Studioja turke do fitojë projektin për zgjatimin e bulevardit

Projekti i DAR
Shfaqja e Bashës: Juria vendosi për dy projekte. Tani fjalën e fundit e ka këshilli bashkiak. Firma turke ishte projektuar që në fillim si fituese. Ajo është pjesë e një grupi turk me disa investime në Shqipëri, e cila ka punësuar të shoqen e Bashës për të menaxhuar fondin e marketingut
Burimet e gazetës Tema kishin bërë me dije që dje që studio TAR Group Turqi dhe Britani e Madhe do të fitojë projektin për shtrirjen e bulevardit drejt Paskuqanit.
Të premten paradite, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha doli përpara kamerave. Në sfond i qëndronte juria e konkursit për zgjatimin e bulevardit. Foli e foli dhe në fund tha se pas tetë orësh diskutime, juria nuk kishte shpallur asnjë fitues, por kishte lënë dy projekte… barazim. Mes dy projekteve edhe ai i studios turke TAR Group. Me buzëqeshjën e tij të shtirur, kryebashkiaku që nuk i mori askujt mendim për këto projekte, tha se tani e tutje do jenë qytetarët që do dëgjojnë se kush nga këto dy firma ka projektin më të mirë. Në fund do të vendosë… Njazi Kosovrasti dhe Këshilli Bashkiak.
Pas rreth 8 orë diskutimesh intensive, juria në përbërje të së cilës ishin personalitete të arkitekturës dhe urbanistikës nuk ka arritur të përzgjedhë një projekt fitues për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Projektet e studiove Grimshaw dhe DAR kanë marrë të njëjtën mbështetje, nga juria e përbërë nga Daniel Libeskind, Kryearkitekti i Studios Daniel Libeskind Prof. Dr. Sarah Whiting, Dekane e Shkollës së Arkitekturës, në Universitetin Rice, SHBA, Giles Robin Dolphin, Ish-Kryeurbanist në Londër, MB Dr. Philipp Rode, Drejtor Ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër për Qytetet, Prof. Dr. Agron Lufi, Pedagog në Fakultetin e Arkitekturës, në Universitetin e Tiranës, Apollon Baçe, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës Flamur Kuçi, Këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe urbanist i njohur, Ulrike Bega, Këshilltare e Kryetarit të Bashkisë, Shqipëri.
Për këtë arsye, të dy studiot vazhdojnë të jenë në konkurim. Projektet do të ekspozohen para qytetarëve të Tiranës, grupeve të interesit, para organeve vendimmarrëse, nga Këshilli Bashkiak i Tiranës tek Këshilli i Rregullimit të Territorit. Të gjitha pyetjet apo çështjet që kërkojnë një detajim të mëtejshëm do u dërgohen këtyre dy studiove dhe në varësi të përgjigjeve, do të vendoset se cili nga projektet do të implementohet në Tiranë, tha Basha.
Pas një shfaqje me publik e me të ashtuquajturat grupe interesi fituese do të shpallet kompania turke TAR Group, e cila i ka gjetur me kohë lidhje me Bashën. TAR është pjesë e një kompanie të madhe turke me disa projekte në Shqipëri, e cila duket se do fitojë edhe projektin për tramvajin në Tiranë dhe që tani ka punësuar bashkëshorten e Bashës, Aurelën për të menaxhuar fondin e marketingut të saj. Marketingun e kompanisë e bën e njëjta firmë që ka organizuar fushatën elektorale të Bashës dhe që u përfshi së fundmi në skandalin e ndërtimit të një fshati turistik në rrugën pedonale Murat Toptani.
Zgjerimi i bulevardit ka vetëm një synim: të hapë një front të ri për ndërtime pallatesh në një zonë ende të paprekur nga kjo epidemi. Zona pas Stacionit të Trenit ka kohë që lakmohet për këtë qëllim.