E Diel, 1 Nëntor 2026

Të urinosh kundër erës



Arbër AHMETAJ

Ti kurrë nuk mundesh të bësh atë që ke ndër mend.
Dhe e di pse?
Thjesht, duhet me qenë më ndryshe.
E di që do të më pyesësh çka domethënë me qenë ndryshe dhe unë do ta kem të vështirë me të dhanë një përgjigje, që e kënaq plotësisht kureshtjen tande. Lehtësisht mund ta shpjegoj vetëm faktin se ti e ke zakon ta bësh urinën kundër erës, e kjo kurrë s’të ka sjellë ndonjëfarë përfitimi, përpos që teshat e tua janë lagur për faqe të zezë.
Unë nuk di të jap urdhra, aq më tepër që më mungon vullneti dhe kënaqësia me i mësue njerëzit se si duhet të bëjnë. Edhe ti e di. E bën urinën kundër erës. Kështu ta ka ënda. Grahi!
Edhe vetë jam gur i palatuar në shumë anë. Jo se nuk kam patur mundësi, por nuk kam patur qejf. S’dua me qenë asi guri që kënaq shijet e muratorëve të murit të madh, i cili po ndërtohet tash miliona vjet. Pse duhet me qenë veç një gur në një mur?
Nuk po flasim hiç për murin, le të jetë ashtu si ua ka qejfi atyre që po e ndërtojnë. Është puna e tyre. Por, po të ndodhë që nesër ky mur t’ia pengojë kalimin e lirë dikujt, fati i pashmnagshëm i çdo muri, unë, guri i hedhur në ferra, e kam faqen e bardhë. Më mirë në ferrë, sesa në themel të një muri, që ndërtohet jashtë dëshirës sime dhe larg mundësive të mia për ta penguar ndërtimin e tij.
Kur thashë që jam gur i palatuar në disa anë, lashë me kuptue që jam i latuar në disa anë të tjera. Atë faqe që e kam të latuar, e mbështes përtokë e kurrfarë gjarpri, akrepi a lloj tjetër zvarrësi nuk mundet me u fshehë fundi meje, për t’ia marrë shpirtin, më vonë, ndonjë frymori të pafajshëm që gabimisht shkel mbi mua.
I mbështetur mirë përtokë, edhe gurët rrumbullakë që rreknehen qoftë prej dhive të egra, qoftë prej rrëshqitjes së dheut, s’mund të më luajnë prej vendit. Aty rri, nuk e kam hiç problem pse nuk bie në sy të muratorëve, që aq me kujdes i zgjedhin gurët për të ndërtuar atë murin që përmendëm. I harruar nën ferra, pika ka me më pikë dhe ka me më tha dielli. Ka me më ngri të ftohtit e me më plasarit të nxehtit. Kam me u shkri, me u ba udhë, dhé i dheut tim. Harku i Lavdisë së atyre që ndërtuan murin, ka me u ngritë në kujtim të gurëve që e përbëjnë, gurëve të shërbyeshëm, të nevojshëm, të përdorshëm. Ai hark lavdie ka për të qenë shumë i bukur, shumë i panevojshëm.
Njerëzit do të mrekullohen me madhështinë e tij dhe do të qeshin me gomarllëkun e atyre, që e ndërtuan. Mua s’mundet të më përdorë njeri, sepse jam gur i palatuar. S’më kanë përdorur as për murin, as për Harkun e Lavdisë. Ti mund të thuash se, po të më kishin zënë, do të më kishin latuar në të gjitha anët, pa pyetur për vullnetin tim. Nëse do të më kishin latuar në të gjitha anët, unë nuk do të isha më gur, do të isha shndërruar në tullë. Përgjegjësia ime e parë, ajo e lindura, bie në këtë rast. Mbi varrin tim të thjeshtë mund të vihet veç ky gur. Bari i egër do të përbirojë nëpër të, ashtu si rrënjët e tij përmes eshtrave të mia.
Kur muri të prishet e Harku i Lavdisë së atyre që e ndërtuan të bëhet gërrmadhë, biri im me një faqe të latuar, si i ati, do ta mbështesë faqen mbi dhé e do t’i ndiejë bisedat e mia të gjata me dheun. Çka të të them tjetër ty? Një njeri s’mundet me qenë ndryshe veç ashtu siç është, po ndryshoi, ai bëhet tjetër. E panevojshme të bëhesh tjetërkushi, kur bota ka njerëz sa ujët e detit.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›