Shullazi vazhdon luftën, kërkon gjykim të shkurtuar
TIRANË- Të pandehurit Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi kërkojnë gjykim të shkurtuar. Të njohur edhe si shokët e të ndjerit Arlind Fuga, i cili u vra pak ditë më parë me gjashtë plumba, në seancën e djeshme gjyqësore me ndihmën e avokatëve mbrojtës, kërkuan nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, që procesi gjyqësor ndaj tyre të shqyrtohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i çështjes Adrian Dyrmishi, që kërkoi nga gjyqtari Martin Deda të mos e pranoi këtë kërkesë. Por, pretendimet pro dhe kundër kësaj kërkese, bëri që gjyqtari i çështjes Deda të ndërpres seancën për të vazhduar me datë 28 Mars, kohë kjo e mjaftueshme për të vendosur pranimin apo rrëzimin e kërkesës së dy të pandehurve që akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi. Në seancën e djeshme gjyqësore, i pranishëm ishte vetëm i pandehuri Gilmando Dani, që pak muaj para se të arrestohet, ra preh e një atentati ku fatmirësisht mbeti vetëm i plagosur. Nëse Gjykata i pranon kërkesën dy të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ata përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar, nëse deklarohet fajtor.
Të dy të pandehurit, sipas kërkesës për gjykim që Shekulli ka siguruar një kopje, mësohet se janë arrestuar më 8 Nëntor 2011 në kryeqytet. Mbrëmjen e datës 8 Nëntor 2011, efektivët e policisë gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar makinën tip Benz me targa TR 2703 L, ku drejtues ishte i pandehuri Dani. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë të tipit Glock me 16 fishek brenda, një maskë të zeza, një palë syza maskimi dhe shtatë telefona së bashku me kartat brenda-thuhet në dosjen penale ndaj dy të pandehurve. Në momentin e arrestimit dhe marrjes në pyetje, Gilmando Dani ka pranuar se arma e gjetur në makinë, ishte e tija së bashku me sende të tjera të paligjshme. Por, prokuroria gjatë fazës hetimore dhe dëshmisë së katër efektivëve të policisë që kanë bërë ndalimin e dy të pandehurve, kanë hedhur poshtë pretendimin e Danit. Sipas tyre, në momentin e arrestimit pistoletën e kishte në brez i pandehuri Shullazi, që ka tentuar ta hedh në makinë, ndërsa Dani nuk kishte ndonjë send të paligjshëm në trup. Bazuar në këto prova dhe dëshmi, prokuroria ka ngritur edhe akuzat konkrete, ku i pandehuri Emiljano Shullazi, akuzohet për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ndërsa Gilmando Dani akuzohet për mos kallëzim krimi. F.V.
Vrasja e Fugës
Mbrëmjen e datës 20 Mars 2012, në rrugën Him Kolli, në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, vranë me armë zjarri shtetasin Arlind Fuga. Ky i fundit, njihej si kushëriri i të fejuarës së Shullazit dhe një nga miqtë e këtij të fundit, ku në dy proceset e mëparshme penale, i ndjeri ka qenë dëshmitar i akuzës.
