E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria ime e pare platonike

IRMA Kurti*

Kur takoheshim, veshtrimi im humbiste ne syte e tij te medhenj. Nuk arrija te thosha asnje fjale, zemra me rrihte ne menyre te perbindshme. Me dukej sikur ajo do te ma cante gjoksin e do te me braktiste per t'u gjendur prane zemres se tij.
Isha ne konvikt, se bashku me shoqet e mia, kur nje dite degjova emrin tim te thirrej ne korridor. Kjo nenkuptonte se dikush kishte ardhur te me takonte. Zbrita shkallet, shpresoja te ishte ai qe me priste, endrra ime, motivi i neteve pa gjume. Kisha veshur nje fustan lino te verdhe, floket i mbaja te shkurtra, isha e zbehte ne fytyre, emocioni me kishte pushtuar te teren. Kur e pashe, m'u duk sikur cdo gje perreth mori permasa magjike, shpirti m'u hap si nje det; takova lumturine. Nuk arrija te arsyetoja ne ato caste, isha pre e nje pasioni qe po i trondiste ditet e mia te zbehta e pa ngjyre.
- Si je? - me pyeti ai.
- Mire! - u pergjigja une me nje ze qe nuk i ngjante timit.
- Me ra rruga kendej... je e lire neser, te takohemi pasdite?
Isha e lire, per te. E dija qe nuk kishte ardhur rastesisht, ndihesha e lumtur. Me dha nje perqafim te lehte; kisha gjithe universin ne krahet e mi.
Mbremja e neserme ishte e paharrueshme. Ndoshta kisha shume pak data per t'u shenuar ne kalendarin tim te zemres dhe nje dite qe ishte ndryshe nga e zakonshmja, ma mbushte shpirtin me frymezim. Ai erdhi drejt meje me hapa te lehte; keshtu do te hynte dhe ne te gjitha vargjet e mia. Dora e tij preku timen e mua me dukej se rroka qiellin. Ai kontakt i lehte, veshtrimi i tij tek humbiste ne timin, fjalet qe e humbnin formen e tyre dhe rrokjezoheshin kur e kisha prane vetes. Ishte kjo mbremje qe me frymezoi te shkruaja vargjet e kenges Mbremja qe mban dashurine time, qe u kendua ne Festivalin e 25-te te kenges ne RTV, ne dhjetor 1986.
Takimi yne i dyte dhe i fundit ishte pas disa ditesh. E prisja me padurim perballe Ekspozites "Shqiperia sot". E shoh nga larg qe nxiton, pothuaj vrapon, fshin ballin me nje shami, eshte me vonese.
- Me fal! - degjoj zerin e tij si peshperime. Isha e djersitur, e emocionuar, e tronditur.
Ecnim, kishte rene shi. Pikat e shiut pushonin mbi gjethe pemesh. Dielli here dilte e fshihej neper re, ndriconte mbi pikat e shiut dhe ato dukeshin si lot te ndritshem.
- Eja ulemi ketu, te ky stoli, - me tha ai. Zeri i tij ishte nje melodi qe ma paqtonte shpirtin. Doja te mbyllja syte, te prekja sahatin e madh te kohes dhe t'i ndaloja akrepat tek ai cast, te qenia e tij prane meje. U ngrit me kembe dhe iu drejtua nje peme, nisi ta shkundte, donte te me ngacmonte. Qindra pika shiu rane mbi supet e mi, si nje bekim, si nje ujevare puthjesh. E doja me gjithe shpirt! Ai cast zuri vend ne nje nga tekstet e mia me te njohura te kenges Urimi yt. Me pas ai me terhoqi pas vetes, me perqafoi, donte te me puthte. U ndjeva e frikesuar, e trembur; ne veshet e mi filloi te oshtinte kambana e alarmit: "Ai do qe te kete gjithcka nga ti e pastaj do te te lere!" Doja t'i thosha shume e shume gjera, por isha ne nje burg ndjenjash, emocionesh, celesin e te cilit e mbanin njerezit qe me rrethonin, mentaliteti i tyre.
- Degjo, S., - i thashe une me nje fije zeri. S'isha une ajo qe po flisja, ishte njeriu i tjetersuar nga mentaliteti i kohes, zeri i frikerave te mia, atyre qe flinin thelle brenda meje e qe tanime, ne rastin me te pare, u zgjuan. - Ne nuk mund te dalim me me njeri-tjetrin. Tani nuk kam ndermend te njoh dike, dua te mesoj, kam shkollen.
- Je e bindur per kete? - me pyeti ai, paksa i habitur.
- Jam plotesisht e bindur, - u pergjigj njeriu tjeter brenda meje. - Ia kalofsh mire dhe pac fat!
U ndame per te mos u takuar me. Nuk e pashe me per 25 vjet, pervecse ne endrrat e mia.

