E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roza në CNN, historia e trafikimit të vajzës shqiptare

 

Foto e marre nga CNN

Një vajzë e mitur, viktimë e dashurisë së saj, bie si një flutur në rrjetën e trafikantëve. Ajo që ndodh më pas merret me mend nga të gjithë lexuesit tanë, sepse shembujt janë me mijëra. A ja vlente çmimi i seksit para jetës së këtij fëmije? Pyetja qëndron si një çekan, jo vetëm për protagonistët e kësaj historie, por dhe për ndërgjegjen e shoqërisë sonë. A do tua lëmë trashëgim brezave që vijnë këtë plagë? Koha për ta ndalur këtë fenomen. Rrugëtimi 7 vjeçar i regjisores Mimi Chakarova sjell sërish dëshmi tronditëse të trafikut të qenieve njerëzore. Historia, e publikuar nga rrjeti prestigjioz CNN, dëshmon përdhunimin, prostituimin, shitjen si skllave seksi të femrave në Europën Juglindore, por, edhe frekuentimin tyre nga politikanë, pasanikë dhe policë Chakarova e nis rrëfimin e saj me Shqipërinë, ku dëshmitarja ishte vetëm 12 vjeç kur u nis drejt Italisë pas premtimit për fejesë

Ikja e Rozës
Ajo kishte veshur këmishën e saj rozë dhe sandalet e preferuara ditën kur u largua nga fshati i saj në Shqipëri. Nëna i thirri me zë të lartë përpara se të futej në makinën e kuqe Mitsubishi, të të dashurit të saj. Por, ajo nuk e ktheu kokën për ti thënë Mirupafshim. Ishte 12 vjeç dhe e nevrikosur.

Quhej Roza, dhe prej vitesh përdhunohej nga njerku, aq sa nuk e mbante sa gjatë mend. Nuk mund ti tregonte gjë nënës, sepse e dinte që do ta largonin dhe do ta shanin. Vajzat e kanë fajin, sepse i provokojnë vetë meshkujt që kanë në shtëpi. Edhe pija nga ana tjetër, bën të vetën, do të thonin njerëzit.  Kur mbërritën në Itali, i dashuri i kërkoi që të punonte për të si prostitutë. Në fillim mendoi se bënte shaka: Ajo la shtëpinë për të qenë me të, që një ditë të martoheshin. Ai ishte i rritur dhe ajo e dashuruar.

Por, njeriu që donte e ktheu atë në realitet. I tha sa shumë para u harxhuan për rrugën, për dokumentet false, për rrobat dhe gjithçka tjetër që e bënin atë të dukej e bukur dhe disa vjet më e madhe në moshë. Ajo qau, ndërsa ai i preu gjurin me thikë në mënyrë që ajo të pushonte. Për 7 vitet që do të pasonin shenja ishte një kujtesë se ajo skishte njeri tjetër veç tij.

Intervista

Disa vite më vonë, gazetarja dhe fotoreporterja Mimi Chakarova e intervistoi Rozën, në një qendër të fshehtë për femrat e trafikuara. Ajo i rrëfeu se kishte denoncuar abuzuesin e saj, por xhaxhai i tij ishte gjyqtar dhe e la krejtësisht të lirë. Djali që e përdori si prostitutë në Itali dhe Belgjikë, u largua për pak kohë nga Shqipëria derisa gjërat u ftohën. Roza tregon se ai është ende i lirë dhe madje ka blerë një vilë trekatëshe në fshatin e saj në Veri të Shqipërisë. Familja e saj nuk e pranon. I thanë se për vite të tëra nuk solli asnjë lekë me punën e madhe si prostitutë, solli veç një abort dhe ca sëmundje seksualisht të transmetueshme. Sa për nënën, ajo ende sot e kësaj dite nuk e di se, bashkëshorti i saj, ishte njeriu i parë që i tregoi botën e egër të seksit.

Këto ditë ky dokumentar, i cili përfshin edhe dëshmitë në Bullgari, Turqi, Bonjë Hercegovinë ka premierën e tij në Londër. Në fund të vitit 2011, Chakarova u nderua me çmimin për kurajën në Festivlain Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në New York. Nuk ka qenë e lehtë për 34 vjecaren Mimi Chakarova, të ndërtojë një dëshmi të tillë rrënqethëse. Në intervistën për CNN ajo shprehet se në 7 vjet ka ndjerë disa herë frikë. Trafikantët donin kokën time, tregon Chakarova. Më trego përfitimet e nxjerra nga një luftë, të tregoj se si ndalet ajo perifrazohet nga autorja një thënie të Henry Ford, e cila i shkon shumë edhe trafikimit ndërkombëtar të femrave.

Marrë me shkurtime nga CNN

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›