Italia josh shqiptarët

Italia thuajse është bërë ‘çerdhe’ për futbollistë shqiptarë. Në edicionin e ri në Serie A, pritet të aktivizohen shumë futbollistë shqiptarë, si asnjëherë më parë.
Në sezonin e ri, në elitën e futbollit italian do të aktivizohen të paktën gjashtë futbollistë shqiptarë: Lorik Cana (Lazio), Valon Behrami (Fiorentina), Samir Ujkani, Rijat Shala (Novara), Përparim Hetemaj (Chievo) dhe Blerim Xhemajli (Napoli). Madje, Erjon Bogdani mund të jetë futbollisti i shtatë, sepse gjasat janë të mëdha që ai ta vazhdojë kontratën me Cesenën.
Mirëpo, ka mundësi që ky numër të rritet akoma më shumë gjatë këtij afati kalimtar të verës, i cili përmbyllet më 31 gusht.
Mediat italiane dhe ato zvicerane kanë raportuar të shtunën se Parma është skuadra e fundit nga Serie A që ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e futbollistit shqiptar me prejardhje nga Gostivari, Admir Mehmedi.
Sulmuesi 20-vjeçar po shkëlqen me fanellën e ekipit zviceran, Zurich, dhe me plot sukses po i mbron edhe ngjyrat e përfaqësueses së shtetit helvetik. Andaj, këto paraqitje të tij, sipas mediave italiane dhe atyre zvicerane, kanë tërhequr shumë seriozisht vëmendjen e udhëheqësve të Parmës. Sipas mediave, italianët po e shqyrtojnë mundësinë e transferimit të 20-vjeçarit në Serie A, qysh gjatë kësaj vere.
Sipas mediave nga të dyja vendet, problemi i vetëm i transferimit të Mehmedit nga Zvicra në Itali mund të jetë fakti se futbollisti dëshiron që sivjet të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ku është kualifikuar Zurichu, mundësi kjo të cilën nuk e ka Parma.
Parma nuk është skuadra e vetme që ka shprehur interesim për Mehmedin. Sulmuesit syrin ia kanë vënë edhe disa skuadra të tjera, posaçërisht Palermo e Olimpique Marseille.
Mehmedi nuk është futbollisti i vetëm shqiptar që gjatë kësaj vere mund të kalojë në Serie A. Shumë skuadra të kësaj lige, duke përfshirë Juventusin dhe Romën, kanë shprehur interesim edhe për mesfushorin kosovar të Baselit, Xherdan Shaqirin.