E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët profesorë duan rroga më të larta

Deputetët shtojnë oreksin e tyre për të përfituar shtesa në pagën e tyre, duke kërkuar rritjen e përfitimeve financave me anë të ndryshimeve ligjore. 

Një grup deputetësh si Neritan Ceka, Arjan Starova, Pëllumb Xhufi, Arben Malaj, Gëzim Karapici, si dhe Gjok Vuksani, kanë paraqitur një ndryshim në ligjin “Për statusin e deputetit” ku i kërkojnë Kuvendit që t’u rrisë pagat sepse janë një nivel më i lartë se të tjerët. Në relacionin e deputetëve kërkohet se në trajtimin financiar të deputetit, duhet të gjejë pasqyrim edhe shpërblimi i tij për kualifikimet dhe gradat shkencore që ka marrë në profesionin përpara se të bëhej deputet. Sipas tyre, deri në vitin 2007 deputetët e përfitonin këtë të drejtë sipas një vendimi të qeverisë. Vendimi në fjalë është shfuqizuar për shkak se doli një vendim tjetër që anuloi shpërblimin e deputetëve me grada shkencore. Nga kjo nismë mësohet se do të përfitojnë 42 deputetë trajtim financiar shtesë, të cilat pritet të përcaktohen sa më saktë nga ana e Ministrisë së Financave. Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar këtë nismë të paraqitur nga deputetë të pozitës dhe të opozitës, duke theksuar se në seancë Ministria e Financave do të shprehet nëse nisma ka një faturë financiare të përballueshme apo jo. Ndërsa deputetët e kanë cilësuar si një të drejtë të vënë në vend, duke e argumentuar me këtë, ata do të krijojë mundësinë që të nxisin prurjen në politikë dhe në organin më të lartë, përfaqësues të popullit të njerëzve me kualifikime dhe grada shkencore të marra në vend apo jashtë tij dhe do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e legjislacionit të miratuar prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›