Zgjedhje të reja në 9 komuna të vendit
Ndonëse Kolegji Zgjedhor i dha fund procesit të ankimimeve për zgjedhjet e 8 majit, procesi zgjedhor për pushtetin vendor nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Kjo pasi, pas dy apo tri javësh, në 9 komuna të vendit do të votohet për të zgjedhur sipas rastit ose kryetarin e tyre, ose këshillat komunalë. Bëhet fjalë për komunat e Shllakut, Paprit, Pishajt, Zall Dardhës, Armenit, Kolshit, Shalës, Finiqit dhe Mollasit, në disa prej të cilave procesi i votimit nuk u zhvillua fare më 8 Maj, ndërsa në disa të tjera u shpall pavlefshmëria me vendim të Kolegjit Zgjedhor. Është kreu i KQZ-së, ai që konfirmon se të dielën e fundit të korrikut, ose të dielën e parë të gushtit, në këto 9 komuna do të ketë votime. Për këtë pritet që KQZ të shpallë datën e zgjedhjeve, e cila sipas ligjit duhet të jetë brenda katër javëve nga mbarimi i procesit ankimor. “Janë për tu ribërë zgjedhjet, ose për t’u bërë nga fillimi, në ato vende ku nuk u arrit të bëheshin më 8 maj. Ne do të përpiqemi t’i bëjmë sa më shpejt. Nuk do të shfrytëzojmë afatin maksimal. Do të mundohemi t’i bëjmë sa më shpejt, ndoshta të dielën e fundit të korrikut, apo të dielën e parë të gushtit, por do të mundohemi që t’i zhvillojmë brenda korrikut, në mënyrë që procesi të mbyllet përfundimisht” - tha Ristani.