E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokali në shkollë, baristja dru mësueses përpara nxënësve

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës në ambientet e shkollës “Ramazan Jarani” në kryeqytet

Një mësuese është dhunuar në krye të detyrës pak pasi ajo ka hyrë të zhvillonte orën e mësimit me nxënësit e saj. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jarani”, në rrugën “Niko Avrami”, disa metra larg Akademisë së Mbrojtjes. Mësuesja e fizkulturës Valbona H., nuk iu ka besuar syve kur mbi të është derdhur një lum të sharash dhe nga moria e grushteve “dhuratë” e një tjetër gruaje ka pësuar hematoma. Policia tha se Donika D., e cila ka me qira brenda ambienteve të shkollës një lokal, është autore e skenës së parë nga të miturit që kanë dalë në mbrojtje të mësueses së tyre. Gjithçka lidhet me reagimin e mësimdhënëses pas ankesës së disa prindërve për servirjen e asortimenteve që disponon lokali në klasat e para në minutat e pushimit të gjatë. Fëmijët që nuk e kishin mundësinë për të blerë ashtu si bashkëmoshatarët e tyre detyroheshin ose t’u merrnin prindërve restot e pazarit ose të shënonin emrin në listë me justifikimin se shlyerjen e detyrimit do ta bënin prindërit. Këto fakte duket se i kanë vënë në siklet prindërit, sepse si në rastin e marrjes së lekëve fshehurazi, ashtu edhe në shënimin e emrit në listë, veprime që nuk i kishin bërë më parë, fëmijët i kanë turpëruar. Dikush e ka parë të udhës të flasë me mësuesen e fizkulturës, e cila menjëherë në bisedë kolegësh e ka referuar shqetësimin tek eprorët e saj. Gjithçka e thënë në mirëbesim duket se është marrë vesh nga baristja e bujtur e shkollës. Më pas gjithçka ka dalë jashtë logjikës së saj femërore. Dhunimi i mësueses iu referua uniformave blu, të cilët ndoqën procedurat e zakonshme për ta regjistruar atë si fillesat e nisjes së një procedimi ndaj autores së ngjarjes.

Denoncimi

Dëshmitarët thanë se në harkun kohor të disa minutave u pa ajo që rrallë ndodh mes dy grave. Në mungesën e plotë të arsyes, sharjet dhe më pas dhuna kanë shokuar mësuesen e nxënësit. Fëmijët panë me sy skenën e papërshtatshme për moshën e tyre. Ka qenë mësuesja ajo që edhe pse u dhunua ka njoftuar për sa ndodhi uniformat blu. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ia behën në ambientet e shkollës dhe kanë marrë me vete dy gratë e përfshira në konflikt, disa mësues e nxënës për të dhënë shpjegime rreth asaj që ndodhi. Dëshmitarët kanë dhënë deponimet e tyre për inspektorin e krimeve, i cili më pas ka marrë denoncimin e mësueses, duke regjistruar kallëzimin për pronaren e barit me qira. Për të kopsitur ankimimin e saj mësuesja është paraqitur në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore duke iu nënshtruar ekzaminimit. Ekspertët mjekoligjorë kanë shquar tek e dëmtuara hematoma dhe në përfundim ata kanë vendosur që t’i japin asaj nëntë ditë pushim. Gruaja e barit, që ishte edhe protagoniste e ngjarjes, ka shfaqur pendesë për veprimin e kryer, por tashmë ishte tepër vonë, pasi uniformat blu duhet të nisin hetimet për veprimin e saj. Madje, ajo nuk ka ngurruar të kërkojë të falur vetëm e vetëm që çështja të mos i kalojë prokurorisë, sepse akuza që rëndon mbi të e lë pas hekurave 7-13 vjet.

Problemi

Lokali në ambientin e shkollës u bë kësaj here burim i një ngjarjeje. Vënia në dispozicion e privatit të një ambienti publik nuk është praktikë e zbatuar në të gjitha shkollat. Rasti në fjalë është më flagranti që ka ndodhur deri tani. Ambientet e mësimdhënies nuk mund të zëvendësohen me bare me qira për privatët. Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici mësuesja e fizkulturës, nuse në derën e një prej familjeve më të dëgjuara të Tiranës, ka transmetuar tek eprorët e saj një shqetësim të prindërve në lidhje me ushtrimin e aktivitetit privat në shkollë. Ata i kishin besuar mësimdhënëses veprimet shqetësuese të fëmijëve të tyre, që për të mos u ndier ndryshe nga të tjerët në kohën kur baristja shkonte nëpër klasa për t’iu ofruara produkte ushqimore, i merrnin lekët pa leje nga shtëpia ose më keq akoma, shënonin emrin kur nuk kishin arritur të realizonin marrjen e të hollave. Mësuesja e fizkulturës, njëkohësisht nënë, ka referuar bisedat e bëra me prindërit e fëmijëve në mirëbesim të eprorëve pa e menduar se fjalët e saj do të shkonin në veshin e pronares së barit. E kontaktuar nga gazeta, mësuesja u shpreh se nuk kishte asnjë konflikt të mëparshëm me baristen, madje nuk e priste reagimin saj në atë mënyrë. Më e lënduar është për faktin se si një bisedë informuese me eprorët u kthye në një ngjarje të përcjellë tashmë në polici. Për arsye të rrethit të saj, emrit të familjes, ajo nuk dëshiron ta çojë këtë çështje më tutje, por do të mjaftohet me ndjesën publike që baristja do t’i kërkojë në mbledhjen e këshillit pedagogjik të shkollës në prezencën e të gjithë kolegëve. Nëse do të ndodhte ndryshe, gruaja e barit do të përfundonte pas hekurave për dhunimin e mësueses në krye të detyrës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›