E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani vë alarmin për interesat bankare, kreditë të shtrenjta për individët dhe bizneset

Banka e Shqipërisë përgatit planin për instalimin e normave primare të interesit

Normat e larta të interesit, komisionet shtesë dhe mungesa e informacionit nga ana e bankave tregtare për kreditë, vë në alarm Bankën e Shqipërisë. Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani ka mbledhur dje në një takim për zhvillim e tregut bankar përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, ku në qendër të diskutimeve u vunë çmimet e larta

të produkteve që ofron banka. "Hapi i parë është përcaktimi dhe instalimi i normave primare, në funksionimin e bankave tregtare, të dhënat mund dhe duhen të shërbejnë siç e kemi theksuar shpesh si udhërrëfyes për përcaktimin e çmimeve të produkteve bankare, si në anën e aktivit ashtu dhe në anën e pasivit të produkteve bankare", tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.


Rregullimi i normave të interesit
Banka Qendrore pritet të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në treg, për të bërë sa më realiste, normat e interesit që aplikohen nga bankat e nivelit të dytë. Këtë fakt e beri të ditur guvernatori Fullani, por ai nuk shpjegoi mekanizmin që do të ndiqet për këtë ndërhyrje në tregun bankar. Gjatë një forumi me bankat e nivelit të dytë, guvernatori u kërkoi operatorëve në treg reagim të shpejtë të zbatimit të kësaj nisme, e cila në thelb ka për qëllim një ndarje më të mirë të likuiditetit mes tyre. Këto norma do të shërbejnë për të përcaktuar çmimet e produkteve bankare. Shënjestrimi i normave të interesit në termin afatshkurtër është një orientim drejt normave bazë të përcaktuar nga Banka Qendrore, u shpreh Fullani. Sipas tij, ky forum do të shërbejë për të marrë edhe mendimin e bankave për të implementuar këtë politikë të re. Normat e larta të interesit sidomos për kreditë por edhe për komisionet që aplikojnë bankat janë problemi kryesor i tregut financiar, fakt ky i cili ka stepur ndjeshëm edhe kërkesën konsumatore për të marrë kredi. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore pritet të mblidhet në fund të muajit për të diskutuar mbi politikën monetare që do të ndiqet në periudhën në vazhdim. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mundësitë janë për një ulje të mëtejshme të kostos së parasë, një masë kjo, e cila do të ndikojë në zvogëlimin e interesave të borxhit të qeverisë.


Politikat monetare
Objektivat operacionalë të politikës monetare luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikës monetare. Objektivat operacionalë shërbejnë kështu si pikënisje e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Në aspektin praktik, këto objektiva shërbejnë për të orientuar dhe disiplinuar në aspektin sasior ndërhyrjet e autoritetit monetar në tregjet e parasë. Ndryshimi i shpejtë i strukturës ekonomike, zhvillimi i tregjeve ndërbankare dhe i agjentëve ekonomikë është shoqëruar me ndryshime rrënjësore në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë bën të ditur se ekonomia shqiptare është tashmë e integruar ekonomikisht dhe financiarisht në ekonominë botërore, duke marrë tiparet e një ekonomie tregu por duke paraqitur edhe sfidat tipike të administrimit ekonomik të një ekonomie të tillë. Sipas saj këto ndryshime kanë diktuar monitorim të vazhdueshëm nga autoriteti monetar, për të bërë ndryshimet e duhura në regjimin e politikës monetare dhe në aspektet operacionale të zbatimit të saj.  Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar në vlerësimin e vazhdueshëm të zhvillimeve në tregun ndërbankar dhe në kryerjen e përmirësimeve të duhura në regjimin e saj të politikës monetare. Ndërkohë që dokumenti i Politikës Monetare për periudhën 2009-2011 ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Në këtë Dokument, roli i agregatëve monetarë si tregues të presioneve inflacioniste në ekonomi dhe si objektiva të ndërmjetëm të politikës monetare, u plotësua edhe me informacionin e gjerë të marrë nga sektori real i ekonomisë, i cili sistematizohet dhe finalizohet në ecurinë e parashikuar të inflacionit. Ky ndryshim u mbështet dhe u argumentua tërësisht në eksperiencën shqiptare.

