E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi i europian i Ballkanit

Në asnjë moment dhe për asnjë arsye, drejtuesit e politikës evropiane nuk kanë reshtur së inkurajuari dhe mbështetur politikisht, institucionalisht, por edhe financiarisht, vendet e Ballkanit, me synim konsolidimin e stabilitetit në rajonin më problematik të dy dekadave të fundit.


Këtë angazhim, ata, madje, e kanë etiketuar edhe si sfidë madhore të këtij organizmi për të konfirmuar aftësinë e vet në menaxhimin e plotë të çdo çështjeje, sado e komplikuar qoftë, që ndodh brenda hapësirës së kontinentit të vjetër. "Në rast se dështojmë në Ballkan, do të dështojmë në çdo gjë dhe kjo për ne nuk përbën një alternativë", ka qenë edhe motoja e tyre.


Fillimisht çelja dhe më pas zgjerimi gradual i perspektivës së anëtarësimit në BE, u pranua si rruga më e mirë për ta stabilizuar edhe këtë rajon, ashtu siç ndodhi më herët me një grup shtetesh nga Evropa Qendrore dhe Lindore.


Këtë mesazh, jo vetëm e kanë kuptuar, por ndonëse me ritme dhe me shpejtësi të ndryshme, po përpiqen që ta aplikojnë me fare pak përjashtime të gjitha vendet ballkanike.


Pavarësisht prej problematikës individuale, me të cilat përballet çdo shtet, ato së bashku po ballafaqohen me një sërë tematikash, për të cilat tashmë janë ndërgjegjësuar se mund të zgjidhen më mirë nëse do të trajtoheshin në grup.


Më konkretisht, mes tyre spikasin lufta kundër krimit të organizuar, trafikut klandestin të të gjitha trajtave e formave, korrupsionit, inkurajimit të bashkëpunimit ndërkufitar në ekonomi, financë, dogana, tregti, energjetikë, për ruajtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të minoriteteve, mbrojtjen e mjedisit, por edhe të lehtësimit të lëvizjes së lirë në të ashtuquajturin "Shengen Ballkanik". Të gjitha këto, por edhe mjaft çështje të tjera, mbeten dimensione të vërteta jetike të intensifikimit të komunikimit të ndërsjellë.


Pa dyshim që, përmbushja graduale dhe me efikasitet e këtyre prioriteteve, jo vetëm që shërben si prelud anëtarësimi në BE, por në të njëjtën kohë ndikon tejet pozitivisht edhe në krijimin dhe konsolidimin e frymës së respektit dhe, mbi të gjitha, të besimit reciprok, që, për arsye të pafundme, kryesisht historiko - nacionaliste, është i ulët. Kjo tendencë, sigurisht, nuk ka lindur në një terren krejt të zbrazur.


Ajo ka qenë mbi të gjitha një këshillë dhe direktivë qendrore e Brukselit, por që vetëm kohët e fundit po shoqërohet me ndërgjegjësim konstant e në rritje. Nga ana e saj, BE-ja, në mbështetje të këtyre nismave, e rriti me rreth 200 milionë euro ndihmën e vet për vendet e Ballkanit, ose me fjalë të tjera, në masën e 12%.


Shumë zyrtarë të këtij organizmi janë shprehur me insistim se, aftësia e liderëve ballkanikë është që ta kuptojnë në kohë trendin dhe të dinë t'i konkretizojnë e materializojnë aspiratat e tyre proevropiane. Ata qëndrojnë gjithnjë të gatshëm. Këtë e konfirmon së fundi edhe fillimi i procedurave për lehtësimin e vizave të tre vendeve ballkanike. Shqipëria është ende në listën e pritjes.

Gjashtë vende ballkanike, apo të jugut të Evropës, siç po përkufizohen gjithnjë e më shpesh, shpresojnë të anëtarësohen gjatë viteve të ardhshme në këtë organizëm. Ato janë: Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.


Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në cilësinë e presidentëve të radhës të këtij organizmi, kanë vazhduar njëra pas tjetrës që ta theksojnë me forcë angazhimin maksimal të tyre për të kontribuar ndjeshëm në jetësimin e zgjerimit dhe të kompaktësimit të BE-së. Së fundmi, Suedia, e cila porsa mori drejtimin e këtij organizmi, madje në ditën e parë të saj, nëpërmjet ministrit të jashtëm, Karl Bild, një njohës brilant i historisë dhe politikës së Ballkanit, e nënvizoi sërish integrimin ballkanik si një ndër prioritetet më të rëndësishme të mandatit të saj gjashtëmujor. Kjo ndodh pavarësisht prej faktit se agjenda e nordikëve është tejet e ngjeshur me probleme madhore, siç është kriza ekonomike - financiare.

Dëshira e "klubit evropian" për zgjerim, është konkrete; e tillë është edhe retorika e të gjashtë shteteve ballkanike.


Problem përbën realiteti dhe plotësimi i standardeve. Frenim, mbi të gjitha, përbën ekzistenca e krimit të organizuar dhe e korrupsionit që përbëjnë shqetësimin më serioz për stabilitetin, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe, në fund të fundit, për një frymëmarrje më të lirë demokratike të të gjithë shoqërisë.


Më tej, edhe për shkak të shtrirjes dhe organizmit në të gjitha vendet ballkanike, ai përbën shqetësim për të gjithë kontinentin.


Lajmet mbi aktivitetin e krimit me bazë në Ballkan, janë të shpeshta. Kjo është edhe arsyeja se përse në çdo raport, analizë, diskutim, takim dhe deklaratë, ky element mbetet parësor.


Mesazhi i luftës së pakompromis kundër këtij fenomeni, nënvizohet me forcë edhe në çdo vizitë që zhvillojnë në këtë rajon ministra dhe hierarkë evropianë. Sipas tyre, në kuadrin e globalizimit, është e pamundur që problemet më të mprehta të izolohen dhe kufizohen, ndaj, përmbushja e detyrave të shtëpisë nga secili vend individualisht, por edhe nga i gjithë rajoni në grup, mbetet përparësi më shumë sesa e mirëpritur.


Pavarësisht prej prioriteteve të përbashkëtave, vendet e rajonit janë të detyruara të punojnë individualisht për përmbushjen e kritereve të mirëpërcaktuara nga Bashkimi Evropian.


Ato janë të qarta, por mbi të gjitha, siç kanë nënvizuar vetë shumë drejtues të saj, janë krejtësisht të panegociueshme; çka do të thotë se janë tërësisht të angazhuar që të mos bëjnë më asnjë lëshim në cilësinë e tyre. Shembujt e Bullgarisë dhe Rumanisë, dy vende ballkanike që u anëtarësuan në këtë organizëm, por me probleme të papërmbushuara në të gjithë rrafshet, shërbejnë si raste ilustruese për ta konfirmuar se, BE-ja nuk bën më lëshime.


Ky është një realitet konkret dhe kokëfortë që shërben si mësim jo vetëm për BE-në, por mbi të gjitha, për vetë gjashtë shtetet e rajonit. Tani, fare qartë, ato që në gjuhën e përditshme quhen 'detyra shtëpie', duhen përmbushur katërcipërisht.


Shprehja "dyert e Bashkimit Europian janë të hapura, por varet nga plotësimi i kushteve dhe i standardeve, "vazhdon të mbetet më shumë sesa kuptimplote. Problematika e brendshme me të cilën po ballafaqohet BE-ja, është një problem, por që nuk pengon zgjerimin, pasi tashmë janë evidentuar si çështje që "udhëtojnë në shina të ndara". Ballkani duhet të marrë vetë në dorë iniciativën dhe të ardhmen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›