“Ish-zyrtarët e regjimit jashtë politikës”
ADI SHKEMBI
Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama”, se ligji do miratohet brenda korrikut, ndërkohë që shpreh bindjen se parlamenti i ardhshëm nuk do të ketë asnjë spiun.
Tre draftet që ju i keni punuar dhe i keni shkrirë në një të vetëm, a mund të thuhet me siguri se do të miratohet në Parlament brenda korrikut?
Janë të gjitha kushtet, mundësitë dhe afatet kohore që ligji të miratohet brenda korrikut. Janë tre pr/ligje mbi të cilat unë kam përgatitur një pr/ligj integral, duke pasur parasysh edhe eksperiencën e vendeve të Këshillit të Evropës. Por çdo deputet dhe grup parlamentar mund të bëjë amendamente dhe t’i paraqesë pranë komisionit ose në Parlament, të cilat do diskutohen dhe në fund do votohen. Por unë besoj se ekziston mundësia që të miratohet brenda këtij sesioni.
Në pr/ligjin që ju keni përgatitur është e përcaktuar se deri në çfarë nivelesh një “spiun” nuk do të kandidojë për poste të larta?
Ligji bën fjalë për papajtueshmëri pozicionesh. Pra, nëse ju jeni në një pozicion të lartë në administratën publike dhe pas verifikimit që i bëhet figurës së personit, ai në mënyrë të menjëhershme e humbet atë post.
Deri në çfarë nivelesh do shtrihet?
Bëhet fjalë për deputetë, ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm, rektorë dhe dekanë universitetesh. Pra, bëhet fjalë për atë nivel që mund të thuhet se ka vendimmarrjen e vendit në dorë. Pra, janë disa kategori, të cilave do t’u bëhet verifikimi i pastërtisë së figurës së tyre.
Po përsa i përket ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, e njëjta gjë do të funksionojë?
Po, e njëjta gjë do të funksionojë edhe për ish-anëtarët e byrosë politike, ish-kandidatët dhe ish-anëtarët e Komitetit Qendror, ish-sekretarët e parë, ish-kryetarët dhe nënkryetarët e komiteteve ekzekutive të asaj kohe. Kuptohet që një pjesë e tyre mbase nuk jetojnë, pasi 18 vite kanë bërë punën e tyre, por në ligj është parashikuar. Gjithsesi kjo do të diskutohet në komision dhe varet se çfarë varianti do të vendoset.
Ka një afat konkret për kohën e funksionimit të këtij komisioni?
Duhet të kemi parasysh se do të shqyrtohen të gjitha dosjet e atyre që kanë poste të larta sot dhe atyre që do të marrin këto funksione nesër. Unë mendoj se kjo duhet të vazhdojë disa vite, derisa ne ti afrohemi një brezi drejtuesish dhe politikanësh që nuk kanë lidhje fizike me regjimin e kaluar dhe ish-sigurimin e shtetit.
Pra, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të ndiqet një procedurë e tillë, që një zyrtar i lartë përpara se të marrë atë post, do kalojë më parë nga komisioni i verifikimit të figurës dhe më pas do të vendoset?
Kjo ka qenë procedura e ndjekur në vitin ‘95-‘96. Kandidati para se të propozohej për një pozicion i bëhej verifikimi dhe, nëse rezultonte se nuk ka qenë bashkëpunëtor emërohej, në rastin e kundërt nuk bëhej emërimi. E njëjta gjë normalisht duhet të ndodhë edhe tani. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në të gjitha vendet e Evropës Lindore.
Ju jeni shprehur se personalisht jeni për hapjen e të gjitha dosjeve. Përse nuk ndodh një gjë e tillë?
Unë kam parë një farë skepticizmi edhe të opinionit publik, edhe të klasës politike shqiptare dhe të opinionit mediatik për hapjen e të gjitha dosjeve. Hapja e të gjitha dosjeve nuk është se ka ndonjë vlerë, por ka transparencë për publikun. Vlera e hapjes së dosjeve qëndron te dosjet e nivele të larta, tek ata që drejtojnë vendin dhe tek ata që kanë vendimmarrjen në dorë.
A ka një përcaktim në ligj se si do të procedohet me ata që janë marrë me dhunë për të qenë informatorë të Sigurimit të Shtetit?
Ligji mund të shoqërohet me akte nënligjore të ndryshme. Në momentin e hapjes së dosjeve mund të dalin probleme teknike, të cilat mund të kenë nevojë për amendime të ndryshme në ligj.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, a mund të themi me siguri se Kuvendi i vitit 2009 do të jetë i “pastër”?
Unë mendoj se me miratimin e këtij ligji dhe me hyrjen e tij në fuqi, Kuvendi i vitit 2009 duhet të jetë i pastër, ashtu siç ka ndodhur edhe në të gjitha vendet e Evropës Lindore. Nuk bëhet fjalë që në parlamentet e Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë të ketë ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, pasi kjo ka qenë një pjesë e shoqërisë, e cila ka bashkëpunuar në dëm të interesit të shoqërisë së këtyre vendeve.
Skeptikë të këtij procesi thonë që në vitet ‘92, ‘97 ndoshta edhe në ‘98 shumë dosje janë prishur. A ka rrezik që të ketë një hapje selektive të dosjeve?
Hapje selektive nuk duhet të ketë. Dosjet do të hapen për të gjitha ato kategori që parashikon ligji. Nëse dosjet janë zhdukur, siç janë shprehur ish-drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror, diskutohet që janë regjistrat e ish-bashkëpunëtorëve. Nuk mendoj se ka vend për një përdorim selektiv apo për një persekutim për asnjë politikan.
Bumçi dhe Isaraj, caktohen relatorët e ligjit kundër spiunëve
Deputetët Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj do të jenë dy relatorët që do të merren me shqyrtimin e tri p/ligjeve në lidhje me ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit. Kryekomisioneri Fatos Beja në mbledhjen e djeshme bëri të ditur se tre projektligjet e paraqitura nga PDK, PS dhe PD për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit do të shqyrtohen nga ana e dy deputetëve, për të dhënë mendimet mbi nismat e paraqitura. Deputeti socialist Arben Isaraj kërkoi që t’i vihet në dispozicion edhe rezoluta e Këshillit të Evropës, që kërkohet dënimi i krimeve të komunizmit. Brenda kësaj jave dy relatorët duhet të realizojnë procesin e shqyrtimit të drafteve dhe të hënën të japin mendimet e tyre në formë propozimesh konkrete.
Sipas Bejës, dy përfaqësuesit e komisionit do të punojnë me pikësynimin për të integruar në të gjitha elementet e domosdoshme ligjin që do të diskutohet në Parlament. Kryekomisioneri Beja u shpreh për median se nuk ishte në dijeni nëse drafti i PD-së do të ripunohej nga ana e demokratit Aleksandër Biberaj. Sipas tij, puna e dy deputetëve do të përqendrohet vetëm te tre draftet e paraqitura prej më shumë se dy vitesh. Ngritja e këtij grupi pune erdhi si rezultat i kërkesës së bërë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dy ditë më parë, e cila me anë të një shkrese kërkoi futjen në kalendarin e punës së Komisionit të Ligjeve, shqyrtimin e p/ligjeve të propozuara nga PD, PS dhe PDK, për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.