“Bum”-i i inflacionit
Fatos Çoçoli
Deri tani jemi mësuar me bum(zhvillim të fortë) të ekonomisë në tërësi, me bum të investimeve të huaja(sipas mburrjeve qeveritare), me bum të tregtisë, transportit, ndërtimeve e me radhë. Por ja që na erdhi edhe “bum”-i i inflacionit. Të gëzohemi sikurse bëmë për bumet e tjerë? Kurrsesi jo! Inflacioni në muajin mars 2008 ishte 4.6 për qind. Për herë të parë u rrit më shumë se 4 për qind, që nga nëntë vjet më parë më 1999. Çdo të thotë kjo? Që rritjet e çmimeve tek ne po marrin përmasa shqetësuese. Edhe pse kjo ende nuk i nxjerr qytetarët të protestojnë nëpër rrugë, gjendja është mirëfilli shumë e vështirë. Rritja 0.6 për qind më shumë se 4 përqindëshi i kufirit kontrollues të Bankës së Shqipërisë i takon reformës në energjinë elektrike dhe rritjes me rreth 20 për qind të çmimit të saj për qytetarët, e cila filloi pikërisht në muajin mars. Nëse prej saj e kemi të vështirë të mbrohemi, përderisa energjia ende vidhet masivisht nga popullata dhe biznesi, i takon qeverisë të na mbrojë nga rritjet e tjera skandaloze të çmimit. Një studim i fundit i pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës tregonte se çmimi i naftës në tregun e karburanteve të automjeteve tek ne është 20 për qind më i lartë nga ç’duhet të jetë. Pra, një rritje tërësisht abuzive. Nëse qeveria arrin t’jua mbledhë këmbët në një këpucë bosëve të naftës, mund të kemi një ulje edhe 10 për qind të çmimit të sotëm të naftës e benzinës, gjë që do të lehtësonte fort inflacionin dhe harxhet e secilit prej nesh që ka një automjet privat(një në tre shqiptarë e kanë një të tillë). Po si bëhet kjo “dy këmbë në një këpucë”? Duke krahasuar çmimet e importit të naftës, duke kërkuar nga kompanitë një fitim normal tregu dhe jo abuziv, dhe duke realizuar kontrolle të forta në të gjitha pikat e shitjes së karburantit, që fitimi i kompanive të shumicës e pakicës të ruajë nivele normale të fitimit tregtar(sot ai është të paktën dy-trefish nga fitimi normal). E njëjta gjë duhet bërë me çmimet e artikujve ushqimorë që janë rritur edhe ato në pjesën më të madhe abuzivisht. Kjo sigurisht do të kërkojë që inspektorët tatimorë ta “prishin” me të gjitha ato kompani që i paguajnë nën dorë. Kështu që qeveria mund të ndodhet në pozicionin e kalorësit që nuk i bindet kali. Por të paktën shqiptarët do ta vlerësonin që ajo ta provonte këtë. Se ndryshe shumë lehtë mund të ngrihet pandehma që ministrat e pushtetarët nuk i realizojnë këto kontrolle, ngaqë “kullandrisen” mirë nga paratë nën dorë të bizneseve që aplikojnë çmime monopol në treg. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për bankat dhe “çmimet” e tyre tepër të kripura të kredive. Pra normat e interesit për kreditë për qytetarët dhe bizneset. Ato janë të paktën 5-6 për qind më të larta se sa në vendet fqinje me shumë ngjashmëri në drejtim të fuqisë ekonomike, sikurse është Maqedonia apo Mali i Zi. Kuptohet që qeveria jonë ka pak ose aspak gjëra në dorë me bankat, por banka jonë qendrore mund t’ua mbledhë pak rripat, pse edhe në këtë treg abuzimi është i fortë. Së fundi, sjellja e vetë Bankës së Shqipërisë ndaj rritjes mujore të inflacionit përtej kufirit të saj të sigurisë(4 përqindëshit). Kjo bankë mund të ulë përqindjen e interesit të marrëveshjeve të riblerjes(interesin e parave që bankat tregtare janë të detyruara me ligj të mbajnë pranë bankës sonë qendrore), për të lehtësuar sado pak nivelin e interesit të kredisë për popullatën dhe biznesin. Por një masë e tillë është shumë pak. Ajo nuk mban dot uraganin e rritjes abuzive të çmimeve në sektorët e mallrave ushqimore, karburanteve dhe shumë lloj shërbimeve private. Sërish shkopi i dirigjentit qëndron në duart e qeverisë, për të mundësuar uljen e fitimit abuziv tregtar, i cili ende shijon një parajsë fiskale këtu tek ne. Vetëm kjo do të ishte rruga më e shkurtër dhe efikase për të mbajtur nën fre inflacionin. Ndryshe ai mund të katapultohet shumë shpejt edhe në nivele 7-8 për qind(pra gati dy herë më të larta se sot) dhe të na nxjerrë të gjithëve më të varfër se një vit më parë. Sigurisht që qeverisë, pas “oksigjenit” të ftesës për në NATO, hallet po i bëhen palë: Gërdeci me prapaskenat e shëmtuara të shitjeve të kompanisë shtetërore MEICO, pakënaqësia në rritje e shumë qytetarëve për shërbimet problematike të ujit e dritës elektrike, etj. Por rritja e pakontrolluar e inflacionit rrezikon të shndërrohet në një “Gërdec” të dytë ku mund të kanalizohet pakënaqësia masive e njerëzve dhe qeveria duhet të tregojë dhëmbët me biznesin abuziv, për hir të rifitimit të pikëve me qytetarët. A do ta bëjë ajo këtë gjë?
14 Prill 2008