Durrës, shemben 5 kate pa leje në një pallat 9-katësh
Pesë katet e ndërtuara pa leje nga një firmë private mbi një pallat të ri, do të shemben. Ky urdhër pritet të dalë dhe të miratohet nga Këshilli Bashkiak për shembjen e kateve pa leje të një pallati në lagjen nr. 4 në Durrës. “Jemi të detyruar ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, - ka deklaruar kryetari Vangjush Dako. Sipas tij, po kryhet një studim për metodën që do të përdoret për shembje.
Së pari mendohet se kjo ndërhyrje do të kërkojë rreth 15 milionë lekë. Kur ky proces të përfundojë, vendimi përkatës do t’i kalojë Këshillit Bashkiak të Durrësit për miratim. Këshilltarët bashkiakë ishin të shqetësuar për ndërtimin e 5 kateve pa leje mbi atë që kishte miratuar KRRT, ndaj edhe kanë kërkuar zbatimin e ligjit. Sipas tyre, përveçse ligji është shkelur, objekti përbën rrezik për jetën e komunitetit.
Këshilli Bashkiak i Durrësit, në mbledhjen e kaluar ose më mirë një shumicë nga anëtarët e tij, i kërkuan llogari drejtuesit të bashkisë, Vangjush Dako, se përse bashkia kishte lejuar ndërtimin e 5 kateve pa leje mbi një pallat në lagjen nr. 4. Leja ishte dhënë për 9 kate, ndërkohë që mbi to u ngritën edhe 5 shtesë. Këshilltarët janë shprehur se “vetë konstruksioni i objektit përbën rrezik për jetët e banorëve të zonës”.
Bashkiakët nga ana e tyre kanë paraqitur dokumente, të cilat tregojnë korrespondencën me ndërtuesin, të cilin e kishin urdhëruar të ndërpriste punimet dhe me Gjykatën e Faktit, pasi këtë çështje e kanë dërguar për gjykim.
Por “syri qorr” i bashkisë bëri që me gjithë disa masa të marra nga ana e saj mbi pallat u ndërtuan edhe 5 kate të tjera shtesë. Dako shprehet: “Me gjithë punën që do të bëjmë për prishjen e kateve pa leje, përgjegjësi ligjore do të mbajnë edhe ish-drejtuesit e Policisë Ndërtimore të cilët lejuan një situatë të tillë”. Për të prishur shtesën pa leje të këtij pallati, në bashki po punojnë për të kryer një studim në bazë të të cilit do të hartohet projekti përkatës.
Më pas Këshillit Bashkiak do t’i dërgohet projekt-vendimi si dhe fondi që kërkon ky operacion për t’u realizuar, pasi për këtë ndërhyrje do të nevojiten rreth 15 milionë lekë. Gjithashtu, do të zhvillohet edhe tender për firmën e cila do të prishë me pajisje moderne 5 katet pa leje, të cilat janë ngritur frikshëm mbi 9 katet ekzistuese të pallatit.
Universitetet shqiptare, në garë me homologët e rajonit
Ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, kërkoi dje kryerjen e një renditjeje të universiteteve të të gjithë rajonit. Kërkesa e z. Tafaj u bë gjatë konferencës së 5-të të arsimit për vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, ku morri pjesë si kryesues i delegacionit shqiptar. Konferenca, që u zhvillua në Budva të Malit të Zi, kishte si temë kryesore “sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë në vendet e Evropës Juglindore”.
Ministrat e pranishëm në këtë konferencë ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në këtë kontekst vendet pjesëmarrëse do të mbështesin një iniciativë për krijimin e një rrjeti të “Agjencive të Sigurimit të Cilësisë dhe Akreditimit” për vlerësimin e jashtëm të shkollave të larta të rajonit, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e një klasifikimi rajonal të universiteteve dhe diplomave.
Diskutimet u përqendruan në çështjet e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Ministri shqiptar i Arsimit njohu homologët e tij me reformat e ndërmarra në arsimin e lartë në këto 4 vitet e fundit dhe me prioritetet e qeverisë “Berisha 2” në këtë fushë.
Ministri Tafaj theksoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar rritjes së buxhetit në arsimin e lartë. “Buxheti i vitit 2009 për arsimin e lartë është rritur në masën 40% krahasuar me atë të një viti më parë dhe gjatë vitit 2010 do të ketë një rritje të ndjeshme, - tha Tafaj, - çka tregon shkallën e lartë prioritare që i ka dhënë qeveria Berisha sektorit të arsimit të lartë”.
Takimi ministror i parapriu një konference të Evropës Juglindore, e organizuar nga qeveria e Malit të Zi dhe Banka Botërore me temë “Sistemi i financimit të arsimit të lartë në periudhën e krizës financiare”, në të cilën u diskutua për zhvillimet aktuale në fushën e sistemeve dhe modeleve të financimit të arsimit të lartë publik dhe jopublik.
Në këtë konferencë ministri shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, shoqërohej nga rektorët e universiteteve publike dhe private në vend, z. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës, z. Jorgo Kaçani rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, z. Fatos Harizaj, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Agim Kukeli, rektor i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, z. Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve dhe z. Henri Çili, Universiteti Evropian i Tiranës.