Dashnor Sula: Bashën e shoh numrin dy në PD
“Basha ka treguar se sot ai mund të jetë pas Berishës, si personi i cili gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë qytetarët, por edhe gjithë simpatizantët e PD-së”.
TIRANË Në cilësinë e një prej njerëzve që ka kontribuuar gjatë në sistemin e drejtësisë, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, nuk mendon se akuzat e Partisë Socialiste ndaj Kolegjit Zgjedhor janë të bazuara në fakte dhe prova. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Sula shprehet se janë të patolerueshme akuzat ndaj anëtarëve të Kolegjit. Ai ka propozuar që trupa e Kolegjit Zgjedhor duhet të kallëzojë penalisht të gjithë ata zyrtarë të PS-së, që kanë hedhur akuza ndaj tyre. Sula flet edhe për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Deputeti i PD-së tha se e sheh Bashën në një pozicion drejtues në parti.
Z.Sula, prej disa ditësh, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë akuzuar se kanë përfituar shuma të mëdha parash, në këmbim të dhënies së vendimeve pro Lulëzim Bashës. A keni ju ndonjë koment për këtë çështje, dhe sa mund të kompromentohet figura e një gjyqtari, nisur nga fakti se edhe ju vetë i keni shërbyer një kohe të gjatë sistemit të drejtësisë?
Unë doja të shprehja indinjatën time si politikan, si qytetar, por edhe si një person, që e njoh mirë drejtësinë, duke pasur parasysh eksperiencën time prej 15 vitesh në sistemin e drejtësisë. Dua të përshëndes të gjithë trupën e Kolegjit Zgjedhor, e cila prej dy muajsh ka qenë në një trysni të paparë dhe të jashtëzakonshme, nga ana e PS-së dhe kryetarit të kësaj force politike, Edi Rama. Për mendimin tim, ata kanë treguar integritet moral dhe profesional gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Të gjithë e dimë se në Shqipëri është më e vështirë që të zbatosh ligjin dhe më e lehtë ta shkelësh atë. Kjo trupë e kolegjit, duke qenë se i njoh personalisht thuajse të gjithë trupën gjyqësore, për shkak të punës sime të mëparshme, mund të them se përbëhet nga gjyqtarë ndër më të mirët. Kjo trupë gjyqësore që ka dhënë vendime, që nga data 3 qershor për Bashkinë e Tiranës, ka treguar integritet profesional. Për pasojë, akuzat janë të pafalshme dhe të patolerueshme, kur vijnë nga lideri i opozitës, Edi Rama, dhe PS-ja, e cila në fund të fundit është një pasuri dhe ka një rol të jashtëzakonshëm në shoqëri. Të arrish të artikulosh akuza monstruoze, qoftë nga z.Rama, ashtu edhe nga z.Ruçi, akuza të pabaza, të paqena, kjo pastaj do të thoshte një humbje të vet logjikës dhe një lajthitje nga ana e këtyre njerëzve. Unë ndihem i indinjuar dhe do të ishte në nder të gjithë trupës gjyqësore që të reagojnë. Këta gjyqtarë duhet me patjetër që të tregojnë sesa vlen drejtësia në këtë vend, ata duhet t’i drejtohen Prokurorisë, të bëjnë kallëzim penal për shpifje për Gramoz Ruçin, i cili ka artikuluar akuza të drejtpërdrejta për marrje të shumave prej 500 mijë eurosh. Edhe pse nuk u janë adresuar me emra konkretë, dihet që janë pikërisht këta 8 gjyqtarë, që kanë dhënë vendime, andaj duhet me patjetër që t’i drejtohen Prokurorisë dhe Prokuroria, më pas duhet të nisë procedimin penal për shpifje ndaj figurës së këtyre gjyqtarëve.
Ju thatë që i njihni personalisht anëtarët e kolegjit, për shkak të profesionit tuaj të mëparshëm. A jeni juve në dijeni për ndonjë presion direkt mbi ata, përveç atyre që tashmë janë thënë në shtyp?
Unë nuk bëj pjesë në ata politikanë, që pa pasur prova konkrete të bëjë akuza, por provat më konkrete janë pamjet dhe deklaratat, qoftë në median e shkruar edhe atë vizive të kryetarit të PS-së dhe eksponentëve të tjerë të lartë të PS-së, të cilët i janë drejtuar drejtpërsëdrejti Kolegjit Zgjedhor me akuza nga më të ndryshmet. Kjo është prova më domethënëse, më e pastër, që ka bërë PS-ja. Ndërsa unë mund të hamendësoj që mund të kenë pasur ndërhyrje apo presione të ndryshme, nëpërmjet miqve dhe të afërme, që mund tu jenë drejtuar këtyre anëtarëve të Kolegjit, por nuk mund të them gjëra konkrete përsa kohë që nuk ka fakte dhe prova. E njëjta gjë do të ishte edhe në nderin e PS-së, të cilët për sa kohë nuk kanë asnjë provë apo indicie të vetme, nuk kanë se si të artikulojnë akuza të tilla. Nëse ka prova, absolutisht t’i drejtohen Prokurorisë. Por kur akuzon pa pasur prova, atëherë kjo është një lajthitje, është një humbje e logjikës nga ana e zyrtarëve të caktuar të PS-së.