As edhe nje cast ne kujtesen e tij
Ne mendimet e mia kishte mbetur i paprekur nga koha, i bukur, me sy jeshile e floke kacurrela. Imazhi i rinise sime te hershme! Isha lodhur se enderruari. Portretin e tij e kisha krijuar dhe rikrijuar ne mendje me mijera here. Nuk e putha asnjehere, por e mendova gjithe jeten! Pas zhgenjimeve te mia sentimentale, ne pamundesine per te gjetur njeriun qe do te me qendronte prane gjithe jeten, qe do ta doja e do te me donte me nje dashuri te perjetshme, ai me shfaqej gjithnje. Si nje sfide, si nje tallje! Njeriu qe s'arrita ta prek, t'u pergjigjem veshtrimeve te tij te zjarrta, dritherimave te trupit, teksa me perqafonte e perhumbej ne muzgun e syve te mi.
Nuk e kerkova kurre! Por e prisja. Kur kenget me tekstet e mia njohen skenen e festivaleve dhe te koncerteve te pranveres, une mendoja se do t'i vija nje cast ne kujtese. Mendoja se emri im do t'i kujtohej, do t'i zgjonte paksa mall dhe ai do te vinte ne Qytetin Studenti, sic kishte bere dikur.
Sa here me behej sikur degjoja emrin tim te therritej ne korridorin e konviktit te vajzave, ndieja zemren te me rrihte, gabimisht. Sepse ai nuk erdhi. Ndoshta, i perfshire ne histori apo aventura, i arritshem nga te gjithe, por jo nga une. Nuk doja asgje tjeter, vec te isha prane tij, ta perqafoja, te me mesonte magjine e prekjes se pare! Por me mungonte kuraja, isha e guximshme vetem ne perfytyrimet e mia! E gjithe jeta ime ishte nje pritje.
Pas 4 vjetesh, kur hyra ne Universitet, gjykoja veten pse nuk kisha shkuar ta kerkoja e nderkohe ndieja sesi kisha ngecur ne kurthin e pritjes dhe s'mund te clirohesha kurre nga njeriu tjeter brenda meje - qe s'me linte kurrsesi te beja hapin e pare, sepse isha femer - ta kerkoja, te jetoja ate histori dashurie, e shkujdesur, pa shume "pse?".

