Kthjellimi i mendjeve të nxehta

Tani Edvin Ramës po i dhemb koka. Gjendet i shigjetuar nga njerëzit e familjes së tij politike (jo vetjake), që nga jugu në veri, për disfatën e tij zgjedhore. Para një muaji e një javë, me euforinë e tij të shfrenuar që e bëri veten të ishte demiurgu (= krijuesi i universit) pësëist, tundte flamujt e fitores, duke e personalizuar tërësisht fushatën zgjedhore. Kandidatët u lanë nën hije, nga ai që s’pati guximin të ballafaqohej me zgjedhësit.
Fushata për të kishte filluar vite më parë: I kishte bërë rrush e kumbulla paret e bashkisë, - por edhe lëpushkat nga xhepat e fryrë të Eftimit dhe të Shkrelit prej aferave informale dobiprurëse në licencat ekskluzive të ndërtimeve, - në ato bredhjet me autokolona autobusësh me të mitura e të mitur si edhe me plot kasketa të vjetra, që i kishin dalë për zot politikës së re!
Por u kujtua se kudo thoshte të njëjtat fjalë, pemë pa kokrra, retorikë boshe, në mungesë të një programi që askush nuk e kishte lexuar dhe thuhej se mijëra faqe po mykeshin sirtarëve. Ndonjëherë kishte bërë sikur nuk i shihte ato zgërdhimje fshatarësh, në muhabetet “me kripë” për udhëzimet sesi bëheshin mbjelljet e shirjet e korrjet!
Duke mohuar me kryeneçësí gjithçka të qeverisjes së Berishës, kishte keqpërfolur edhe autostradën e shekullit, duke thënë se ishte projektuar nga socialistët, madje ishin mbledhur edhe fondet përmes një takse, në kohën e ndjesë pastë tetëvjeçarit. Kishte lëshuar edhe atë batutën e tij si rrufeja në qiell të kaltër: “Autostradën do ta inaugurojmë ne!”. Por nuk ia desh puna të sqaronte edhe sa metra rrugë ishin bërë sipas atij “projekti” të projektuar nga PS-ja, me disa skica (!), dhe ku shkuan paratë? Andej nga mesi i sallës, kryetarit sesi i kishin shkuar sytë te nja tre veta, pranë e pranë, që po bisedonin me njëri-tjetrin. E keqja është se u dukeshin edhe dhëmbët, nga podiumi. Disa burime kishin bërë të njohur se në mbarim, kërkoi nga titullarët vendorë emrat e hokatarëve : - Përse i futni në sallë? – iu hakërrye atyre. – Por janë anëtarë të partisë sonë,- iu përgjigjën ata.
Sa më shumë afrohej dita e fushatës, aq më tepër shtoheshin ethet zgjedhore të këtij ustai të certifikatave të gjendjes civile, si karta identiteti! Të tilla u jepeshin me lopatë, hileqarëve të PS-së. Mbase e kishte lexuar atë librin e një monitoruesi të vëmendshëm, libër në të cilin shënohej se, nga 472.000 të regjistruar në Tiranë, për Edin kishin votuar 82.000 veta. Citoj: “Dhe me këto vota ai u shpall kryetar bashkie! U shpall fitues me afërsisht një të gjashtën e votuesve të regjistruar! Rast i paparë në botë!” (Nezir D. Isufi, Ditar, 3.10.200, f. 191). Ja sesi kishte dalë Edvini kryetar bashkie, me certifikatat dhe me palolistat zgjedhore të Bashkim Finos. I ndjeri komisioneri i PD-së, Bardhyl Vuçiterna, me virtyte të padyshimta ndershmërie, ka mbajtur një bllok të tërë me shënime, për atë që ai e quante farsë zgjedhore.
Ja ku mund ta gjejmë burimin e asaj alergjie të dukshme të kryetarit të PS-së, ndaj kartave të identitetit dhe ndaj pasaportave biometrike. Me pengesat që shkaktuan ai dhe organet vendore të tij ndaj marrjeve të këtyre dokumenteve të sigurta, mund të mbushet një bibliotekë e tërë. Pastaj, gjatë fushatës zgjedhore, ia dha truri që të kontestonte à priori zgjedhjet. Ky ishte një paragjykim, për t’i dalë së keqes përpara. Në mbarim të zgjedhjeve ia kishin fajin komisionerët e tij, që i çoi në gjyq! Hamendësitë u jetësuan: Zgjedhjet janë jashtë standardit! Nënteksti i kësaj është: BE-ja nuk duhet të na pranojë në gjirin e saj, se qeveria nuk kishte plotësuar kushtin për zgjedhje të lira!
