E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo firmos me Realin, ja detajet



Tashmë është e sigurt lamtumira e Zhoze Murinjos. Fjalët e fundit të shprehura nga trajneri portugez e kanë konfirmuar plotësisht këtë gjë: “Kam pasur privilegjin që ta fitoj Ligën e Kampioneve për të dytën herë dhe ka qenë e bukur, ashtu si e para, gjithmonë kështu do të jetë. Jam me të vërtetë shumë i lumtur, tamam si atëherë që e fitova me Porton. Megjithatë ndihem edhe keq, kam filluar të ndjej nostalgji për Interin, duke qenë se e shtuna ka qenë dita ime e fundit në pankinën zikaltër, – është shprehur Murinjo. - Kam përjetuar gjithnjë sezone të mrekullueshme në karrierën time: me Porton kam fituar shumë, ashtu si edhe me çelsin, por kjo simpati midis meje dhe Interit do të zgjasë përgjithmonë. Unë jam njëri prej tyre dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë, pavarësisht se këtë vit do të stërvit një skuadër tjetër. Dhe nëse tradita do të konfirmohet, vitin tjetër do vij të luaj në ‘San Siro’, në shtëpinë time”.
Detajet e tratativës - “Madridi do të punësojë një kampion”. Ky është titulli, me të cilin janë hapur të gjitha mediat spanjolle. Transferimi i Zhoze Murinjos në pankinën e madrilenëve tashmë është thjeshtë çështje orësh. Sipas mediave spanjolle, ditën e sotme do të shkarkohet zyrtarisht trajneri aktual i Realit, Manuel Pelegrini (i cili do përfitojë 4 milionë euro për prishje të parakohshme të kontratës) dhe Murinjo do startojë tratativat me presidentin Perez, edhe pse mendohet që marrëveshja tashmë është nënshkruar. “Marca” shpjegon se numri një i klubit spanjoll është takuar 2 herë me Masimo Moratin që ditën e premte, ku “As” siguron që marrëveshja midis Murinjos dhe Perezit është sigluar që të premten. Ajo parashikohet të jetë 4-vjeçare me një përfitim prej 10 milionë eurosh neto në sezon dhe do të firmoset ditën e martë, ose të mërkurë. Për transferimin e portugezit, e përditshmja katalanase “El Mundo Deprotivo” ka “shpikur” një nofkë për tifozët e Realit “Moudridista”. Mesa duket, synimi kryesor i Murinjos është që të marrë me vete nga Interi Maikonin, për një shifër prej 20-25 milionë euro, Militon dhe është duke menduar edhe për De Rosin, ose si alternativë të tij Xherrard.
Reali i Madridit – Nuk kanë sesi të mungojnë edhe deklaratat për skuadrën e re të “Special One”, e cila siç është përfolur edhe më parë, është ekipi i “galaktikëve”. “Të hënën do të takohem me Florentino Perezin. Nëse do bëhem trajneri i Realit të Madridit do të ndodhë, sepse është një klub që, ashtu si unë, do të fitojë dhe i dashuron sfidat e vështira. Për të fituar nuk mjaftojnë emrat e mëdhenj dhe paratë, është i domosdoshëm edhe mentaliteti i duhur”, ka vazhduar ai.
Për Moratin – “Nuk më kujtohet se çfarë më tha Morati, por ai moment ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai është përpjekur që të më sjellë më parë tek Interi, jam i kënaqur që arrita të kontribuoj në realizimin e ëndrrës së tij: të ketë një foto me kupën e Champions-it, ashtu si i ati 45 vite më parë”, ka përfunduar trajneri portugez i Interit, Zhoze Murinjo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›