E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria “dush të ftohtë” Bualotit dhe Prevazit

SHKRUAN: Aida Tuci 23-06-2011 12:01

Organizatorët e dy prej festivaleve ndërkombëtare, që deri më tash burim financiar për organizimin e tyre kanë patur pikërisht shtetin, përmes Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, konkretisht Alfred Buoaloti që organizon Festivalin e Teatrit në Butrintit dhe Gjergj Prevazi që organizon Festivalin e Dancit Modern nga Akademia e Arteve, i kanë kërkuar publikisht MTKRS-së që të financojë festivalet e tyre që tashmë kanë krijuar një traditë në aktivitetet kulturore. Në fakt, dalja e dy organizatorëve të Festivalit të Butrintit dhe Festivalit të Dancit ishte një lloj “leksioni” për të shpjeguar se përse MTKRS-ja, në këtë rast shteti, duhet të vazhdojë të financojë të tilla aktivitete, që në fakt janë një iniciativë private e dy organizatorëve. “Absolutisht që të gjitha festivalet ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri duhet të jenë të varur nga shteti, sepse nuk ka mendje private që të thotë: ‘Të jap unë para për të organizuar këtë apo atë aktivitet’. Prandaj paratë duhet të vijnë nga shteti. Të gjitha aktivitetet e kësaj natyre, kudo në Europë dhe në Ballkan, janë të mbështetura në pjesën më të madhe nga shteti” - tha Alfred Bualioti, drejtor i Festivalit të Butrintit, por pa dhënë qoftë edhe një rast konkret të një skeme të tillë financimi nga shteti. “Nëse një privat nuk ka interes publicitar te një aktivitet, nuk ofrohet, sepse rëndësinë këtyre aktiviteteve duhet t’ua japin ato institucione që paguhen për këtë punë” - tha Gjergj Prevazi, drejtor i festivalit të Dansit Modern.

Duke mos patur këtë vit mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ashtu siç kanë patur që nga krijimi i festivaleve të tyre e deri një vit më parë, dy organizatorët u shprehën se u është dashur të anulojnë kontratat me bashkëpunëtorët, duke humbur kështu seriozitetin e aktiviteteve të tyre. “Në kushtet e mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga institucioni që na mbështet dhe i takon që të na mbështesë më shumë, pra, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ne nuk krijojmë një marrëdhënie me kompani të cilat janë të ftuara në festivalet tona” - shtoi Prevazi mbi këtë pikë. Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pas deklaratave të Alfred Bualotit, organizator i Festivalit të Butrintit dhe Gjergj Prevazit, të Festivalit të Dansit Modern. Në një konferencë për shtyp, Nikolla Lena, drejtor, u shpreh se të dyja shoqatat që kanë ngritur shqetësimin e tyre kanë patur privilegjin të mbështeten çdo vit nga MTKRS, edhe pse të punësuar njeri shef në Akademinë e Arteve dhe tjetri aktor pranë Teatrit Kombëtar edhe pse prej vitesh pa asnjë dalje në skenën e Teatrit Kombëtar, institucion në varësi të MTKRS, nga ku merr dhe rrogën. “Është vërtet për të ardhur keq kur dëgjon që ka kryetarë të shoqatave të cilët janë edhe punonjës të shtetit shqiptar, që aludojnë deri në faktin që MTKRS nuk ka politika. Atëherë ju drejtohemi me pyetjen: Po deri tani, që konkretisht Festivali i Teatrove në Butrintit përgjatë më se një dekade ka marrë qindra milionë lekë; apo Dansi i Gjergj Prevazit, i mbështetur deri më sot me shuma të konsiderueshme fondesh financiare, vallë realizoheshin nëpërmjet mungesës së politikave?! Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka për qëllim të mos shkelë në radhë të parë shanset e barabarta për të gjithë artistët, krijues apo interpretues dhe të jetë e paanshme dhe transparente në mbështetjen që u bën projekteve të ndryshme. Nisur nga disa vërejtje të bëra sidomos në drejtim të shumë festivaleve, të cilat janë shtuar në sasi, por shpesh nuk japin impaktin e kërkuar, apo mangësi të vëna re gjatë këtyre viteve në lidhje me mbështetjen e projekteve artistike, MTKRS në zbatim të ligjit do të rishikojë edhe politikat e mbështetjes së këtyre festivaleve, mbi kritere të standardizuara me ato europiane. Ngritja e Qendrës së Artit dhe Kulturës dhe funksionimi i një bordi për secilën fushë, sipas ligjit, do të bëjë të mundur gjykimin sa më transparent se cilat do të jenë festivalet që do mbështeten nga Qendra e Artit në përputhje me politikat e MTKRS, dhe se cilat do të jenë kriteret për mbështetjen e çdo shoqate, mënyra e aplikimit konform standardeve që kërkon koha, monitorimi i aktiviteteve, konflikti i interesave etj.”- shprehu zyrtarisht qëndrimin e MTKRS-së drejtori i politikave pranë këtij institucioni, Nikolla Lena. Me këtë rast ai sqaroi se Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është në periudhën e reformave që do të implementohen së shpejti. Me anë të këtyre reformave, kulturës kombëtare dhe promovimit të saj brenda dhe jashtë vendit, do t’i kushtohet një kujdes dhe mbështetje më e madhe. Këtij qëllimi, sipas MTKRS-së, do t’i shërbejë ngritja e tre institucioneve të reja: Teatrit të Komedisë, Qendrës të Artit dhe Kulturës, si edhe Cirkut Kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›