E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shn-DRITË-shme

Në Ditën Botërore të Teatrit, udhëheqësit e Teatrit Kombëtar e dhanë çmimin për vepër jetësore si dhe çmimin e dytë dhe të tretë “Katarina Josipi” për vitin 2009. Ndërsa çmimi i parë mbeti bosh. Ai nuk iu dha askujt. Arsyetimi i jurisë ishte se asnjë prej 26 dramave që kanë konkurruar nuk e meriton çmimin e parë.

Drita e shndritshme

Aktorja e njohur kosovare Drita Krasniqi u shpall fituese e çmimit për vepër jetësore. Në hollin e Teatrit Kombëtar, ku u shpallën fituesit, për të shënuar Ditën Botërore të Teatrit, u lexua edhe mesazhi ndërkombëtar i shkruar nga aktorja Dame Judi Dench.
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha tha në këtë ceremoni se kurrë në jetë nuk ka besuar që do të jetë ajo që do të publikojë këtë emër për një aktore që, siç u shpreh ajo, ka një respekt të veçantë për punën e saj ndër vite.
“Komisioni i përbërë nga Shkëlzen Maliqi, Jeton Neziraj dhe unë dhe është miratuar nga bordi i teatrit sivjet çmimin vjetor për vepër jetësore e fiton aktorja Drita Krasniqi”, tha Berisha. Ajo tregoi se çmimet do të jepen nga ministri i kulturës, Valton Beqiri, të hënën në kabinetin e tij.
E emocionuar, aktorja Drita Krasniqi tha se “ky çmim më erdhi në pranverë dhe ma freskoi shpirtin dhe ma dha edhe më shumë mbështetjen në kuptimin dhe dashurinë që e kam për tempullin e Talias”.
Këtë çmim, ajo tha se ua dedikon së pari prindërve të saj, pastaj të gjithë kolegëve të saj. “Unë nuk do të isha sot këtu dhe nuk do të kurorëzohesha me këtë çmim po të mos ishin të gjithë kolegët. Një falënderim i madh atyre pionierëve të këtij teatri, të cilët duar hapur na pritën ne gjeneratën tonë. Të gjithë ata, nga Shani Pallaska, Muharrem Qena, Melihate Ajeti, Istref Begolli, Malo Gami, Ragip Loxha, e shumë e shumë të tjerë. I falënderoj shumë. Ata ishin yjet, ne ishim pluhuri i së ardhmes së yjeve. Ishte kohë e tillë dhe jam shumë e lumtur që i kam njohur dhe që kam punuar me ta”, tha laureatja e çmimit për vepër jetësore.

Drama shqipe në krizë

Se drama shqipe është në krizë, kjo u vërtetua me mosdhënien e çmimit të parë për dramën shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2009. duke folur në emër të jurisë, Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar, tha se pas leximit dhe shqyrtimit të hollësishëm të 26 dramave që kanë konkurruar për çmimin “Katarina Josipi” për vitin 2009, juria, në përbërje nga Musa Ramadani, Ilire Vinca-Çelaj, Jusuf Buxhovi, Shkëlzen Maliqi dhe Jeton Neziraj, ka vendosur të ndajë vetëm çmimin e dytë dhe atë të tretë. Çmimi i dytë i është dhenë dramës “Përtej kufijve të pushtetit” nga Albri Brahusha, ndërsa çmimi i tretë dramës “Shtëpia në ankand” nga Fadil Hysaj. Më pas Neziraj e lexoi edhe arsyetimin e jurisë. “Pas leximit dhe shqyrtimit të hollësishëm të 26 dramave që kanë konkurruar për çmimin “Katarina Josipi” për vitin 2009 juria ka vlerësuar se drama shqipe ka disa prurje të reja dhe interesante por në përgjithësi ende lëngon nga të metat që tashmë kanë fiksuar bindjen për krizën e dramës kombëtare. Duke diskutuar për gjashtë drama si më të veçuarat prej 26 sa kanë qenë dhe të kandiduara nga më shumë se një anëtar i jurisë, kemi konstatuar me shumicë votash se asnjëra prej këtyre dramave në konkurrencë nuk mund të veçohet për të marrë çmimin e parë”, tha Neziraj. Ai shtoi se në juri ka mbizotëruar mendimi se konkursi “Katarina Josipi” duhet të mbajë një kriter më të avancuar për çmimin e parë në mënyrë që të mbrohet prestigji i tij.
“Si rezultat çmimi i parë mbetet për edicionet e ardhshme”, tha Neziraj.

Mesazhi ndërkombëtar nga Dame Judi Dench

Dita botërore e teatrit është mundësi për ta kremtuar teatrin në të gjitha format e tij të shumëllojshme. Teatri është burim i argëtimit dhe frymëzimit dhe e ka aftësinë për t’i bërë bashkë kultura dhe njerëz të ndryshëm që ekzistojnë anembanë botës. Por, teatri është më shumë se kaq dhe po ashtu ofron mundësi për të arsimuar dhe për të informuar.
Teatri performohet anembanë botës dhe jo gjithmonë në ambient tradicional teatri. Performansat mund të mbahen në ndonjë katund të vogël të Afrikës, rranzë një mali në Armeni ose në ndonjë ishull të vogël në Pacifik. Krejt çka i duhet është një hapësirë dhe publiku. Teatri mund të na bëjë të qeshim, të qajmë, por do të duhej të na bënte edhe të mendojmë e të reflektojmë.
Teatri mundësohet me anë të punës ekipore. Aktorët janë njerëzit që shihen, por ka edhe një shumësi të mrekullueshme të njerëzve që nuk shihen. Ata janë po aq të rëndësishëm sa aktorët, ndërsa shkathtësitë e tyre të ndryshme të specializuara e mundësojnë produksionin teatror. Edhe ata duhet t’i ndajnë fitoret e sukseset që, shpresojmë, do t’i kemi.
27 marsi gjithmonë është ditë zyrtare e teatrit botëror. Në shumë mënyra çdo ditë do të duhej të konsiderohej si ditë teatri, pasi që neve na takon përgjegjësia për të vazhduar traditën e argëtimit, arsimimit dhe përndritjes së publikut, pa të cilin nuk do të mund të ekzistonim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›