Dashuria që nuk lindi kurrë

Ai tashmë është mësuar me vërshëllima. Vitin e kaluar, në një moment shpërtheu: ‘Nuk e di nëse do të arrij të shkoj përpara nën këto rrethana”. Por, më pas gjeti rehatinë, së paku me rezultatet e ekipit. Ende i mbetet bindja se nuk e meriton një tretman të tillë.
Është tregim interesant ky i trajnerit të Lazios, Edy Reja në bankinën e skuadrës romake. Rezultatet, në 18 muajt e deritashëm të punës, janë të gjitha në anën e tij. Por, raporti i tij me tifozët e Lazios mbetet i njëjti, i ftohtë siç kishte qenë nga dita e parë kur mori drejtimin e skuadrës.
E përditshmja italiane, Il Tempo ka njoftuar se Reja u përball me vërshëllima edhe gjatë prezantimit të ekipit në atë që deri në atë moment dukej klimë festive.
“Vërshëllimat? Jam mësuar me to, nuk janë risi. Por, nuk më interesojnë shumë, gjithmonë është dikush të cilit nuk mund t’i pëlqesh. Është e qartë se nuk më bëjnë të ndihem mirë, mbi të gjitha për atë që kam bërë në këtë një vit e gjysmë. Do të ishte mirë të merrja një mirënjohje njerëzore”, tha Reja.
Sezonin e kaluar, Lazio përfundoi në pozitën e pestë, për dallim nga një edicion më parë, kur në një periudhë ishin të rrezikuar më rënie në Serie A, e në fund përfunduan sezonin në pozitën e 12-të. Rezultatet janë të qarta, Reja e transformoi Lazion.
Por, përkrahësit e klubit e fajësojnë për tri gjëra: mungesën e lojës së bukur, raportin e tensionuar me idhullin e tyre, sulmuesin Mario Zarate dhe mbi të gjitha koleksionimin e katër humbjeve në derbin e qytetit nga Roma. Janë pikërisht këto tri pika nga të cilat ai dëshiron të nisë sezonin e ri. Sigurisht nuk e frikësojnë sfidat. Gati 66 vjeç, Reja është trajneri më i vjetër në Serie A, por i cili ende dëshiron të dëshmohet.
Lazio 2011/2012 mban fuqishëm emrin e tij dhe atë të drejtori sportiv, Igli Tare, i cili ka arritur të sjellë përforcime kualitative si Miroslav Klose, Djibril Cisse, Federico Marchetti e Lorik Cana. Reja kërkoi futbollistë të përkushtuar dhe klubi ia solli ata. Strategu është në mision; gjatë këtij edicioni që mund të jetë njëra prej etapave të fundit të karrierës së tij të gjatë, ai dëshiron të luftojë denjësisht në garat evropiane dhe të fitojë përkrahjen e tifozëve.
E kaluara e tij sjell një kuriozitet, në secilën skuadër të cilën e ka udhëhequr ai, fillimisht është kontestuar, e më pas u vajtua pas largimit. Sfida e parë në edicionin e ri vjen më 18 gusht, kur Lazio do të takohet me Rabotniçkin në play-off për kualifikim në Europa League.