Data e zgjedhjeve, Presidenti Topi ka afat deri më 22 janar
Data 22 janar është afati i fundit që kreu i shtetit, Bamir Topi, duhet të vendosë për të shpallur datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas dekretimit të bërë më datë 30 dhjetor të 2008 të "Kodit Zgjedhor" nga kreu i shtetit, tashmë pritet që ligji të hyjë në fuqi pas botimit që iu bë në Fletoren Zyrtare. Në bazë të përllogaritjeve i bie që më 15 janar Kodi Zgjedhor të hyjë në fuqi. Kodi Zgjedhor është publikuar në numrin 189 të Fletores Zyrtare dhe efekti i ligjit elektoral fillon 15 ditë pas botimit zyrtar. Dispozita kalimtare e sanksionuar në nenin 184 të Kodit Zgjedhor thekson se, "Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvendin të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi". Komisioni i posaçëm u detyrua që të realizonte pikërisht këtë dispozitë kalimtare për të shmangur përplasjet që Presidenti konstatonte në dekretin e kthyer të ligjit zgjedhor. Në bazë të kësaj dispozite i bie që kreu i shtetit të shpallë datën e zgjedhjeve më 21 ose 28 qershor të këtij viti. Sipas nenit 9 të pikës 1 të këtij Kodi, "zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të Kodit dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit". Kodi Zgjedhor u miratua në Kuvend me 116 vota, në seancën e fundit parlamentare të sesionit të vjeshtës. Më 29 dhjetor, Kuvendi votoi raportin e paraqitur nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore mbi dekretin e kthyer nga kreu i shtetit për ligjin zgjedhor. Dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, Xhafaj dhe Rusmali, në raportin e miratuar me konsensus fajësuan Presidentin për kthimin e ligjit të dekretit të Presidentit, duke e cilësuar si të pabazuar juridikisht. Në këtë raport vlerësohej se në dekretin e kthyer nuk është marrë në konsideratë nisja e parë e punës së Kuvendit. Për këtë në raport cilësohej se vendimi i kreut të shtetit është tërësisht i gabuar. Vetëm për këto votime është përcaktuar se data e votimit do të shpallet gjashtë muaj përpara, pasi Kodi i ri Zgjedhor parashikon që data e zgjedhjeve të realizohet nëntë muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. b.h