E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karl Rove, Truri i Bushit, ngulmon: Mbytja në ujë nuk është torturë

Intervista Ish-këshilltari politik i Presidentit: Historia do të na vlerësojë për luftën në Irak

Ish-këshilltari kryesor i ish-presidentit amerikan, Bush, zoti Karl Rove, ka deklaruar se ishte “krenar” për përdorimin e teknikave dhe metodave të ashpra të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm nga ana e hetuesve amerikanë. Veçanërisht ai e kishte fjalën për teknikën e shumëdiskutuar të “mbytjes me ujë”. Rove, strategu republikan i njohur më mirë si “Truri i Bushit”, tha në një intervistë të fundit se nuk besonte se lloji i torturës së sipërpërmendur, apo të tjera mënyra të ashpra të marrjeve në pyetje, mund të konsideroheshin “tortura”. “Unë jam krenar që kemi përdorur teknika që kanë thyer vullnetin e këtyre terroristëve dhe që na kanë dhënë një informacion shumë të vlefshëm për të zbuluar shumë komplote potenciale ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera”, ka deklaruar Rove. “Po, jam krenar që ne e ruajtëm botën dhe e bëmë shumë më të sigurt nga sa ishte përmes përdorimit të këtyre teknikave. Ato ishin të duhurat dhe në përputhje me ligjet e Amerikës”, ka vazhduar Rove. Ai ka botuar së fundmi edhe një libër me kujtime, “Kurajo dhe pasoja”, në të cilin argumenton se historia do ta vlerësojë Bushin dhe presidencën e tij, veçanërisht për sa i takon vendimit për sulmin në Irak. Ai e quan pushtimin e këtij vendi nga amerikanët në vitin 2003 si një akt që pati shumë pasoja për presidencën e Bushit, por që ishte i justifikueshëm pas sulmeve të 11 shtatorit, edhe pse Bin Laden dhe Sadam Huseini nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin. Sipas tij, imazhi i administratës u dëmtua nga dështimi i gjetjes së armëve të dënimit në masë që supozohej se i kishte Sadami në Irak. Ai fajëson veten e tij, si këshilltari kryesor politik i Bushit në atë kohë, që nuk iu kundërpërgjigj siç duhej pretendimeve se Bush nisi një luftë mbi baza të rreme. Pikërisht metoda e “mbytjes në ujë” është një nga më të debatuarat dhe konsiderohet si një torturë nga shumë grupe të të drejtave të njeriut. Ajo është edhe një nga aspektet më të errëta të luftës kundër terrorizmit. Përdorimi i një teknike të tillë u mohua nga shefi i atëhershëm i CIA-s, Hyden, i cili në një deklaratë publike në vitin 2008 tha se teknika ishte përdorur vetëm ndaj tre të akuzuarve më të rëndësishëm të Al Kaedës dhe pas vitit 2003 nuk ishte përdor. Kjo më pas nuk doli të ishte e vërtetë. Megjithatë, për ish-këshilltarin e Bushit kjo lloj teknike nuk është aspak torturë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›