“Dashnori” i 1962-it në Metropol
“Dashnori”, të cilin nobelisti Harold Pinter e ka shkruar në fakt në vitin 1962, por të vërtetat e marrëdhënieve të një çifti duket se nuk kanë ndryshuar aspak as tani më 2011. “Dashnori” do të ngjitet sonte në mbrëmje në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit nga një kastë të rinjsh, të cilët e jetojnë këtë raport në kohët moderne. Pjesa vjen me regji të Madi Selimit e Bora Kullës dhe interpretimin e Devis Mukës dhe Ermela Rurit. Ata janë protagonistët e shfaqjes, ata janë burri dhe gruaja e njëkohësisht dashnori dhe tradhtia në çift. Harold Pinter ka vënë në qendër të veprës së tij një çift të ri, që për një çast vendosin të marrin në mënyrë imagjinare rolin e dashnorëve, për të shfaqur kështu të vërteta të pathëna. Regjisorët, në konceptin e tyre regjisorial, kanë preferuar t’i japin edhe një kontekst bashkëkohor, duke e sjellë në kohë. “Në kohët moderne nuk mjafton që në një lidhje të jesh thjesht burri dhe gruaja. Nuk mjafton vetëm dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Monotonia, jeta plot probleme ndikojnë në harmoninë e një lidhjeje normale. Të gjitha këto probleme të bëjnë që krevati të gjendet gjithmonë bosh, ose dhe kur është me burrin, të jetë sërish bosh. Në të tilla rrethana një lidhje pëson krisjen më të madhe. Kjo krisje të çon në shkatërrimin e saj drejt divorcit, ose në një zgjidhje më alternative, që është një dashnor. Kjo është intriga që Harold Pinter kërkon të përcjellë me anë të kësaj pjese sa moderne dhe aktuale për realitetin që ne jetojmë”.