Liria përforcohet nga Shqipëria
Pasi e braktisën gjashtë futbollistë për shkak të krizës financiare që e kishte kapluar Lirinë, klubi prizrenas tani ka nisur ta rimarrë veten.
Bardhezinjtë tani kanë nisur të përforcohen me futbollistë për edicionin e ri, i cili nis në fundjavën e ardhshme, në mënyrë që t’i mbulojë vendet e lëna bosh prej gjashtë futbollistëve, të cilët tashmë po stërvitin me Vëllaznimin.
Prizrenasit kokën e kanë kthyer kah futbollistët e Shqipërisë. Ata tashmë veç i kanë siguruar shërbimet e dy futbollistëve nga shteti shqiptar.
“Sot (e shtunë) na është bashkuar Alban Mullaj, i cili mund të luajë në çdo pozitë të vijës së mbrojtjes. Pak më herët, ekipit tonë i është bashkuar edhe qendërsulmuesi tjetër nga Shqipëria, Arlind Tirani”, deklaroi të shtunën për Express, drejtori i klubit nga qyteti i lashtë, Hatmi Gashi.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e transferimit edhe të ndonjë futbollisti tjetër nga Shqipëria, gjatë javës së ardhshme.