Zhvillimi i tregjeve dhe metodat e kreditimit
Zhvillimi i tregjeve monetare dhe i inovacionit financiar, rritja e shpejtë e kreditimit dhe e shkallës së dollarizimit të ekonomisë, si dhe rritja e rolit të pasurisë së paluajtshme në alternativat e investimit, i dhanë një nuancë më komplekse funksionimit të ekonomisë shqiptare. Ato u shoqëruan me paqëndrueshmëri të shpejtësisë së qarkullimit të parasë, duke e zbehur lidhjen afatshkurtër dhe afatmesme midis agregatëve monetarë dhe inflacionit. Ky ndryshim materializon modernizimin e vendimmarrjes të politikës monetare mbështetur në një analizë më të plotë të informacionit duke synuar administrimin e pritshmërimeve të operatorëve në treg . Një nga drejtimet e punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të fundit, ashtu si dhe kemi parashikuar me transparencë në Dokumentin e Politikës Monetare, ka qenë vlerësimi i përshtatshmërisë së objektivave operacionalë dhe adoptimi i formave më të avancuara të tyre. Shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në formën e një tavani të mjeteve të brendshme neto dhe të një dyshemeje të rezervës ndërkombëtare neto, ka qenë për shumë kohë udhërrëfyesi i ndërhyrjeve tona në tregun ndërbankar.

BSH: Ja strategjia për rregullimin e tregut bankar
Banka e Shqipërisë harton një plan me pesë pika për rregullimin e tregut bankat në vend dhe uljen e normave të interesit. Bankës së Shqipërisë i është dashur të ndërtojë një strategji të qartë për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregut të parasë në Shqipëri, dhe për krijimin e instrumenteve përkatëse të tregut. Në planin e veprimit është parashikuar një bashkëpunimin e ngushtë dhe racional me sistemin bankar dhe tregun financiar në përgjithësi dhe komunikimin e qartë dhe të vazhdueshëm me operatorët e tregut  dhe publikun e gjerë. Sipas Bankës Qendrore operatorët e nivelit të dytë duhet të zgjedhin teknologjike bashkëkohore, për përmirësimin e shërbimit. Burime zyrtare nga Banka Qendrore bënë të ditur se si rezultat i këtyre nismave, politika jonë monetare bazohet tashmë tërësisht në instrumente indirekte të administrimit monetar, të cilat veprojnë në përputhje me logjikën e tregut të hapur. Kuadri jonë operacional i krijon sistemit bankar mundësinë e administrimit efektiv të likuiditetit, duke qenë një kundërparti e instancës së fundit për plotësimin e nevojave agregate të sistemit për likuiditetit, apo edhe për investimin e tij.  Nëpërmjet instrumentit të rezervës së detyruar, Banka e Shqipërisë ju ka krijuar hapësirat e duhura për mbulimin e nevojave të paparashikuara për likuiditet, duke i remuneruar njëkohësisht ato me norma interesi të afërta me normat e interesit të tregut, të cilat shmangin shtrembërimet që mund të sjellë kjo rezervë në aktivitetin tuaj bankar. Rregulloret tona, të cilat kufizojnë rreziqet operacionale të aktivitetit bankar, rreziqet e likuiditetit apo ato të tregut, janë tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke krijuar njëkohësisht hapësirat e nevojshme për zhvillimin e tregut ndërbankar. Ne kemi ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm për zhvillimin institucional të tregut ndërbankar, nëpërmjet krijimit dhe mirëmbajtjes së interesave referencë TRIBOR dhe TRIBID, nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me shoqatën e dealer-ave dhe nxitjes së instrumenteve të rinj të tregut ndërbankar.

Zhvlerësohet leku, forcohet euro dhe dollari
Leku shqiptar është zhvlerësuar më tej kundrejt valutave të forta. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, dollari është shkëmbyer me 110.5 lekë, ndërsa euro ruan kuotën e 136.7 lekëve. Sipas ekspertëve, zhvlerësimit i lekut ka ardhur gjatë këtyre muajve si pasojë kryesisht e mungesës së valutës në treg. Rënia e kostos së monedhës kombëtare rëndon klientët e bankave që kanë marrë kredi në euro e dollarë dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata do të paguajnë më shumë, sepse normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Pasojat e zhvlerësimit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›