E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e gabuar fiton konkursin e dramës shqipe

Teatri Kombëtar Bordi artistik përzgjodhi dramatizimin e Fatos Haxhiraj mbi romanin e Kadaresë

I mbledhur mbrëmjen e së enjtes, bordi artistik i Teatrit Kombëtar ka zgjedhur veprën fituese të konkursit të dramës shqipe. Bordi ka gjykuar se dramatizimi i romanit të Ismail Kadaresë, “Darka e gabuar”, nga Fatos Haxhiraj, ka qenë prurja më e mirë. Ftesës së Teatrit Kombëtar në muajin dhjetor drejtuar bashkëpunëtorëve të tij për të sjellë krijimet më të fundit i janë përgjigjur 16 krijues, mes të cilëve Teodor Laço, Pirro Mani, Arqile Nasho, Arben Iliazi, Ferdinand Hysi, Stefan çapaliku, Vangjush Popli, Rruzhdi Pulaha, Josif Papagjoni, Sheri Mita, Pëllumb Kulla, Vladimir Lule, Thanas Borodani, Gëzim Alpion. Veprat janë marrë në shqyrtim gjatë dy mbledhjeve të bordit artistik (në përbërje të së cilit janë Adriatik Kallulli, Agim Zajmi, Petrit Malaj, Artan Minarolli, Altin Basha, Genc Sharku dhe Kristaq Skrami). Ndonëse këto kohë është folur vazhdimisht për krizë të dramës, bordi i ka vlerësuar cilësore prurjet e këtij konkursi. Sipas njoftimit për shtyp të TK-së, drama e Fatos Haxhirajt është zgjedhur në unanimitet për “origjinalitetin, enigmën, thrillerin dhe gjuhën e përzgjedhur” . Kjo vepër do ta përfaqësojë Teatrin Kombëtar në “Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës”, që do të mbahet në maj në TK për nder të jubileut të 65-të të themelimit të këtij institucioni. Me këtë rast, këtë vit ky festival do t’i kushtohet dramaturgjisë kombëtare. Aktiviteti do të zhvillohet në fund të muajit maj me pjesëmarrjen e trupave profesioniste nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. “Darka e gabuar” do të vihet në skenë me rastin e këtij aktiviteti.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›