E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashi mashtron qytetarët për tenderat, në spital mungon edhe pambuku

Pacientët blejnë privatisht dhe vigonat e serumeve

Gjendja në QSUT vazhdon të jetë e tensionuar për faktin se në të gjitha pavijonet mungojnë mbi 70 për qind e medikamenteve, përfshi këtu barnat që janë në paketën bazë por edhe citostatikët që shërbejnë për mjekimin e sëmundjeve kancerogjene.

Këtë e pranojnë edhe vetë mjekët apo shefat e pavijoneve të cilët në shumicën  rasteve janë të detyruar ti komunikojnë pacientëve ose të afërmve të tyre se në spital nuk ka medikamente e këto duhet ti blejnë privatisht. Kujtim Bejdo një prej të afërmve të një prej pacientëve në spitalin onkologjik ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se ka më shumë se tre muaj që endet nëpër dyert e pavijoneve dhe e ka blerë gjithçka privatisht. Sipas tij deklaratat e drejtorit të spitalit janë vetëm gënjeshtra e premtime boshe sepse përveç kushteve mizerabël në spital të sëmurëve u duhet të përjetojnë edh mungesën e ilaçeve. Lidhur me deklaratat e drejtorit Dashi e për më tepër me njoftimin e ditës së djeshme shumë prej të afërmve të pacientëve nëpërmjet gazetës SOT i drejtohen drejtorit Dashi që mos tu hedhë hi syve duke deklaruar se mungesa e ilaçeve është shkaktuar nga vonesat e tenderëve. Por këtë deklaratë  kanë bërë edhe vetë mjekët e QSUT-së duke thënë se me tenderët neglizhohet ndërkohë që pacientët janë personat që preken e që duhet të vuajnë për këtë shkak. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, drejtoria e QSUT-së në një njoftim për shtyp njoftoi se gjatë 6-mujorit të parë janë realizuar një pjesë e mirë e investimeve dhe tenderëve në këtë institucion. Në lidhje me këtë duam ti drejtohemi drejtorit Dashi se nëse këto tenderë janë kryer atëherë ku janë medikamentet për pacientët të cilët përveçse po mjekohen në karrige e në kushte tejet të vështira duhet të përballen me mungesat  theksuara të ilaçeve. Në njoftimin për shtyp, drejtoria e QSUT-së bën të ditur ndër të tjera se vetëm përsa i përket paketës bazë dhe citostatikëve janë realizuar 90 për qind, dhe përkatësisht janë shpenzuar 621 milion lekë për paketën bazë të barnave dhe 507 milionë lekë për citostatikët. Sipas vetë drejtorit të QSUT-së puna e bërë deri më tani është një sukses i plotë nga drejtoria e QSUT-së.


Mungesat
Gjithashtu Dashi deklaron se janë realizuar 90 për qind të tenderëve, ndërkohë që edhe pjesa e mbetur e tyre janë në rrugë e sipër. Sipas tij, ajo që vlen të theksohet është se për vitin 2010 buxheti si për barnat bazë ashtu edhe për citostatikët është rritur. Përkatësisht për barnat ka një rritje prej 67.57 për qind më shumë se viti 2009, kurse për citostatikët një rritje prej 60 për qind. Tenderët e materialeve të mjekimit përfundojnë në fund të këtij muaji tërësisht, ndërsa janë realizuar një pjesë e mirë e tyre. Në lidhje me sa më sipër duam ti kujtojmë drejtorit Dashi se dhe dy muaj më parë u ka premtuar pacientëve e të afërmeve të tyre duke deklaruar se brenda javës së parë të muajit Maj do furnizoheshin të gjitha pavijonet me ilaçe e nuk do të kishte më mungesa medikamentesh për të gjitha shërbimet në QSUT. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga premtimet boshe të drejtorit Dashi sërish në spitale nuk mund të gjesh qoftë edhe një paracetamol apo një aparat tensioni, e nga ana tjetër mungesat për ilaçet bazë të sëmundjeve blihen privatisht nga vetë pacientët apo të afërmit.


