Darka e gabuar në skenën teatrore, një autopsi e diktaturës komuniste
Darka e gabuar e Ismail Kadaresë është dramatizuar për ardhur në skenën e Teatrit Kombëtar. Premiera teatrore pritet të vijë për publikun në skenë gjatë muajit maj. Pas konkursit për përzgjedhjen e pjesëve, me qëllim Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe,
romani i Ismail Kadaresë, i kthyer në dramë nga Fatos Haxhiraj, është shpallur fitues. Dje në mjediset e Teatri Kombëtar, vetë regjisori, duke prezantuar kastin e aktorëve, u shpreh se personazhet e shkrimtarit të njohur gërshetojnë të gjitha gjinitë e artit skenik. Pak ditë pas shpalljes si fitues nga bordi i teatrit ai ka mbledhur të gjithë aktorët që do të jenë pjesë e këtij dramatizimi, duke parë në sy edhe riskun që mbart çdo dramatizim i një vepre që është lexuar dhe pëlqyer shumë. Një rikthim pas dy vjetësh në skenën e Teatrit Kombëtar do të jetë kjo dramë për aktorin e njohur të skenës dhe filmit shqiptar Ndriçim Xhepa, në rolin e kolonelit gjerman. Bujar Asqeriu, Artan Imami, Naum Shundi, Erjona Kakeli, Mehdi Malkaj, Mehmet Pasha, Marjana Kondi etj, janë aktorët e tjerë të përzgjedhur për personazhet e veprës Darka e gabuar, që do të ngjitet në skenë edhe në kuadër të 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. E solla këtë vepër teatrore, sepse atje ka personazhe që mund ti krahasosh me veprat e Shekspirit. Për shembull finalja e doktorit është, si ta them unë, njësoj si finalja e mbretit Lir, shprehet Fatos Harxhiraj, dramaturg. Darka e gabuar, që pritet të ngjitet në skenë në maj me kostumografinë e Blagoj Micevskit dhe skenografi të Taulant Pustinës në kuadër të festivalit të dramës shqipe, deri atëherë jo vetëm publiku, por edhe vetë shkrimtari Kadare do të presin rezultatet e një dramatizimi. Duke folur më tej rreth veprës teatrore regjisori Fatos Haxhiraj,tregon se sa i takon platformës regjisoriale, kjo pjesë ka në skenë shumë personazhe dhe ne kemi të bëjmë me një trajtim ndryshe të saj. Tragjedia e veprës janë disa dënime absurde, që janë bërë, pohon regjisori. Eventi teatror do të zhvillohet në fund të muajit maj 2010 me pjesëmarrjen e trupave profesioniste nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Përzgjedhja e dramës që do të vihet në skenë me rastin e këtij eventi shumë të rëndësishëm u bë pas një ftesës që Teatri Kombëtar i bëri në muajin dhjetor të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në vite, për të sjellë krijimet më të fundit. Deri në datë 20 shkurt u dorëzuan 16 drama nga autorët: Teodor Laço, Pirro Mani, Arqile Nasho, Arben Iliazi, Ferdinad Hysi, Z.S. Di Magio-Veprat, Fatos Haxhiraj, Stefan Çapaliku, Vangjush Popli, Ruzhdi Pulaha, Josif Papagjoni, Sheri Mita, Pëllumb Kulla, Vladimir Lule, Thanas Borodani, Gëzim Alpion. Pas leximit të veprave Bordi Artistik vlerësoi prurjen shumë të lartë dhe cilësore të veprave të dramaturgëve shqiptarë, duke falënderuar për kontributin e dhënë nga të gjithë autorët për zhvillimin e mëtejshëm të dramaturgjisë kombëtare. Bordi artistik i Teatri Kombëtar përbëhet nga: Adriatik Kallulli, Agim Zajmi, Petrit Malaj, Artan Minarrolli, Altin Basha, Genc Sharku dhe Kristaq Skrami. Ky bord ka zhvilluar dy mbledhje për të miratuar dramën fituese. Në unanimitet me të shtatë votat e anëtarëve të bordit u përzgjodh si fitues dramatizimi i romanit të I.Kadaresë Darka e gabuar, nga Fatos Haxhiraj si vepra më cilësore dhe më e arrirë. Kjo vepër u dallua për origjinalitetin, enigmën dhe gjuhën e përzgjedhur.
Ndriçim Xhepa: Një vepër, që të jep mundësi regjisoriale dhe aktoriale
Projekti duket se ka siguruar që në fillesë mbështetjen e aktorëve, pasi vetë vepra siç shprehet dhe aktori i njohur Ndriçim Xhepa është një vepër, që ka ngjallur kureshtje dhe admirimin e lexuesve, por edhe është e përshtatshme për tu dramatizuar apo edhe për tu bërë film. Është nga veprat me një prekshmëri të dallueshme, e cila jep mundësi dhe regjisoriale dhe aktoriale. Arsyeja që unë jam këtu ka të bëjë dhe me faktin që unë kam punuar me të dhe për vepra të tjera teatrore. Nga Haxhiraj unë jam angazhuar dhe më parë, që në hapat e mia në teatër. Kur njeriu ka dëshirë që të vlerësojë mbetet përshtypja dhe mbresa, tha aktori i njohur Ndriçim Xhepa.
Artan Imami: Hetuesi, më riktheu në skenë pas 10 vitesh
Kjo vepër si dhe ftesa e Fatos Haxhirajt kanë bërë që edhe një aktor si Artan Imami prej shumë vitesh larg skenës së teatrit ti afrohet asaj pikërisht si një prej protagonistëve të këtij projekti ambicioz. Nuk jam ngjitur në skenë se nuk kam qenë afër skenës. Vendosa të kthehesha, se është një fat i madh për mua të luaj një vepër të Ismail Kadaresë, aq më tepër që është një kënaqësi e pafund që do punoj me Fatos Haxhirajn, por kjo vepër nderon edhe Teatrin Kombëtar. Unë këtu interpretoj rolin e hetuesit, për mua është nj fat por dhe një përgjegjësi e madhe. Unë e vlerësoj regjisorin Haxhiraj dhe më vjen mirë që TK vendos vepra të tilla në skenë. Them se do të ketë emocione, pasi unë rikthehem pas 10 vitesh në skenën teatrore, u shpreh aktori Artan Imami.
Nga Julia Vrapi