E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Spastrime" në Ministrinë e Drejtësisë, largohen 20 punonjës

LETRA
Ndërkohë që Ministri firmos largimin e punonjësve nga puna, DAP-i, merr në punë me kontrata pune 12 punonjës të tjerë


Të larguarit pjesë e dikasterit para vitit 2005, i nisin një peticion Berishës, Nishanit dhe selive të huaja diplomatike në vend


TIRANË- Tashmë është bërë e udhës prej kohësh që me ndryshimin e ministrit në çdo institucion duhet të ndryshojë edhe struktura e organika e dikasterit. Kështu ka ndodhur në të gjitha ministritë pas vitit 2005, si dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke vazhduar kjo rrugë edhe në Ministri të Drejtësisë.


Ky institucion, ka rekordin e ndryshimeve në strukturë dhe organikë, pasi që nga 2005 deri në shkurt 2010 janë ndryshuar katër ministra dhe secili prej tyre ka riorganizuar institucionin.


Po kështu, vetëm pak ditë më parë, me propozim të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, kryeministri i vendit firmosi miratimin e strukturës dhe organikës së këtij dikaster me 122 punonjës nga 136 që kishte më parë. Ky ristrukturim është prezantuar nga drejtuesit e dikasterit të drejtësisë si reformë, por qëllim duket se është largimi nga detyra e disa punonjësve të saj.


Me urdhër të ministrit Nishani, gjatë ditës së djeshme janë liruar nga detyra duke u nxjerrë në listë pritjeje 20 punonjës. Të gjithë këta punonjës njihen si të punësuar para korrikut të 2005-së, çka lë shijen e largimeve politike.


Ky lirim nga detyra, mësohet se është justifikuar nga drejtuesit e ministrisë me shkurtimin e organikës. Këta të fundit, nëpërmjet një letre të hapur, iu janë drejtuar kryeministrit Sali Berisha, Avokatit të Popullit, ministrit Nishani, si dhe zyrave e ambasadave të huaja të akredituara në vend.


Në të ata informohen për shkeljen e të drejtës së tyre dhe statusin e nëpunësit civil. "Në zbatim, jo korrekt, të kësaj strukture, janë larguar nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë dhe janë vendosur në listë pritjeje 20 punonjës, me justifikimin se vendet e tyre te punës janë suprimuar pas riorganizimit.


Shumica e këtyre pozicioneve janë vakantë, por iu është ndërruar emërtimi i sektorit apo drejtorisë përkatëse"- thuhet në letrën e firmosur nga 20 punonjësit e liruar nga detyra.


Madje këtyre të të fundit dje në mbrëmje, iu janë bllokuar edhe kartat (leje kalimet) e hyrjes në Ministri. Sipas të larguarve, mësohet se në zbatim të strukturës së re, Departamenti i Administratës Publike (DAP-i) ka konfirmuar si nëpunës civile pas ristrukturimit vetëm 41 punonjës të kësaj ministrie ndërkohë struktura e re ka 122 punonjës.


"Nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se në Ministrinë e Drejtësisë, janë më shumë se 60 vende pune të lira, ndërsa nga ana tjetër, DAP-i miraton daljen në listë pritje të 20 punonjësve. Ndërkaq, DAP-i, ka miratuar ndërkohë edhe emërime të përkohshme në detyrë me kontrata pune për 12 punonjës",-thuhet në letër, duke shkelur ligjin e statusit të nëpunësit civile, pasi vendet e lira i ofrohen më parë personave që janë në listë pritjeje.


Sipas firmëtarëve, veprimet e tilla të DAP-it janë kthyer në mbrojtës të listës së punonjësve të rinj që priten të sistemohen në vendet që janë vakante apo të personave të marrë me kontratë pune, duke shkelur hapur ligjin dhe kthyer në një vegël në duart e titullarëve të institucioneve qendrore.


Sipas të liruarve nga detyra, shumica e tyre kanë qenë prej vitesh pjesë e dhënies së mendimeve, hartimin apo draftimit të akteve ligjore dhe nënligjore, janë përfshirë në përpunimin e dosjeve për dëmshpërblimet financiare të ish-të dënuarve politikë, kanë qenë pjesë e stafit për plotësimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Bashkimit Evropian, duke dhënë kështu ndihmën e tyre për mirëfunksionimin e institucionit në përmbushjen e detyrave të tij funksionale.


"Në emër të "reformës" drejtuesit e këtij dikasteri po bëjnë presione nga më të ndryshmet psikologjike që në rast kundërshtimi të largohen nga detyra apo të merren masa fiktive ndaj tyre për të bërë të mundur largimin nga shërbimi civil.


Për të gjitha këto është njoftuar me SMS dhe në mënyrë elektronike edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe nuk kemi asnjë përgjigje"-thuhet nga firmtarët e letrës 7 faqesh, të argumentuar edhe me baza ligjore shkeljet flagrante të ligjit për lirimin e tyre, duke njoftuar se po përgatisin një kallëzim penal ndaj drejtuesve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe DAP-it.


VENDET E LIRA NË MINISTRI TË DREJTËSISË:

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit janë aktualisht këto pozicione të lira:
Drejtori i Hartimit dhe Përafrimit të Legjislacionit;
Përgjegjës në Sektorin e Hartimit të Legjislacionit;
Përgjegjës në Sektorin e Mendimit Juridik;
Përgjegjës i Sektorit të Drejtësisë për të Mitur dhe të Drejtës Familjare;
Specialist në Sektorin e Drejtësisë për të Mitur dhe të Drejtës Familjare;
2 vende për Specialist në Sektorin e Kodifikimit.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë:
2 vende për Inspektor në Sektorinë e Inspektimit të Çështjeve të Pronësisë;
1 vend për Inspektor në Sektorin e Inspektimit të Zbatimit të Drejtësisë;
Përgjegjës i Sektorit të Inspektimit të Zbatimit të Drejtësisë;
3 vende në Sektorin e Organizimit dhe Trajnimit Gjyqësor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›