Dhelpra me rrushtë e La Fontenit! Por, duke i lënë mënjanë fabulat, është një akt i shëmtuar antiatdhetar. Nga cili do të përftonte ndjenja atdhetare, nga Enver Hoxha? Ndërsa Alçide De Gasperi ia preu tentakulat Titos, që u orvat të vinte në dorë Italinë verilindore, Istrian, -Triesten, Venecia-Xhulian, Polën, diktatori ynë në Konferencën e Ambasadorëve në Paris, mbeti squk për Kosovën dhe ia la fjalën delegatit Jugosllav që të fliste edhe në emër të Enverit. Dhe ky delegat i RSF të Jugosllavisë, i ngrefosur, vuri në dukje luftën e përbashkët, pa thënë asnjë fjalë për të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës. Premtimi i Titos se do të bëhej një referendum në Kosovë për statusin e saj, e kishte marrë era!
Vasaliteti i E. Hoxhës ndaj mareshalit Tito, i nxori brirët qysh në mesin e marsit të vitit 1945, kur në Tivar u vranë 4500 shqiptarë të Kosovës nga “vëllezërit jugosllavë” dhe Enveri u përçap që ta mbulonte këtë krim të kobshëm, që ishte i pamundur të fshihte tradhtinë kombëtare të diktatorit shqiptar.
E këtë atdheshitës, Edi Rama e përkujtonte me nostalgji, në çdo 16 shtator, në Pezë.
Sa për BE-në, ai e do vetëm po të jetë ai, i parë. Na kujtohet edhe ai “përkushtimi” për NATO-n.Tani i vjen inat me LSI-në, e cila e ka në emblemën e partisë integrimin europian. Koalicioni me PD-në nihilistit Rama i ngre nervat, se i shërben një qeverisjeje kompakte, në dobi të synimit të përbashkët PD-LSI, për aplikimin e Shqipërisë në këtë bashkim popujsh europianë. Liberalizimi i vizave do të jetë shumë më i shpejtë nga sa “profetizon” Rama dhe disa nga fanatikët e tij që i sillen vërdallë, të cilët, me një gjuhë ndjellakeqe si ajo e Kasandrës, nuk e mbulon dot dëshirën e tij të kamufluar keqazi, për të mos u jetësuar, veçanërisht tani që e ndjen veten të mënjanuar si njeri dhe si politikan të dështuar. Dëshira e tij e vërtetë është që të merrte pushtetin në dorë, me çdo kusht, me të gjitha prapësitë elektorale të tij ndaj PD-së, LSI-së dhe formacionit çam. Me gazetat e blera prej tij me pare të pista, si edhe me mediet televizive, që i ka vënë në dorë përmes po këtyre metodave, manovron në mënyrë diabolike që Shqipëria të mënjanohet nga aspiratat europiane, ashtu siç po mënjanohet vetë nga mendjet e kthjelluara të socialistëve, që po e kuptojnë se ai, dhe vetëm ai, është shkaktari i këtij dështimi zgjedhor të 28 qershorit.
Por Shqipëria ka miq të vërtetë. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, deklaroi këto ditë: “Sigurojmë Shqipërinë se, maksimumi në fund të verës, do të aprovohet kërkesa e saj për statusin e kandidatit”. Por edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, që kryeson tani vendin e presidencës në Bashkimin Europian, shprehet për të ardhmen e vendit tonë, me bindjen e një integrimi të shpejtë, “se forcat e integrimit në Rajonin e Ballkanit kanë filluar të jenë më të fuqishme sesa forcat e dizintegrimit”.
Rama u përket këtyre forcave dizintegruese, sepse e kupton që këto urime nuk u drejtohen forcave të tij partiake, të cilat po i çon në një përçarje të re!
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, tani po shtohen vazhdimisht zërat, se Rama është çorientuar aq keq me aventurën e tij të re të një politike të vjetër gjer në kohën e diktaturës, sa nuk po arrin dot të kuptojë se po vepron kundër Partisë së tij. Ajo kryeneçësia e tij dhe e të përpunuarve irracionalë prej tij, për të vazhduar edhe tani atë autoritarizmin e tij të pafré, është e rrezikshme. Për të ardhmen e PS-së, në radhë të parë, paçka se në dëm të vendit të vet, për të cilin nuk është merakosur ndonjëherë kryetari i tanishëm.
Mbase nga ky elektroshok i javëve të fundit, ka arritur të kuptojë, - më së fundi, - se ka diçka edhe më të fortë se interesat partiake, që të mos themi se sindroma e tij e egocentrizmit. Ndonëse është kjo që e çoi PS-në në këtë hulli.
LSI-ja është e një stofi tjetër. Ajo ka ditur ta bëjë prej kohësh këtë dallim, që e ka edhe në emblemën e flamurit të saj politik. Bashkëpunimi i tanishëm PD-LSI ka si prioritet interesat kombëtare. Kjo e vërtetë, që duket se po fiton përparësinë në analizat e mendjeve të shëndosha në Asamble, synon ta shmangë PS-në nga rruga e aventurizmit të një individi, e shprehur me dëshirën e pamundur gjer në trazirat rrugore që janë quajtur rrugaçërore.
...