Kristali dhe flaka
Italo CALVINO
Ndoshta, në vend që t’ju flas se si e kam shkruar atë çka kam shkruar, do të ishte më interesante t’ju tregoja problemet që ende nuk kam zgjidhur, që nuk di se si do t’i zgjidh dhe se çfarë do të më shtyjë që të shkruaj... Hera-herës, përpiqem të përqendrohem mbi historinë që do të doja të shkruaja dhe vë re se ajo që më intereson, është diçka tjetër ose, si të thuash, jo diçka e përcaktuar, por gjithçka mbetet e përjashtuar nga gjëja për të cilën do të duhej të shkruaja; raporti midis atij argumenti të dhënë dhe të gjitha varianteve dhe altrenativave të mundshme të tij, të gjitha ngjarjet që koha dhe hapësira mund të përmbajnë.
Është një obsesion gllabërues, shkatërrimtar, i cili mjafton për të më bllokuar.
Për ta luftuar, përpiqem të kufizoj fushën e asaj që dua të them dhe, më pas, ta ndaj në fusha edhe më të kufizuara, paskëtaj vazhdoj t’i ndaj edhe më tej, e kështu me radhë.
Dhe atëherë më zë një tjetër marramendje, ajo e detajit të detajit, thithem nga infinitezimali, nga pambarimisht i vogël, ashtu sikurse më parë humbisja te pambarimisht i madhi.
* * *
Pohimin e Flaubert-it “Le bon Dieu est dans le détail” (Zoti i vërtetë është te detaji), do ta përktheja nën dritën e filozofisë së Giordano Bruno-s, kozmolog i madh largpamës, i cili e sheh universin si të pafund dhe të përbërë nga botë të panumërta, por nuk mund ta quajë “krejtësisht të pafund”, sepse secila prej këtyre botëve ka një fund; ndërsa “krejtësisht i pafund” është Zoti, “sepse gjithçka tek ai është në të gjithë botën, dhe në secilën pjesë të tij pafundësisht dhe krejtësisht”.
Mes librave italianë të viteve të fundit, ai që kam lexuar, rilexuar dhe studiuar më shumë është “Histor ie shkurtër e së pafundmes” i Paolo Zellini-t (Milano, Adelphi 1980), që hapet me sulmin e famshëm të Borges-it ndaj së pafundmes si “koncept që korrupton dhe ndryshon gjithë të tjerët”, dhe vazhdon duke marrë në analizë të gjitha argumentet mbi temën, me rezultat shkrirjen dhe përmbysjen e shtrirjes së infinitit në dendësinë e pafundësisht të voglit.
Kjo lidhje midis zgjedhjeve formale të krijimit letrar dhe nevojës së një modeli kozmologjik (apo të një kuadri mitologjik të përgjithshëm), besoj se është e pranishme edhe tek ata autorë, të cilët nuk e deklarojnë këtë në mënyrë të hapur.
Shija e krijimit të gjeometrizuar, historinë e të cilit mund ta gjejmë në letërsinë botërore duke filluar nga Mallarmé, ka në sfond kundërvënien rregullsi - çrregullsi, një opozicion ky themelor në shkencën bashkëkohore. Univesri shpërbëhet në një re nxehtësie, precipiton pa rrugëdalje në një vorbull entropie, por në brendësi të këtij procesi të pakthyeshëm mund të gjenden zona të rregullta, pozicione të ekzistueses që shkon drejt një forme, pika të privilegjuara nga ku duket sikur shquan një vizatim, një perspektivë. Vepra letrare është një nga këto pjesë të vogla, tek e cila ekzistuesja kristalizohet në një formë, fiton një kuptim, jo të qendrueshëm, jo të përhershëm, jo të ngrirë në një palëvizshmëri minerale, por të gjallë si një organizëm. Poezia është armikja e madhe e rastit, megjithëse edhe ajo është pjellë e rastit, edhe pse e di që, në fund të fundit, është rasti ai që do të fitojë. “Një hedhje shorti kurrë nuk do ta shkatërrojë rastësinë.”
* * *
Në këtë kuadër duhet parë rivlerësimi i procedurave logjiko-gjeometrike-metafizike, që hyri fuqishëm në artet figurative në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit dhe më vonë në letërsi: emblema e kristalit mund të shquante një yjësi poetësh dhe shkrimtarësh shumë të ndryshëm, mes tyre: Paul Valery në Francë, Wallace Stevens në SHBA, Gottfried Benn në Gjermani, Fernando Pessoa në Portugali, Ramon Gomez de le Serna në Spanjë, Massimo Bontempelli në Itali, Jorge Luis Borges në Argjentinë.
Kristali me saktësinë e faqeve të tij dhe me aftësinë e tij për të thyer dritën, është modeli i përsosur, të cilin gjithnjë e kam parë si një emblemë, dhe ky pëlqim është bërë edhe më domethënës, qyshkur dihet se disa aftësi të lindjes dhe të rritjes së kristaleve ngjajnë me ato të qenieve biologjike më të thjeshta, duke krijuar pothuajse një urë midis botës minerale dhe lëndës së gjallë.
Mes librave shkencorë, ku zhytem në kërkim të stimujve për imagjinatën, kohët e fundit më ka qëlluar të lexoj që modelet për proceset e formimit të qenieve të gjalla, janë “nga njëra anë kristali (imazh pandryshueshmërie dhe rregullsie strukturash specifike) dhe, nga ana tjetër, flaka (imazh qendrueshmërie i një forme globale të jashtme, pavarësisht nga trazimi i brendshëm i pafund)”.
Përktheu Renata Martini
14 Prill 2008