E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjale austriake për Sefën, në lojë edhe Dinamo



Jetmir Sefa, mesfushori i Tiranës, i cili është varianti i parë për të ardhur këtë sezon te Dinamo, duket se vajtjen te kampionët e rinj të Kategorisë Superiore e ka opsion të fundit në lëvizjen e tij gjatë kësaj merkatoje. Jo sepse nuk i pëlqen si variant, ndonëse më parë duhet të flasë me bardheblutë, por sepse, ashtu si të gjithë futbollistët e kampionatit shqiptar, ka oferta nga jashtë vendit. Burime të sigurta pranë futbollistit konfirmojnë se Sefa ka oferta nga jashtë vendit, të cilat vijnë si nga Austria, ashtu edhe nga Turqia e Azerbajxhani. Madje, po këto burime, konfirmojnë që në fundin e muajit lojtari të niset drejt Austrisë, atje ku do t’i nënshtrohet provës te skuadra e mirënjohur Tirol i Insbrukut. Nëse kjo provë nuk rezulton e suksesshme, atëherë futbollisti rreth datës 15 qershor do të niset drejt Turqisë, atje ku klubi Sivaspor ka kërkuar ta provojë për ta pasur në gjirin e vet. Por një ofertë më konkrete duket se vjen për këtë futbollist nga Azerbajxhani, atje ku klubi, emri i të cilit mbahet sekret, është i gatshëm të paguajë dhe 300.000 dollarë për t’i marrë kartonin futbollistit. Të gjitha këto oferta, ndonëse dinamovitët ishin të bindur që do ta bënin për vete Sefën, e kanë detyruar lojtarin që të thotë se opsioni i fundit i lëvizjes së tij do të jetë Dinamo, pa përjashtuar dhe mundësinë e rinovimit me Tiranën. Ajo që duhet theksuar është fakti se Sefa duket se është vëzhguar mirë nga menaxherët në grumbullimin që trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka bërë në Turqi. Ndeshjet me ekipet turke duket se e kanë vënë në “rreth të kuq” lojtarin, që tashmë e ka një ofertë nga Sivaspori, për të cilën do të mund të jetë i gatshëm për provë vetëm më 15 qershor. Por përveç Kombëtares, Sefa ka bërë dhe një paraqitje të qëndrueshme me Tiranën, pavarësisht problemeve që skuadra bardheblu ka pasur brenda. Dhe të gjitha ofertat, duke konsideruar si më të rëndësishmen atë të austriakëve të Tirol Insbrukut, duket se i kanë prishur “pazaret” Dinamos, që Sefën e kishin të parin në listë për ta marrë si përforcim. Megjithatë blutë nuk i kanë hequr shpresat, sepse gjithçka është e mundur në këtë merkato vere. Por dinamovitët kanë ngut për të mbyllur gjithçka shpejt, edhe sepse në dhjetëditshin e parë të qershorit dinamovitët duhet të nisin përgatitjet e tyre për ndeshjet në Champions, të cilat janë më 13/14 dhe 20/21 korrik. Por duke qenë se nuk ka asgjë zyrtare dhe gjithçka i mbetet fjalëve, atëherë duhet pritur për të ditur skuadrën e re të Dinamos për sezonin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›