Dashuron dy vëllezërqë e mashtrojnë dhe e trafikojnë

Foto ilustruese / Arkiv
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë, mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dy vëllezërit Arben dhe Ardian Bregasi, për akuzën e trafikut të femrave në bashkëpunim, pasi kanë trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion në Itali dhe Austri një 21 vjeçare nga Lushnja. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, ku prokurorja Erviola Stoja, tashmë ka dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dosjen penale ndaj dy shkodranëve me banim në kryeqytet.
Sipas kësaj dosje, që Shekulli ka siguruar një kopje, Arben 22 vjeçar dhe Ardian Bregasi 34 vjeçar janë vëllezër. Ky i fundit, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është arrestuar në muajin Korrik të 2011 në rrugën Don Bosko në Tiranë, pasi togat e zeza me vendimin e Prillit 2009 e kishin dënuar me 11 vite burg në mungesë për vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas dosjes me nr.53 dhe që do të gjykohet nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, mësohet se 34 vjeçari Bregasi, duke qenë se ishte në kërkim nga Policia kishte gjetur strehë në Lushnje dhe më pas ishte larguar drejt Italisë. Gjatë qëndrimit në Lushnje, mësohet se ai është njohur me 21 vjeçaren nga një fshat i këtij qyteti, me të cilën kishte krijuar një lidhje dashurie. Por, me tu larguar drejt Italisë, vajza nga Lushnja kishte filluar të shoqërohej me vëllanë e të dashurit të saj pa dijeninë e këtij të fundit, me 22 vjeçarin Arben Bregasi. Ky i fundit, duke ditur lidhjen që kishte i vëllai, me anë të mashtrimit është nisur së bashku me 21 vjeçaren në Maj të vitit 2011 drejt Italisë.
Me të mbërritur në Milano, 22 vjeçari e ka detyruar vajzën me anë të dhunës dhe presionit psikologjik të prostituoi duke i sjell klient në banesën ku qëndronin. Por, 22 vjeçari ka hasur në rezistencën e 21 vjeçares, e cila është bërë objekt i dhunës nga 22 vjeçari për të bindur të punonte si prostitutë. Pas qëndrimit pesë ditor, Arben Bregasi së bashku me vajzën janë kthyer në Shqipëri. Por, me të mbërritur në Fier, 22 vjeçari Bregasi i ka propozuar lushnjares që të niseshin drejt Austrisë, pasi atje ishte jeta më e mirë. E ndodhur në këto kushte dhe nga frika se do ta nxirrte në rrugë për të prostituuar, vajza është drejtuar në polici, ku ka kallëzuar të riun për trafik. / F.Vezaj