Dashuria ime të bekoftë
Demir GJERGJI
Maskat
Qyteti fshihet në 900 mijë fytyra,
Për t’u shfaqur nëpër shembëlltyra.
Fytyrat qeshin pak në ag,
Pastaj vjen dita, i plak.
Maskat strehojnë shpirtrat,
I ruajnë si zjarrin e lashtë,
Për ditën tjetër.
Në ikje, në ardhje...
“Dua që bota të nisë me ne.”
SMS Ora 0:00, 1.1. Era Jonë
Përsosej gjithçka:
Hamendjet dhe endjet, gënjeshtrat dhe eshtrat,
Trofetë dhe fetë, mëndafshet dhe afshet,
Marrëveshjet dhe veshjet, ujëvarat dhe arat,
Drithërimat dhe rimat, fanfarat dhe farat,
Prefikset dhe ikset, raportet dhe portet,
Tramvajet dhe vajet, pilotët dhe lotët,
Insektet dhe sektet, sëmundjet dhe mundjet,
Orakujt dhe akujt, dëshirat dhe shirat,
Modelet dhe delet, medaljet dhe daljet,
Afatet dhe fatet, nënshkrimet dhe krimet,
Samitet dhe mitet, protezat dhe tezat,
Shenjtorët dhe orët, banditët dhe ditët,
Torturat dhe urat, lugetërit dhe etërit,
Dhuratat, uratat, lëngatat, mandatat,
Mërzitë e mëritë, manitë e marritë,
Ujdhesat, krijesat, varrezat dhe shpresat.
Po sosej gjithçka:
Vera e vjetër në qelqin e gjelbër,
Pemët e Evës në degën e shtrembër,
Qiriri i vetëm te kryet e festës,
Të gjitha impulset e thirrjes për nesër
Dhe vitet e mia të jetës...
Sekonda e mbrame tringëlliu në buzë të potirit,
Si pare floriri në rreth të zinxhirit.
Po Krishti duhej ringjallur
Në frymën tonë të fundit,
Prej seksit tënd të mbyllur,
Prej plagës sime të hapur,
Shën Mëria ime!
Tulipanë të ngrirë
Si kështjellë reje rrije lart.
Poshtë hijes, fati im pa orë.
U përpoqa format të t’i kap,
Por ti befas re mbi dhé si borë.
Me dëborën ngrita një statujë.
E mbulova krejt me tulipanë.
Rashë para saj pastaj në gjunjë.
Por në ngricë gjunjët kot m’u vranë.
Mblodha tulipanët edhe ika,
Si ushtari humbës plot me plagë.
Prapa nusëronte Antarkdita
Nën bizhutë e akullnajës plakë.
Rri në dimrin tënd, vetmi e ftohtë!
Shko, flirto me akujt në amshim.
Dashuria ime të bekoftë,
Lumturi t’u bëftë trishtimi im!
Gjenezë
Mali ulet hijerëndë,
Ia prish fushës virgjërinë.
Lumi bredh ndër degë e rrënjë,
Në një pikë lind Gjithësinë.
Udhëkqryq
Ishe nisur s’di nga ç’anë,
Vija unë nga tjetër vend.
Në një vetëtimë u pamë
Dhe një jetë u mbajtëm mend.
Gjumi
Muzgu i shkretoi brigjet...
Edhe gjeth i fundit ra.
Oazi i ëndrrës përpiqet
Ta kthejë në jetë gjithçka.
Muzg
Druri i thatë në fund të kthesës
S’mundet më ta puthë verën.
Qiellin mban në kthetra degësh
Si të vetmen shpresë të jetës.
Nata
Është hija jonë, asgjë tjetër,
Që trupat nudo na i sheh...
Mjerisht pas saj përgjon një “nesër”
Që nis na vesh e prapë na fsheh.
Kujtim
Bën ç’të dojë tani era
Me fytyrën tënde - re.
Herë e lë ta djegë rrufeja,
Herë ylberin çel atje.
Qaj...
Ngrijmë në akujt e harrimit,
Ndërsa lëmë takim në maj...
Hapat mbaj pranë fund-fillimit,
Hiqem mënjëanë e qaj.
Tjetër fat
Sa kohë të njëri-tjetrit qemë,
Po aq u desh të të harroj,
Besoj, tani as ti s’më ndien,
Kur emrin tim e zë me gojë.
Zinxhirët që na mbanin lidhur,
Në dhimbje dhe në shi u ndryshkën.
U zbraz ngadalë kupë e hidhur,
Misteret, sherret krejt u vyshkën.
Dhe rri vras mendjen në vetmi,
Ndërkohë që larg të kam prej syve:
Kur janë bashkë dy liri,
Prangosen në marri të tyre.
Tani s’i ndiej gjëkund kufijtë.
Shumëfish shikoj, dëgjoj dyfish,
Dhe shpirti niset për hapësirë,
Në tjetër frymë perëndish.
Parabolë
Vishezhvishe atë petk!
Merrelere atë send!
Lindevdise atë shpend!
Duajetruaje atë ndjenjë!
Ftojezboje atë murg!
Shtrojezgjoje atë muzg!
Çmojendrroje atë fund!
Mbrojelëshoje atë kurm!
Ngrijeshtrije atë mur!
Ngrijeshkrije atë ujë!
Lidhezgjidhe atë urë!
Nguleshkule atë gur
Te kryet e varrit!
Nata e mbrëmshme në Itakë
Odiseu:
Ose shkëmb në mot të rëndë,
Ose zë në placë të natës,
Vij, pushtoj parfumin tënd
Pas triumfit a disfatës.
Penelopa:
Ose mur që mund furtunën,
Ose urë mbi katrahurën,
Shpuzë ta ndez me buzë lëkurën,
Bashkë e sosim aventurën.
14 Prill 2008