E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashi: Gati kontratat, 60% më shumë fonde për ilaçet



Pas ankesave të dhjetëra pacientëve për mungesa të ilaçeve, Drejtoria e QSU sjell një lajm të mirë. Brenda pak ditësh do të nisë furnizimi i pavijoneve me të gjithë gamën e barnave. Për gjysmë mujorin e dytë të këtij viti, duket se spitali më i madh në vend nuk do të ketë më probleme. Fondi për medikamentet është rritur deri në 60%, sidomos për citostatikët. Kreu i spitalit "Nënë Tereza" tha dje në një konferencë për shtyp se tashmë kanë përfunduar tenderimet dhe po lidhen kontratat me firmat farmaceutike". Rreth 60 % e buxhetit total të QSUT, këtë vit do të përdoret për barna, shifër kjo më e larta ndër spitalet. Lista e barnave është tenderuar e para si procedurë, në bazë të kërkesave të shërbimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Si rezultat i samësipërm, këtë vit do të kemi furnizim më të mirë me ilaçe në krahasim me vitet e tjera", tha Dashi. Ai shtoi se lista e medikamenteve spitalore këtë vit është më e gjerë si gamë, me sasi më të mëdha në krahasim me vitet e tjera dhe në përmbajtje të listës ka ilaçe terciare, në përshtatje me natyrën e shërbimit tonë spitalor. Citostatikët janë 60 % më shumë, po kështu edhe paketa bazë e barnave është 40 % në rritje. Sipas Dashit, mungesat e hasura deri më tani në spital, kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë. "Ajo që desha të theksoj është se pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, ne do t'i sigurojmë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore e disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve", nënvizoi kreu i QSU. Gjithashtu, ai theksoi se brenda qershorit janë marrë masa të shpejta për plotësimin e nevojave më emergjente. Brenda qershorit do përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore. Dashi nuk la pa përmendur edhe aparaturat e spitalit, që shpesh pacientët i gjejnë të prishura. Me lidhjen e kontratave të reja, mirëmbajtja e aparaturave ka gjetur zgjidhje. "Ka përfunduar 100 % procesi i tenderimit dhe lidhjes së kontratave. është bërë kujdes dhe janë gjetur rrugët e zgjidhjes për të kontraktuar mirëmbajtjen edhe për ato aparatura që kanë qenë të palidhura vitin e kaluar," tha Dashi. Këtë vit, firmat janë të detyruara të rikthejnë në gjendje pune aparaturat e prishura brenda 24 orëve dhe në rastet kur pajisjet janë të veçanta dhe duhet të vijnë nga jashtë shtetit, brenda një jave. Janë afërsisht 90 aparatura, të cilat kanë kontratë të plotë mirëmbajtjeje nga firmat kontraktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›