E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dashuri dhe paqe" në MTKRS

Është kthyer nga Stambolli, për të çelur të parën ekspozitë në Shqipëri. Pas 10 ekspozitave entuziaste mes qarqeve artistike dhe mediatike në Turqi, piktori shqiptar 31-vjeçar Lian Lutfija rikthehet në Tiranën e fëmijërisë dhe rinisë së hershme të tij. Pas 15 vjet karrierë jashtë vendit, me shprehjen e Xhon Lenon "Love and Peace", artisti impresionist do të ekspozojë për herë të parë në atdhe në një ekspozitë vetjake në hollin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me konceptin "Fllad i ri në artin impresionist", ai do të paraqesë në këtë ekspozitë 25 tablo, kryesisht në përmasa të mëdha dhe të punuara në vaj në stilin impresionist, ku piktori Lutfija është vlerësuar edhe nga mediat turke si "me këndvështrime të reja pastruese". Atë e tërheq impresionizmi, sepse mendon që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre e për këtë arsye piktori, i cili është formuar në Turqi, përpiqet të përdorë pikërisht sinqeritetin, dritën, harmoninë, reaksionet ngrohtë-ftohtë...

Piktori Lian Lutfija ka nisur të pikturojë që i vogël në rrethet e pikturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 ai kreu liceun artistik "I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi" në degën e pikturës në Stamboll. Në 1997 fitoi konkursin në "USA Milwaukee Institute of Art&Design", ku u mbështet edhe me bursë. Më pas kreu universitetin e arteve "Arkitekt Sinani", dega pikturë, po në Stamboll, ku u kualifikua i pari. Më pas, karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll, me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit.

"Me kthimin tim në atdhe, dua t‘u bëj thirrje artistëve të rinj, t‘u them atyre se që të jesh krenaria e një kombi, duhet në fillim t‘i shërbesh atij", shprehet Liani. Ekspozita e tij e parë në Shqipëri hapet ditën e martë, në datë 14 prill. Ajo do të qëndrojë e hapur dhjetë ditë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›