Le të flasim për një tjetër gjë po aq të debatueshme, siç është projektligji për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Ju, si anëtar i Komisionit të Ligjeve, keni qenë një zë oponence ndaj përmbajtjes së tij. Nisur nga eksperienca juaj juridike, a mendoni se ky draft shkel ligje në fuqi, dhe mbi të gjitha a shoqërohet nga një handikap i madh, siç është mungesa e faturës financiare?
Sigurisht që është një problem delikat, për të cilën ka pasur edhe opinione të ndryshme, por unë do të doja të ndaja opinionin tim krejtësisht personal lidhur me këtë çështje. Shqipërisë i duhet një Kuvend i ri, pavarësisht kushteve dhe rrethanave në të cilën është vendi ynë. Kjo është një detyrë e qeverisë dhe e kryeministrit Berisha, që e ka parashikuar se si do të financohet ky projekt. Ky është një projekt i rëndësishëm dhe vendit tonë i mungon një tempull i ri. Duke pasur parasysh edhe ligjin për KRRTRSH, më saktë ndryshimet e tij, që hyjnë në fuqi në muajin shtator, mund të kemi edhe përplasje me ligjet e tjera siç ka qenë KRRT e pushtetit lokal, por në raste të veçanta e theksoj, qeveria mund të marrë iniciativë dhe mund t’i drejtohet drejtpërdrejtë KRRT-së qendror për dhënien e një leje dhe siç argumentoi Viktor Gumi dhe Enkeleid Alibeaj, (të cilët ishin dy relatorët e këtij projektligji) për të shkurtuar procedurat njëra pas tjetrës, do t’i drejtohen drejtpërsëdrejti KRRTRSH-së. Për mua problem dhe shqetësim më i madh do të jetë ai i kostos, i cili mund të krijojë vështirësi financiare, megjithatë këtë unë nuk di ta them saktë sepse është detyrë e qeverisë për të gjetur financimin. Nëse do të kemi një kredi të butë, që mund të jepet për financimin e këtij kompleksi, atëherë do të jetë një zgjidhje. Sa për shkelje të ligjeve që pretendohet, ju siguroj se nuk ka.
A mendoni se zgjedhja e Lulëzim Bashës si kryetar i ri i Bashkisë, duhet të sjellë një rikonfigurim tjetër politik në PD, duke pasur parasysh se ende në këtë parti nuk janë zgjedhur strukturat e larta drejtuese?
Unë kam pasur fatin të punoj dhe të bashkëpunoj me z.Basha sepse që nga viti 2005 performanca e politike është me të vërtetë për tu lavdëruar. Këtu doja të përmendja kohën kur ka qenë Ministër i Transporteve, i cili është njeriu që kontribuoi fuqishëm në realizimin e projektit madhor të rrugës Durrës-Kukës –Morinë, mund të kujtoj gjithashtu Bashën si ish-ministër i Jashtëm, i cili kontribuoi përsëri për liberalizimin e vizave dhe ka treguar vërtet vlera si një diplomat, i cili në të gjitha kancelaritë europiane është paraqitur me një performancë të shkëlqyer. Mund ta përmend gjithashtu si ministër i Brendshëm, i cili në periudhën e tij u paraqit projekti madhor i pajisjes së shqiptarëve me dokumente të sigurta identiteti dhe liberalizimi i vizave së fundmi. Pra, Basha me të vërtetë ka treguar që është një njeri që ka sjellë një performancë ndryshe në politikën shqiptare. Ai është një politikan që njihet si njeri i ekuilibrit dhe i kompromisit dhe jo i ashpër.
Ku e shihni Bashën në hierakinë e PD?
Basha ka një karrierë përpara dhe është në gjysmë të rrugës së tij. Sukseset do t’i ketë akoma më të mëdha dhe jam i sigurt, që Berisha si kryetar i PD-së, por edhe strukturat e tjera të selisë blu do të bëjnë të mundur, që ai të zgjidhet në forumet më të larta të PD-së. Basha ka treguar se sot ai mund të jetë pas Berishës, si personi i cili gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë qytetarët, por edhe gjithë simpatizantët e PD-së. Vetë rezultati i 8 Majit dëshmoi se Basha do të jetë ndër politikanët me performancë shumë të lartë dhe jam i sigurt që edhe në PD, ai do të ketë suksese të mëtejshme. Sigurisht, që Bashën e shikoj në një post të lartë drejtues të PD-së, nuk mund të them se çfarë konkretisht, pasi këtë e vendosin strukturat. Megjithatë, kam bindjen se qoftë Këshilli Kombëtar apo edhe kryesia më pas do ta propozojnë Bashën për në strukturat e larta të partisë. Ai është një politikan i ri dhe koha për të qenë në politikë do të jetë relativisht e gjatë. Basha, bashkë me disa politikane të tjerë, mendoj se do të ketë një karrierë të ndritur në PD.
Intervistoi: Nevila Perndoj