Digjet banesa, rrezikohen disa të tjera
GJIROKASTËR- Shënohet rasti i parë i rënies së zjarrit për këtë verë në qytetin e Gjirokastrës. Mesditën e sotme, flakët e zjarrit kanë përpirë një banesë të braktisur në lagjen "Dunavat", ndërsa rrezikuan edhe banesa të tjera që ndodheshin përreth. Ndërkaq, për më shumë se gjysmë ore efektivat zjarrfikës dhe ata të policisë kanë punuar për izolimin e flakëve dhe më tej edhe shuarjen e plotë të tyre. Grupi hetimor konstatoi se shkaku i zjarrit bazuar dhe në dëshmitë e marra në vendngjarje, por dhe nga ekspertët e zjarrfikëses, është nga pakujdesia, pasi aty luanin disa fëmijë të lagjes. Në këtë banesë dhe në banesën ngjitur nuk kishte energji elektrike prej kohësh pasi nuk banonte njeri. Banesa ishte gjysmë e rrënuar. Ndërkaq, rreziku i zjarreve në lagjet e sipërme të qytetit të Gjirokastrës është shumë i madh, për shkak të afërsisë së banesave nga njëra anë si dhe të ndërtimit të tyre.