E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Përmetit në 97, 15 vjet pa u dënuar autorët

Share

Bashkia e qytetit të Përmetit organizoi sot ceremoninë përkujtimore në nderim të 6 qytetarëve të pafajshëm të cilët në mënyrë barbare u ekzekutuan afër qendrës së qytetit më 9 mars 1997.

15 vjet më parë banorët e një prej qyteteve më të qetë e më të kulturuar kishin dalë në një protestë paqësore për ti kërkuar qeverisjes  së asaj kohe paratë e humbura në skemat piramidale. Njëkohësisht kërkohej edhe largimi i trupave ushtarake dhe vullnetarëve të ardhur nga Veriu.

15 vjet më parë mbeti i vrarë në mënyrë misterioze edhe kryetari i PD-së së rrethit Tomor Mullaraj, i cili asaj kohe kërkonte me ngulm largimin e paramilitarëve të pushtetit nga qyteti dhe rrethinat.

Ceremonia e sotme ishte një pëshpëritje për shpirtrat e të rënëve e mes muzikës klasike funebre u vendosën lule dhe kurora në Obeliskun e Zi pranë vendit ku u vranë.

Megjithëse organizimi perfekt i Bashkisë nuk linte vend për dallime politike e hakmarrje, u vu re mungesa e liderëve lokalë të Partisë Demokratike, LSI-së dhe Prefekturës së Gjirokastrës.

Porositë e ardhura nga Tirana ua ndalonin rreptësisht pjesëmarrjen megjithëse i ndjeri Tomor Mullaraj është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar asnjë nga organet kompetente kushtetuese si policia apo prokuroria nuk kanë tentuar zbardhjen apo hetimin e kësaj ngjarjeje.

Në një prononcim për mediumet lokale, kryebashkiaku përmetar Gilberto Jaçe u shpreh se memoria kolektive nuk mund ti fshijë asnjëherë qytetarët e thjeshtë dhe kujtoi se Përmeti pavarësisht tolerancës gjenetike, fal por kurrsesi nuk harron krime të tilla mizore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›