E Diel, 1 Nëntor 2026

Temat e Enciklikës “Caritas in Veritate” paraqiten nga sekretari i Shtetit të Vatikanit para Senatit italian

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone shpjegoi dje para Senatit të Republikës italiane temat e Enciklikës së fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”. “Ata që kanë nderin të kenë përgjegjësinë delikate për të përfaqësuar popullin – pohoi prelati – mund të gjejnë në fjalët e Papës frymëzimin e lartë e të thellë në kryerjen e misionit të tyre, për t’iu përgjigjur si duhet sfidave etike, kulturore dhe shoqërore”. E mira e njeriut dhe e shoqërisë, nënvizoi kardinal Bertone, mbështetet mbi respektimin e së vërtetës dhe mbi dashurinë e bamirësinë. Mbi këto dy shtylla duhet të mbështetet edhe realiteti aktual shoqëroro-ekonomik. Enciklika “Caritas in veritate” fton që të kapërcehet pikërisht ndarja, tashmë jashtë kohe, ndërmjet sferës ekonomike dhe asaj shoqërore: “Veprimtaria ekonomike nuk është diçka e ndarë dhe e huaj për parimet themelore të doktrinës shoqërore të Kishës, të cilat janë: vënia e njeriut në qendër, solidariteti, susidiariteti, e mira e përbashkët”. Doktrina shoqërore e Kishës na kujton se një shoqëri si duhet është pa dyshim fryt i tregut dhe i lirisë. Ajo propozon një humanizëm me shumë përmasa, në të cilin tregu nuk luftohet apo kontrollohet, por shihet si një moment i rëndësishëm i sferës publike. Ekzistojnë kërkesa të parimit të vëllazërimit, që nuk mund të lihen mënjanë, e as të kalojnë vetëm në sferën private apo të filantropisë, theksoi Bertone: “Caritas in Veritate” na ndihmon të ndërgjegjësohemi se shoqëria nuk është e aftë të ndërtojë të ardhmen, nëse nuk respekton parimin e vëllazërimit; pra, nuk mund të shkojë përpara nëse zhvillohet vetëm llogjika “më jep, të jap”, ose edhe ajo “jap, se e kam për detyrë”. Doktrina shoqërore e Kishës, vazhdoi më tej kardinali – sekretar i Shtetit të Vatikanit para senatorëve italianë, nuk duhet parë si një tjetër teori etike që u shtohet atyre ekzistuese, por si një gramatikë e përbashkët për të gjitha teoritë, pasi bazohet mbi një parim themelor: “kujdesin për të mirën e njeriut”. Efikasiteti dhe drejtësia, edhe sëbashku, nuk mjaftojnë për të siguruar zhvillimin e njerëzimit: “Mesazhi që na lë “Caritas in Veritate” është të mendojmë se dhënia falas, e pra vëllazërimi, është pjesë e njeriut e prandaj, duhet të shohim te dhurata premisën e domosdoshme që Shteti dhe tregu të funksionojnë duke pasur si qëllim të mirën e përbashkët. Pa praktimin e gjerë të dhuratës, mund të ndërtohet edhe një treg i frytshëm e një shtet me autoritet (madje edhe i drejtë), por sigurisht, nuk mund të ndihmohen njerëzit të arrijnë gëzimin e të jetuarit”.

Vizitë e vështirë e Patriarkut të Moskës në Ukrainë/Që dje e deri më 5 gusht, Patriarku i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill ndodhet në Ukrainë për një vizitë të rëndësishme, por edhe të vështirë. Ndërsa Kisha ortodokse ukrainase, e udhëhequr nga mitropoliti Volodimir, autonome por nën juridiksionin e Moskës, kremton mbërritjen e Kirillit, Patriarkana e Kievit, kryesuar nga Filarete – që në vitin 1992, sëbashku me Kishën e vogël autoqefale ukrainase, u nda nga e para – e ka kritikuar udhëtimin. “Ka ardhur koha të kuptohet se Ukraina nuk është Rusia – tha Filarete – e të njihet e drejta jonë për të ndërtuar një të ardhme të pavarur”. Sipas rendit protokollar, Kirilli, si Patrik i ri i Moskës dhe i të gjithë Rusive, do të takohet me të gjitha Kishat ortodokse simotra. Ky udhëtim baritor nisi në Stamboll, nga 4 deri më 6 korrik, në Patriarkanën ekumenike të Kostandinopojës. Edhe për vizitën në Ukrainë, Patriku Kirill ka deklaruar se ajo ka qëllime baritore e jo politike. Ka mundësi që Patriku i Moskës të takohet edhe me bashkësitë disidente. Sot, gjatë përkujtimit të princit Vladimir, në manastirin e shpellave të Kievit, Kirill u bëri thirrje të rikthehen në gjirin e Kishës mëmë, pra nën juridiksionin e Moskës. Ukrainasit janë ortodoksë në pjesën më të madhe, por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe refuzimi i autoqefalisë nga ana e Patriarkanës së Moskës, shkaktoi ndarjen e Kishës ortodokse në tri pjesë, dy prej të cilave në kundërshtim të hapur me simotrën ruse. Zyrtarisht, famullitë e Kishës që njihet nga Moska janë më të mëdha në numër se për Kishat e tjera, por numri i besimtarëve “disidentë” mendohet se e kapërcen numrin e atyre që i binden Moskës.

21 vjetori i vdekjes së Jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkalla/Atë Pjetër Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike shqiptare të periudhës së regjimit komunist, dëshmitar e mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore. 26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës, të cilit sot i përkujtojmë 21 vjetorin e kalimit në banesën e amshuar të Atit Qiellor, nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linz të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931. Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit. Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit, ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”. Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robně, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

Në një moment tjetër, Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, rpapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!” Sot jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie e ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë që kanë për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›