Fluksi
Sipas treguesve statistikorë për këtë 6 mujor përsa u përket pacientëve, janë 1 mijë pacientë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Ndërkohë që çdo ditë fluksi i pacientëve në të gjitha pavijonet e QSUT-së sa vjen e rritet mungesa e ambienteve e kushteve, por nga ana tjetër edhe mungesa e theksuar e medikamenteve janë një nga shqetësimet tejet problematike për të qytetarët që për shkak të sëmundjeve të ndryshme u drejtohen dyerve të spitaleve. 

Dashi ua faturon firmave private përgjegjësinë e pastrimit të QSUT
Ruajtja e objekteve spitalore, pastrimi i ambienteve të jashtme të qendrës universitare, si dhe pastrim-gjelbërimi i zonës që mbështjell spitalin Nënë Tereza do të bëhet nga privatët. Drejtoria e qendrës ka sqaruar publikisht se tashmë, janë mbyllur lidhja e kontratave dhe ka përfunduar çdo procedurë kontraktuale mes dy palëve. Ajo që pritet të realizohet të paktën deri në fund të muajit 2010, është privatizimi i papastërtive brenda spitalit. Një projekt ambicioz qëndron për vite me radhë pranë administratës spitalore.


Bëhet fjalë për dhënien me koncesion ose privatizimin e shërbimit sanitar të spitalit.
Kjo do të thotë se do të jenë firmat ato që do të kujdesen për pastrimin, higjienizimin, sigurimin e pastrimit dhe blerjen e detergjenteve të nevojshme për higjienën e spitalit në përgjithësi, dhomave të pacientëve, konsultat e në mënyrë të veçantë për repartet e kirurgjisë. Sakaq, paralel me këtë projekt është edhe iniciativa mes dy ministrive, ajo e Mjedisit dhe e Shëndetësisë për rehabilitimin e sektorit të administrimit të mbetjeve spitalore. Pritet që deri në fund të këtij viti të jenë vendosur pikat mbi i për fondet e nevojshme, për realizimin, përdorimin e teknologjisë, zbatimit dhe risive nga teknikat e përdorura deri tani. Edhe pse nga drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë është deklaruar rreth tre muaj më parë se shqetësimi i madh për mbetjet spitalore, të cilat në shumicën e rasteve hidhen në kontenieret publike sërish problemi mbetet i hapur. Që në muajin Prill duhet të kishin ardhur 6 aparatura që do të mundësonin trajtimin e mbetjeve spitalore. Këto aparatura do të vendosen atje ku ka më shumë nevojë, sepse, jo të gjitha spitalet prodhojnë sasi të njëjtë mbetjesh spitalore. Në këto autoklave do të administrohen të gjitha mbetjet spitalore, pra ato do të sterilizohen nëpërmjet avujve dhe kompresimit, në mënyrë që të mos jenë kërcënim për banorët. Këto aparatura bëjnë trajtimin e këtyre mbetjeve, i sterilizojnë dhe i kthejnë ato në mbetje te parrezikshme, të cilat më pas mund të hidhen në vend grumbullimet ku hidhen edhe mbetjet urbane, pasi pas trajtimit nuk përbëjnë asnjë rrezik. Në vendin tonë, ligji për demontimin e mbetjeve spitalore është jo vetëm një ligj i mirë, por edhe shumë i qartë, përsa i përket ndarjes së kompetencave dhe masave që duhet të merren. Ky ligj ngarkon dy dikastere të cilat duhet të monitorojnë këtë proces, përkatësisht Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Shëndetësisë. "Ligji ngarkon Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Shëndetësisë për mbarëvajtjen e procesit për demontimin e mbetjeve spitalore. Në bazë të ligjit, për të gjitha spitalet, klinikat apo laboratorët shëndetësore, të jenë këto me shtretër ose pa shtretër, duhet që të kenë një kontratë për demontimin e mbetjeve që prodhojnë. Asnjë spital apo klinikë nuk merr licencë nëse nuk ka një kontratë me ndonjë firmë që kryen demontimin e mbetjeve, ose të ketë aparatura që shkatërrojnë mbetjet konform me ligjin.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›