Koçi, ftesë PS për zgjedhjet
Aristir Lumezi
Kreu i PS '91, Petro Koçi propozon bashkëpunim mes dy koalicioneve të majta parazgjedhore. Koçi shprehet në një prononcim për mediat se ende ka hapësira bashkëpunimi mes të majtëve nëse gjendet vullneti politik për këtë. Sipas tij ka një zgjidhje që mund të gjendet në kompozimin e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. "Shansi është në procesin e propozimit dhe vendimmarrjes konkrete për përbërjen e komisioneve zgjedhore. PS duhet ta shohë këtë moment politik nga këndvështrimi i kohezionit perspektiv e koalicionit paszgjedhor mes dy koalicioneve të majta. Ripropozojmë këtë zgjidhje në emër të fitores së zgjedhjeve", tha Koçi. Kreu i PS '91 e cilëson gjetjen e një zgjidhje të tillë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tij, kjo do t'i shërbejë fitores së të majtës në 2009-ën. "Fitorja bëhet edhe më e garantuar nëse rivendoset dialogu dhe realizmi në marrëdhëniet mes dy koalicioneve të majta që do garojnë në zgjedhjet e ardhshme. PS '91 kërkoi edhe në rastin e rishikimit të Kodit Elektoral një zgjidhje mirëkuptimi për formulën e përbërjes së komisioneve zgjedhore. Zgjidhja u hodh poshtë gjatë votimit në Parlament nga marrëveshja PD-PS për 'Ligjin për Prokurorinë'. Partia jonë mendon se ka akoma shanse për mirëkuptim në radhët e opozitës së majtë", tha Koçi. Partitë e majta, LSI, PS '91, PDS, PS dhe PSD janë shprehur se do të dalin në koalicione të veçanta në zgjedhjet parlamentare të kësaj vere. PS, PDS dhe PSD duket se do të jenë pjesë e një koalicioni të përbërë, ndërsa dy partitë e tjera, LSI dhe PS '91 në një koalicion-alternativë. Drejtuesit e këtyre dy partive shprehen se do të jenë e majta e vërtetë progresiste, e cila, sipas tyre, nuk i ka tradhtuar interesat e të majtës shqiptare. Përfaqësues të LSI-së janë shprehur se dalja me dy koalicione e të majtës do të garantojë fitoren e saj, pasi shqiptarët do të kenë mundësi të mbështesin njërën prej alternativave të saj, ndërsa përfaqësues të PS-së shprehen se dalja me dy koalicione e dëmton të majtën dhe rrjedhimisht dhe fitoren e saj. Në këtë "konflikt" mes strategjive dhe qëndrimeve të së majtës, vjen propozimi i Petro Koçit, i cili i propozon PS-së të shikojë me kujdes kompozimin e komisioneve zgjedhore nëse pretendon seriozisht fitoren e sigurt të së majtës.