Sizifi i LDD-së

Berim Ramosaj nuk e bashkoi LDK-në dhe LDD-në. Gurin të cilin e mori ta çonte në maje, nuk mundi ta lëvizë as me centimetra. Ai dha dorëheqje nga çdo gjë që e lidh me LDD-në duke mbetur, për një kohë, deputet i pavarur. LDD ndjehet pishman që nuk ka vepruar e para për ta larguar vetë Ramosajn nga partia.
Berim Ramosaj i ka dhënë fund të hënën përpjekjeve të tij për ta bashkuar Lidhjen Demokratike të Kosovë dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Të paktën ai nuk do të mund ta bëjë këtë duke qenë brenda subjektit politik të cilin e kishte krijuar me bashkëmendimtarët e viteve 2006-2007. Kur ka parë se opinioni në LDD ende nuk është pjekur për ta përqafuar idenë e bashkimit, Ramosaj ka zgjedhur të tërhiqet nga të gjitha pozitat dhe anëtarësia partiake, përfshirë edhe grupin parlamentar. Por ai nuk e bëri hapin tjetër të pritshëm- inkuadrimin në Grupin Parlamentar të LDK-së. Por Ramosaj ka thënë se do të luftojë për projektin e tij edhe duke qenë jashtë, në rrethana të reja. “Dorëheqja ime le të jetë motiv shtesë dhe inkurajim për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LDD-së për të promovuar dhe vazhduar idenë e bashkimit dhe integrimit si vlera të papërjashtueshme të filozofisë politike rugoviane”, ka thënë ai në tekstin e dorëheqjes që i ka dorëzuar kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci. Ky i fundit, kur ka lexuar letrën e ka mundur ta shohë cilësimin që Ramosaj i kishte vendosur në të. Asgjë më pak se “sjellje egocentriste”. Nënkryetari i deridjeshëm i LDD-së ka arsyetuar dorëheqjen me “mungesën e debatit politik dhe demokratik, si dhe pamjaftueshmërinë e konkurrimit të ideve, koncepteve e vlerave” në parti, por këto që sipas Ramosajt, i mungojnë LDD-së, Lulzim Zeneli thotë se partia i ka me tepricë. Sekretari i përgjithshëm i LDD’së, Lulzim Zeneli që doli të hënën para gazetarëve në mes të dy nënkryetarëve tjerë (Besa Gaxherri dhe Xhemajl Hyseni), ka shprehur keqardhje që LDD nuk ka vepruar e para për ta shkarkuar Berim Ramosajn. “Ai, me paraqitjet e veta, ka kërkuar në vazhdimësi një gjë të tillë”, tha Zeneli. Tani Grupi Parlamentar i LDD-së ka mbetur me 10 deputetë më i vogli ndër tri partitë opozitare. Lulzim Zeneli i ka përkujtuar Ramosajt dje se votat me të cilat ai është bërë deputet, kanë qenë të elektoratit të partisë, prandaj ai ka shprehur keqardhje”edhe ndaj votuesve të LDD-së”. Kryesia e LDD-së mendon se Ramosaj, në projektin e tij, është shtyrë nga partitë në pushtet, veçanërisht nga LDK-ja. Dhe kundërgoditja e LDD’së do të vijë sot. Shtatë anëtarë të kryesisë së LDK-së në degën e Vushtrrisë kanë paralajmëruar se do të aderojnë në LDD dhe Nexhat Daci do të jetë ai që do t’u shpërndajë atyre librezat e partisë gjatë një ceremonie në një restorant të atij qyteti. Që nga lansimi i ‘projektit të bashkimit’, LDD ka punuar në të kundërtën e asaj që parashihte Ramosaj. Daci është “ngutur” në promovimin e kandidatëve për kryetarë të komunave duke e bërë këtë në Gjilan, Prizren, Viti e së fundi në Pejë. Pikërisht në këto komuna Ramosaj priste kandidatura të përbashkëta LDK-LDD në përpjekje që partia ta rikthejë kontrollin e humbur nga PDK-ja në vitin 2007. Partia që ka ndarë mendjen të kandidojë e vetme në zgjedhje, shpreson që largimi i Ramosajt nuk do t’i sjellë pasoja. “LDD vlerëson se vetë fakti i dorëheqjes së z. Ramosaj vërteton se një iniciativë e tillë nuk ishte e sinqertë, nuk ishte e përmasave as kombëtare as ndërkombëtare. Kjo vërteton edhe një herë dyshimet e kryesisë së LDD-së për një ide dhe një projekt të tillë”, ka thënë Lulzim Zeneli. Sipas tij, ideja e Ramosajt për ribashkim “në asnjë moment nuk ka hasur në mbështetjen e asnjë anëtari të vetëm të LDD-së”. Por cila do të jetë e ardhmja në politikë e të vetësakrifikuarit për bashkim, Berim Ramosaj? Që do të vazhdojë të merret me politikë, këtë e ka thënë dje ai me siguri të plotë. Në fillim si deputet i pavarur. Ai nuk përjashton inkuadrimin në ndonjë grup parlamentar. Këtë ndoshta do të kishte mundur ta bënte më herët sikur t’i ishte ofruar dikush. “Formalisht nuk kam pasur ofertë (nga LDK). Përveç komunikimeve që kam pasur lidhur me realizimin e projekteve dhe ato janë komunikime spontane në nivel shoqërie”, thotë deputeti që karrierën politike e nisi në vitin 2001 kur u zgjodh kryeshef ekzekutiv i komunës së Prishtinës për të shkuar dy vite më vonë si këshilltar për ekonomi i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. “LDK dhe LDD nëse përcaktohen për mbajtjen e gjendjes në status kuo, në barikadim në nivele partiake, mendoj se do të mungojë suksesi në të ardhmen”, thotë ai duke qenë i bindur në suksesin e asaj për të cilën është bërë temë diskutimi nëpër media në javët e fundit. Express ka kontaktuar dje me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, posti i të cilit është përmendur se i është premtuar Ramosajt, nëse i realizohet ideja e bashkimit. Skenari çonte te kandidimi i Zharkut për kryetar të komunës së Kaçanikut me çka do t’i hapej rruga Berim Ramosajt ta trashëgonte në postin e ministrit. Por Zharku ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. “Janë fjalë të LDD’së që thonë se Ramosaj është larguar nga ajo parti pas pazareve për poste. Por pazare këtu nuk ka. Është e sigurt 99.99 përqind se unë nuk do të kandidoj për kryetar të Kaçanikut. Jemi duke shqyrtuar kandidatura tjera për këtë garë”, ka thënë ministri Lutfi Zharku. Berim Ramosaj, nga ana tjetër, nuk ka dashur të komentojë kur ëhstë pyetur se në cilën ministri të qeverisë së Kosovës do ta ndjente veten më mirë. Sido që të jetë, duket se përderisa të jetë në formë, Ramosaj do të vazhdojë të prodhojë lajme. “Shpresoj që do të shihemi në çdo ndryshim eventual që mund të ndodh”, u tha ai gazetarëve të hënën në hollin e Kuvendit të Kosovës.
...