauri që po jep shpirt, iu injektua apostafat, ftohtë, pa hezitim, e me ndërgjegje, vetë helmi vdekjeprurës.
Arkitekte


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›