E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtojnë shkurtimet e vendeve të punës

Francë Grevë e kontrollorëve të fluturimit, paralizohen aeroportet

Qindra fluturime ajrore në Francë janë pezulluar dhe madje edhe shumë aeroporte të vegjël janë mbyllur fare dje, për shkak të një greve të kontrollorëve të trafikut ajror. Ata kanë shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre në lidhje me një plan që synon unifikimin e hapësirës ajrore europiane. Gjysma e fluturimeve në dy aeroportet më të mëdha të Parisit janë ndaluar, sipas burimeve të autoritetit të aviacionit. Greva ka përfshirë një numër më të madh fluturimesh të anuluara të linjave brenda vendit. Sipas informacioneve, në grevë morën pjesë rreth 30% e kontrollorëve të trafikut ajror. Greva, që në fakt ka filluar të martën në darkë, do të marrë fund sot në orët e para të mëngjesit. Kontrollorët e trafikut ajror kanë frikë se mos projekti “Qielli i përbashkët europian”, që synon sigurimin e një efikasiteti më të madh në të gjithë kufijtë ajrorë të kontinentit, mund të ketë ndërkohë edhe shkurtime të ndjeshme të vendeve të punës dhe kryesisht të kontrollorëve ajrorë që mund të dalin në rrugë të madhe. Sipas planit, që synon të përballet me sfidat e shtimit të trafikut ajror, 27 sistemet e veçuara që operojnë tani do të reduktohen në 9 të tillë, duke shkurtuar detyrimisht vende pune, pasi sistemi do të kompjuterizohet më shumë dhe do të centralizohet. Ndërkohë, udhëtarët, që edhe njëherë kanë mbetur në mes të rrugës, janë shprehur të pakënaqur për këto mënyra proteste, të cilat shkaktojnë në fakt dëme të mëdha te njerëzit e thjeshtë. Për më tepër që shumë familje dhe njerëz janë në valën e udhëtimeve turistike dhe ky është piku i fluturimeve gjatë gjithë vitit. Punonjësit e aviacionit civil kanë paralajmëruar ndërkohë edhe greva të tjera gjatë javëve në vazhdim, nëse qeveria nuk do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›