E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dimë si ta ndalim Vuçiniçin”



Nga Durrësi,/ Bujar Qesja

Josip Kuzhe nuk preferoi të lexonte ndonjë deklaratë të parapërgatitur. Sipas menaxherit të ekipit kombëtar dhe përkthyesit të Kuzhesë, Denis Bastari, ai u bëri të njohur gazetarëve mendimin e kroatit për ta ndërtuar këtë konferencë shtypi sipas interesimit të tyre.Si do të ndërtohet loja sulmuese, me një apo me disa futbollistë?
Sigurisht, duke u nisur nga dy ndeshjet e fundit ku ne kemi luajtur me një sulmues, bindja ishte se edhe ndaj Malit të Zi do përsëritej kjo praktikë. Por duke qenë se Bogdani është sulmuesi i ynë i parë, kushtëzuar nga forma e lojtarëve dhe veçanërisht e Salihit, për momentin jam shumë afër që të marr një vendim që të luaj me dy sulmues në këtë ndeshje.
Ju ka shkuar ndërmend nevoja për një qendërmbrojtës perspektiv, duke e kaluar Canën në mesfushë?
Që kur kam ardhur unë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Cana ka luajtur gjithnjë qendërmbrojtës dhe mendoj se do të vazhdojë të luajë në atë pozicion. Kam nevojë për një figurë të fortë në qendër të mbrojtjes dhe kam shumë besim tek Cana. Ai nuk do të lëvizë nga ai pozicion.
Keni informacionin e nevojshëm për kundërshtarin e radhës?
Duhet të informohemi edhe më saktë, por nuk bëhet ende e qartë nëse do të jetë Boshkoviç dhe Javanoviç dy pikat e forta të Malit të Zi. Pastaj të mbulosh një lojtar të shkëlqyer, siç është Vuçiniç, nuk është e lehtë dhe aq më pak ta mbulosh një për një. Do të mundohemi të hedhim në fushë një ekip sa më kompakt rreth tij dhe të lirojmë dy lojtarë për ta mbuluar nga afër.
Tifozët e Dinamos së Zagrebit ju duan juve si trajner, a ka pasur pas kësaj polemika mes jush dhe teknikut aktual të këtij ekipi?
Gjithçka ka qenë një spektakël nga ana e Zdravko Mamiç, që drejton këtë klub dhe asgjë nuk është e vërtetë nga ato që shkruhen e thuhen. Kemi marrëdhënie shumë të mira me teknikun e Dinamos së Zagrebit, sepse kemi luajtur shumë vite së bashku, rreth tetë vjet. Unë mendoj se ai është një profesionist.
Me çfarë synimi futet në fushë për këto dy ndeshje Kombëtarja?
Kriteri i parë për mua është rezultati dhe dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet që kam. Kriteri i dytë është që të luajmë mirë dhe t’i bëjmë të gjithë tifozët tanë krenarë dhe të lumtur pas ndeshjes. Edhe nëse ne mund të mundemi në Francë përballë këtij ekipi të njohur, tifozët tanë të ndjehen krenarë për mënyrën sesi kemi luajtur.
A mendoni se ekipi ynë i ka kushtet që të mbështetet në 4-5 lojtarë shumë cilësorë, sikundër kundërshtarët tanë?
Gjëja e parë që kam kuptuar që kur u bëra trajner i Shqipërisë është se gjëja më e mirë këtu është kolektivieti dhe grupi. Cana është figurë e fuqishme,që luan edhe në Angli. Po kështu edhe Lala është i jashtëzakonshëm për ekipin kombëtar. Gjithashtu edhe Skela është figurë shumë e rëndësishme, apo edhe Bogdani. Kështu që ne i kemi lojtarët e nevojshëm që mund tëmarrin përgjegjësi në moment të caktuara dhe të vështira të ekipit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›