Dy te panjohur
Do ta takoja pas 25 vjetesh, ne rrethana qe nuk i kisha imagjinuar me pare. Takimin me te e kisha menduar ne dite me diell e me shi, prane shtepise se tij apo simes, ne rruge, ne plazh... kudo qofte. Por asnjehere ne spital, kur ime me u shtrua ne prill te vitit 2005.
Kisha degjuar se ishte martuar e se kishte dy femije. Sa here kaloja prane Ministrise se Jashtme, syte me mbeteshin te dritarja e apartamentit te tij ne katin e katert. E ndiqja me veshtrim ate dritare, shpesh ngadalesoja hapat dhe perfytyrimi im merrte krahe. Ndoshta ajo ishte dhoma e femijeve te tij. Ndoshta dhoma e gjumit, ku ndante netet me gruan. Me dukej se dikush me binte ne fytyre me nje shuplake te forte dhe largohesha me hap te shpejte. Perpiqesha ta fshija nga mendja, por ai kishte ngecur ne formen e nje kujtimi ne zemren time. Ndoshta pikerisht per faktin se nuk u realizua asnjehere, mbeti nje enderr, nje iluzion.
Po i ngjitja me mundim shkallet e spitalit, suvaja e mureve ne shume vende kishte rene. Shkallet ishin me pluhur e balte, dhjetera njerez hynin e dilnin, si ne shtepine e tyre. Gjithcka e mjere, e shkrete; ashtu ndihesha edhe une. Mberrij ne katin e fundit dhe degjoj qe dikush permend emrin e tij. Ne jeten time, sa here qe degjoja kete emer, kthehesha e gjitha ne nje heshtje, ndieja qe me vershonin kujtimet e nuk mund ta ndalja vershimin e tyre. Instinktivisht ktheva koken. Tashme e lodhur, e pashprese se do te takoja njeriun e endrrave te mia. Befas, e pashe ate, veshur me perparesen e mjekut. Ndjeva zemren te ma godiste fort kraharorin, sikur te me tregonte se ajo rrihte akoma. Nuk isha me vajza e brishte, tejet e rezervuar, qe e mendonte cdo hap qe hidhte. E veshtrova me vemendje. Floket i kishte me te rralle, por syte ishin po ata. Nisa te hedh hapat drejt tij. Gjithcka me dukej ireale, e pavertete. Ishim prane njeri-tjetrit. Une jo shume e lirshme nga emocioni, ai me nje cehre akulli ne fytyre. Me njohu menjehere, me buzeqeshi, me zgjati doren. Nuk ishte me nje enderr.
- Si je? - me pyeti. - Mora vesh se ke shtruar nenen ne kete pavijon.
- Po, - iu pergjigja une me nje fije zeri, - nuk e prisja te te shihja ketu...
- Kam vite qe punoj ketu, qekur mbarova universitetin. Po, eja, eja ne zyren time e flasim, - me tha ai.
E ndoqa pa fjale, si femije. Mijera mendime nisen te ma trazonin mendjen ne ato pak metra qe na ndanin nga zyra e tij. Sa do te doja t'i tregoja per te gjitha vitet e cmendurise sime, kur e enderroja...
U ula ne nje cep te karriges. Nisa te shihja perreth, qe mos ndeshesha me veshtrimin e tij. Ne thelb, isha prape une, e ndrojtur, si atehere.
- Me thuaj dicka per veten, - m'u drejtua ai.
- Dicka per veten! E c'mund te te them... - peshperita,...une, nje produkt i deshtuar pasionesh, enderrimesh te shkrumbuara nga pritja e gjate, me ty protagonist? A mund te permblidhet jeta e dikujt ne pak minuta? A mund te behen te zeshme pasioni, dritherimat, mbeshtjellja e nje casti ne duart e tua grusht, nga frika se ai cast do te ike pergjithnje?
Nuk di se c'nisa te them ekzaktesisht, por asgje nga skenari qe kisha ndertuar ne mendjen time, nese do ta takoja nje dite. Me kalimin e viteve, perfytyrimi im ishte lodhur dhe tashme nuk arrinte vecse te me ofronte variante te skaduara.
- Po ti? - iu drejtova une.
- Kam dy femije, - me tha ai, - por jam i divorcuar.
Trokiti dera dhe brenda hyri nje mjeke. Syte e tyre u takuan dhe dicka thane ne heshtje. Me pas mjekja me zhbiroi nga koka te kembet me nje veshtrim hetues. Ish-endrra ime u ndje jo mire nga prania ime dhe, duke iu drejtuar asaj, tha:
- Ja, tani mbaroj.
Ajo doli dhe m'u duk se tashme i kisha minutat e numeruara. Nuk mund te heshtja me. Kisha heshtur gjithe jeten. Duhej ta perfshija patjeter ne biseden e asaj dite te pakten nje pjese te skenarit qe kisha pergatitur neper vite, ne rast te nje takimi te mundshem me te.
- Dua te te bej nje pyetje... - Ndjeva qe po me merrej goja. - Kam gjithe jeten qe ia kam bere vetes e nepermjet saj, ty: a me ke dashur ndonjehere, apo ke qene thjesht nje imazh, nje pjelle e frymezimit, e idealizmit tim?
Ai qeshi. Heshti nje hop, qe m'u duk nje pafundesi.
- Patjeter qe kam ndjere per ty, te mendoja, me pelqente te dilnim bashke, por ishe ti qe hezitoje.
- Po pse nuk me the te pakten nje here qe te pelqeja, qe ndieje per mua, ndoshta kjo do te m'i bente gjerat me te lehta.
Kjo s'ishte pyetje, por nje britme, nje dhimbje.
- Vertet mendoje se ishin rastesi ato dy here qe u gjenda ne rrugen e shkolles tende, apo kur erdha te te takoja ne konvikt? Kaq e nevojshme ishte te ta thosha me fjale: "Te dua"? Gjerat kuptohen, merren me mend!
Ula koken. Ai m'i kishte roberuar mendimet per shume vjet, por ne ishim vecse dy te panjohur; ai nuk me njihte, por as une. E kote t'i thosha: "Ishte teper e nevojshme per mua te degjoja sesi rrokezoheshin ne fjale ndjenjat e tua, kisha nevoje te ndihesha e sigurt, e qete, qe t'i hidhja hapat shkujdesshem ne udhen qe me trembte e me nxiste shumefish per ta pershkuar me ty. Vetem keshtu mund te dilja nga burgu ne te cilin kisha mbyllur veten dhe ndjenjat e mia." Por heshta. Mjeku me siguri nuk do te me kuptonte.
- Ah, dua te te them dhe nje gje te fundit, - u kujtova une. - A e di qe tekstet e kengeve te mia te kushtoheshin te gjitha ty? Se ishin nje thirrje qe ti te ktheheshe tek une?
- Po, - m'u pergjigj ai me nje ze te prere. Sikur po i thoshte kolegeve te tij: "Do te jem edhe une ne mbledhje sot". Me pas vazhdoi: - E kisha kuptuar, por une kisha miqesite e mia e nuk mund te kthehesha me pas.
- Ah! - qesha une me zor. - Isha me vonese atehere!
- Le te themi keshtu, - ma priti ai. - Une kisha krijuar lidhjet e mia, jeta vazhdonte edhe pa ty.
Une heshta. Por brenda meje nje mendim cinik ma ngacmoi trurin: "Nuk doje te prishje miqesite e tua, por tani ke mbetur me vetem se une!"
U ngrita dhe i zgjata doren. Pellemba e tij ishte e ftohte, zemra ime sapo ishte thyer, syte e mi nuk kerkonin me te tijte, ata po shihnin copezat e fundit te therrmuara te endrres sime me te madhe.

*Marre nga libri: "Midis dy brigjeve" i Irma Kurtit, ne botim nga Shtepia Botuese: "Dudaj". Pjesa botohet me lejen e autores

Libra te autores:

"Kete nate me ty"- poezi, 1999

"Shihemi ne nje tjeter bote"- poezi, 2002

"Qirinjte jane fikur"- poezi, 2003

"Bej sikur fle"- poezi, 2005

"Puthja e fundit"- poezi, 2007

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›