"Dashuri" në kohë krize
Tani që e paracaktuan të bashkëpunojnë me një pjesë të vogël të qendrës së majtë, demokratët kanë rastin të rimarrin edhe njëherë në shqyrtim programet dhe strategjitë e tyre të mëparshme. Sigurisht, ata do të konsumojnë shumë fjalë për t'i mbushur mendjen publikut se do të synojnë edhe më tej "integrimin e vendit".
Por, patjetër që do të kujtohen edhe për programet dhe strategjitë e miratuara më parë. Kështu, në mandatin e sapombyllur, qeveria e "Koalicionit për Ndryshimin", miratoi të ashtuquajturën "Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013" (SKZHI). Atëherë, Kryeministri Sali Berisha ishte shprehur pak a shumë: "Strategjia është dokument themelor që përcakton vizionin dhe përparësitë e qeverisë për vitet 2007-2013.
Ajo sintetizon mendimin më të avancuar të kohës për të adresuar të gjitha problemet e vendit, në mënyrë që t'u ofrojë qytetarëve shqiptarë të njëjtat standarde, që u ofrohen qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, standarde të detyrueshme dhe që kanë të bëjnë me liritë e të drejtat e tyre: lirinë ekonomike, me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit."
I gjithë ky mundim (në teori) nuk prodhoi ndonjë rezultat, sa u takon termave të fundit. Korrupsioni nuk u zbyth gjatë qeverisjes më të fundit të demokratëve, përkundrazi, lulëzoi.
Ca nëpunës të vegjël tek-tuk (kryesisht të komunave), morën ndonjë dënim simbolik ose u dëbuan nga postet. Për temat e mëdha të korrupsionit, që nga rruga e përfolur Rrëshen-Kalimash, deri tek ai turpi i quajtur Gërdec, ka heshtje dhe vetëm heshtje. Deri edhe disa drejtorë e zyrtarë të tjerë të lartë, të akuzuar për korrupsion me fondet e rrugëve, pothuaj kanë fituar pafajësinë.
Partitë politike marrin shumë përsipër në lidhje me luftën kundër korrupsionit, sidomos kur janë në fushatë elektorale. Por, mandej, përmes drejtuesve apo militantëve, ato të parat bëhen shembulli më i keq i deformimit dhe i keqpërdorimit të mandatit.
Për dokumentin që u zu goje më lart, ("Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013"), siç u tha atëherë, ishin sjellë ekspertizat më të mira në të gjitha fushat, "në atë ekonomike, sociale, arsim, shëndetësi, shkencë, bujqësi, në fushën e mbrojtjes, infrastrukturë, kulturë, financa, çështjet sociale, të mjedisit."
Por, duke përjashtuar disa reforma e arritje në sistemin fiskal, Shqipëria, përgjithësisht, u qëndroi larg reformave thelbësore. Përndryshe, nuk mund të shpjegohet pse Bashkimi Evropian, së paku për liberalizimin e vizave, ua ndezi dritën jeshile fqinjëve tanë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, madje edhe Serbisë; kurse për ne dhe Bosnjë-Hercegovinën, gjeti një klasifikim pothuaj diskriminues.
Shkojmë edhe më tej. Në rastin e prezantimit të strategjisë, u tha: "Reforma në sistemin shëndetësor dhe kompletimi i saj është një nga objektivat madhore.
Qeveria është gjithnjë shumë e ndjeshme ndaj problemeve sociale, ndaj edhe këto shërbime do të kenë programet, projektet dhe financimin e tyre, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve sociale..."
Nëse këtu ka një sërë gabimesh gramatikore, kjo edhe mund të mirëkuptohet. (Për shembull, duhet thënë "objektivat madhorë"; me fjalën "shërbime" është sajuar një lëmsh i vërtetë etj.)
Ajo që të shqetëson seriozisht, është përvoja e papranueshme e qeverisë së fjalëve e strategjive të mëdha në disa fusha të rëndësishme, përfshi shëndetësinë, çështjet sociale dhe sidomos ato të mjedisit.
Nëse e marrim nga fundi, treguesit e gjendjes së mjedisit janë kritikë, nga veriu në jug, nga thellësitë e vendit, në zemër të tij. Deformimi i shtretërve të lumenjve kryesorë dhe i natyrës në përgjithësi, është një mosarritje e madhe.
Dhe as që mund të jetë ndryshe, kur vetë ministrat kontrollojnë biznese dhe iniciativa që vijnë në kundërshtim me kërkesat e standardeve evropiane për mjedisin.
Kurajë e madhe nga ana e qeverisë shqiptare për të zhvilluar nisma energjetike pa fund, nga veriu në jug, përgjatë gjithë Ultësirës Perëndimore, e cila tani mund të quhet edhe Ultësira Industriale. Kjo i habit edhe ekspertët, politikanët dhe mediat e huaja.
Përpara disa kohësh, gazeta e njohur britanike, "Guardian", shkruante gati me sarkazëm: "Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Evropë, me kufizime të theksuara të energjisë dhe me një nivel të ulët kapitali. Por Shqipëria është sypatrembur..." Komentet e mëtejshme janë të tepërta.
Gjithnjë, në rastin e prezantimit të "Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim", u tha se kjo e përgatit plotësisht vendin për integrim, "drejt këtij stacioni, ku Shqipëria po udhëton në mënyrë të pandalshme".
Prej 20 vitesh, dëgjojmë demagogji këso dhe shikojmë maskarada nga më të shëmtuarat, si kjo e fundit, kur kundërshtarë të stërsharë do të qeveriskan së bashku(!).
Një "dashuri" në kohëra krize, kur aktualisht vërehet rënie e depozitave bankare dhe frenim i kredive, deficit i lartë tregtar (13.1 % më i lartë se në vitin 2007), deficit i llogarisë korrente (me një rekord historik prej 1.3 miliardë euro,) po ashtu deficiti buxhetor etj.
Mënyra se si ka ecur Shqipëria nga viti 1991 e këtej, është përvoja më e keqe e mundshme. Por, më e keqe akoma, është mosnjohja e dobësive dhe e mosarritjeve, përqeshja e vazhdueshme me elektoratin, që ende përpunohet dhe vidhet pothuaj haptazi.
E, siç na mëson një fjalë e urtë popullore, "Sipas kokës edhe festen"; që do të thotë se, partnerët nuk ndezin dritën jeshile për liberalizimin e vizave, nuk vlerësojnë me notë të mirë zgjedhjet e fundit, për të pritur më tutje nuk di çfarë. Me një qeveri të brishtë, që ecën nëpër po ato gjurmë e në po atë "baltë", që nuk u la dot asnjëherë...