E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria si fillim

Ky shkrim është për sytë ose më mirë për “sytë e bukur”. Duke kërkuar një fjalë të vështirë në fjalor papritmas syri më ndali tek shkronja “D”. Shfletova dy-tre fletë në mënyrë instiktive dhe si ai i eturi në shkretëtirë gjeta fjalën që doja, por pranë saj ishte lema “dashuri”. Aty etja m’u shua. E lashë fjalën time në fletën e saj dhe u mora me këtë fjalë që të duket gjithmonë e re. Çdo njeri “besoj” që ka pasur fatin të dashurojë një herë në jetë, e di procesin në të cilin jemi aq shpejt të joshur nga një person, mendojmë për të, e dëshirojmë në mënyrë të dëshpëruar, qajmë, nuk mund të bëjmë pa të dhe duan të jetojmë më të deri në përjetësi. Shuhen lumenj për poezi dashurie. Nuk kursehet asgjë për të. Madje çdo njeri e ka parë sesi avitja e shkrirjes në dashuri, kjo vjen nga nxehtësia që kanë brenda vetes, në të cilën të dashuruarit kërkojmë me pa durim, me afsh atë shkrirjen totale të trupit dhe mendjes. Marrëdhënia intime është kurora e mbretërisë, është rruga drejt ishullit të panjohur. Muzika fshin kohën nga ora fiks. Fiksimi është aty ku është qendra e botës për të. Pastaj në butësinë e çarçafëve rrëfejnë dhe rijetojnë së bashku jetën e tyre, zgjidhin lidhjet dashurore të kohës së kaluar duke u përqafuar e lazdruar, identifikohen dhe plazmohen njëri me tjetrin derisa provojnë ethet e të njëjtin sentiment, duke dëshiruar të njëjtat gjëra, duke shpupuritur flokët ndërsjelli, duke u parë në sy xixa-xixa e buzëqeshje rrënqethëse, simetrike, me simfoni parfumesh natyrale duke menduar ndërtimin e një familje. Duke, duke, duke...

Shkrirja në një qenie të vetme “shpjegon” fuqinë e pasionit të dashurisë në periudhën e sëkëlldisë. Por nuk shpjegon se përse është sevdaja: ose dëshira e përhershme e tjetrit dhe dëshira erotike në disa raste mund të durojë vite për të mos thënë se mund të rritet në mënyrë eksponenciale. Në romanet dhe në filmat, dëshira duron sepse ka një pengesë, një mungesë, një armik, një rival që nuk mundëson realizimin e saj. O Romeo, ku je Romeo? Me pak fjalë kur shndërrimi ndalohet ose pengohet nga faktorët e jashtëm. Kur këta të fundin bien gjithçka më në fund mbyllet një “happy end” kur dashuria triumfon dhe historia mbyllet. Edhe pse në të shumtën e rasteve kjo nuk ndodh në realitet, na pëlqen ta mendojmë se ndodh apo jo? Nejse, për ta thuhet se jetuan të lumtur e përgjithmonë. Në të vërtetë në shumë raste qëndron një dashuri e fortë, por që avash avash erotizmi hollohet derisa e vetmja gjë që mbetet është butësia, përkëdhelja e shpirtit, respekti dhe afeksioni. Por ka edhe raste kur dashuria pasionale dhe erotike qëndron e paepur si në fillim të lidhjes. Kur ndodh kjo? Kur dy të dashuruar, edhe pse të dashuruar marrëzisht, arrijnë të krijojnë në vetvete distancë misteri dhe dashuri. Po si mund ta bëjnë? Kur rigjurmojnë më të gjitha shqisat e në mënyrë të përditshme ndryshimin që kanë brenda tyre, d.m.th, edhe pse i tregojnë të gjitha partnerit, dëgjojnë brenda tyre se disa eksperiencat të tyre do të qëndrojnë të kyçura në sëndukun e zëmrës. Edhe kur janë erotikisht të bashkuar, të shkrirë pra, janë të vetëdijshëm se nuk e dinë me të vërtetë së çfarë provon dhe mendon tjetri: i dashuri apo e dashura. Edhe dashuria ka huqet e veta. Dashuria e madhe që duron pra është një kërkim i pandarë dhe një gjurmim i misterit të tjetrit. I dashuruari është pafundësisht i afërt dhe, nga njëherë sa hap e mbyll sytë, është prapë pafundësisht i largët. Misteri s’është gjë tjetër se ajo pjesë që mbetet e mbuluar edhe kur beli është i zhveshur. Atëherë rilind dashuria. Dashuria që duron në kohë nuk është stabël, por një sekuencë errësire dhe dritë të paharrueshme. Është një seri humbjesh dhe gjetjesh. Është qartë se pos nuk u humbe në dashuri nuk mund as të gjendesh brenda saj. Kot s’thotë populli dashuria është e verbër. Radari i shpirtit i dëgjon tik taket e zemrës. Është një zemër që pulson. Nuk është statike, përkundrazi  është e bërë si valët, si deti, si drita e perëndimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›