E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galharague: Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha priti sot pasdite, Drejtorin për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Roland Galharague. Kryeministri Berisha u shprehu kënaqësinë e tij që Ministria e Jashtme franceze ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë, si vendin ku do të mbahet takimi i Ambasadorëve të Republikës franceze në Ballkan. Ndërsa Drejtori për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës theksoi se ndihej i privilegjuar që ndodhej në Shqipëri, si përfaqësues i Ministrisë së Jashtme franceze në këtë takim, i cili zhvillohet në Shqipëri, edhe për faktin se Shqipëria ka njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit. Zoti Galharague i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se këto zgjedhje janë një fitore, jo vetëm për Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike, por për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj, zhvillim i cili është i njohur tashmë në sytë e mbarë komunitetit ndërkombëtar. Ai u shpreh se Franca mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›